Autor
Cvetana Tonçeva
Seksion
Premte 27 Shkurt 2026 20:10
Premte, 27 Shkurt 2026, 20:10
Atanas Bojaxhiev (1926 – 2017)
FOTO: binar.bg
Madhësia e shkronjave
Më 1 mars 2026 shënohen 100 vjet nga lindja e kompozitorit Atanas Bojaxhiev. I quajtur “doajen i muzikës popullore bullgare”, hitet e tij dallohen mbi të gjitha për karakterin e tyre kombëtar dhe afërsinë me folklorin bullgar. Një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt është poeti i talentuar Bogomill Gudev. Pas disa hiteve të suksesshme të përbashkëta, të dy vendosin të shkruajnë këngë mbi bazë folklorike.
“Do të ishte e tepërt po të thosha se kemi dashur t’i kundërviheshim valës së muzikës serbe që po depërtonte gjithnjë e më fuqishëm te ne”, kujton pas dekadash kompozitori. “Por mendonim se ishte mirë t’u ofronim dëgjuesve këngë bullgare me elemente nga folklori ynë.”
Kështu, në vitin 1970 në tregun muzikor bullgar del një pllakë e vogël, e botuar nga Ballkanton, me dy këngë të Atanas Bojaxhievit dhe Bogomill Gudevit – "U dashurova nënë" dhe "Ku të gjej forcë".
Atanas Bojaxhiev dhe Bogdana Karadoçeva me çmimet e festivalit “Orfeu i Artë” në vitin 1969
FOTO: arkiva personale e Kristijan Bojaxhiev
Në një intervistë të veçantë për Radio Bullgarinë, djali i Atanas Bojaxhievit – kompozitori Kristijan Bojaxhiev – kujton historinë intriguese të këngës "Ku të gjej forcë", e njohur sot nga të gjithë me titullin "Lludo mllado":
“Interpretues ishin Magda Panajotova dhe Petër Çernev. Më kujtohet pllaka e vogël që doli me dizajn artistik nga Aleksandër Brëzicov – kompozitori i njohur që kishte përfunduar Akademinë e Arteve me degën grafikë. Në vitin 1970 u shfaq kjo pllakë e vogël – në stil pop-art, një lojë me aktualitetin e kohës.”
Kënga arrin edhe në Radio, por megjithatë nuk dëgjohet kurrë në transmetim:
Kristijan Bojaxhiev
FOTO: Zdravko Petrov
“Siç e kuptuam më vonë – për shkak të disa rreshtave në tekst, sidomos në fund, kur vajza e zgjon djalin (“të riun e marrë”), ndërsa ai thotë: “nga ta gjej forcën, kur ti ma ke përpirë”. Sipas mendimit tim, kjo frazë e eliminoi mundësinë që kënga të transmetohej në Radion Kombëtare Bullgare, sepse ka një ngacmim të lehtë erotik – aq i parëndësishëm, por kush e di… në kohëra kur censura ishte ndryshe…Në të njëjtën kohë kam parë libra me këngë popullore dhe tekste ku ka aludime shumë më të theksuara, madje edhe fraza të drejtpërdrejta të ngjashme. Me sa duket, muzika pop është vlerësuar pak më ndryshe.”
FOTO: Arkiva
Kënga "Ku të gjej forcë" mbetet e regjistruar në pllakë dhe e botuar, por nuk dëgjohet në transmetim për gati dy dekada. Papritur, në vitet ’90 të shekullit XX shumë këngëtarë fillojnë ta interpretojnë dhe gjithmonë e shpallin si këngë popullore. Djali i kompozitorit i drejtohet për ndihmë Radios Kombëtare Bullgare.
Organizohet një komision dhe paraqiten dëshmi – pllaka e vjetër e vogël dhe një përmbledhje me këngë autoriale të Atanas Bojaxhiev, botuar në vitet ’70, ku përfshihet edhe kjo këngë. Komisioni vendos që të ndryshohen regjistrat e Radios dhe të shënohen autorët.
Gradualisht, interpretuesit bullgarë fillojnë ta prezantojnë "Lludo mllado" në mënyrë korrekte. Në interpretimin e spikatur të këngëtares popullore Stojanka Boneva, ajo është përfshirë edhe në një nga tekstet më të reja të muzikës për klasën e 10-të, me autorët të përmendur qartë.
Kristijan Bojaxhiev thotë se jo rrallëherë e ka dëgjuar këngën të shpallet si popullore dhe madje përfaqësues të disa krahinave folklorike këmbëngulin se ajo është, për shembull, nga Maqedonia:
Atanas Bojaxhiev (në të djathtë) dhe Kristijan Bojaxhiev në ambient pune
FOTO: Arkiva personale e Kristijan Bojaxhiev
“Edhe nëse njerëzit e konsiderojnë këngën popullore apo jo, unë mendoj se për një autor nuk ka gjë më të bukur sesa kënga e tij, sidomos sa është gjallë, të konsiderohet popullore – në aspekt moral kjo është diçka që nuk ka të barabartë! Çfarë mund të jetë më e bukur se kjo! Duke qenë se këto këngë bëhen për njerëzit. Kur i bën për njerëzit dhe ata i këndojnë dhe i përvetësojnë deri në atë masë – vërtet kjo tingëllon si një kompliment i madh!” – përfundon djali i Atanas Bojaxhiev.
Ndërsa ne kujtojmë një nga interpretimet më të pëlqyera të "Lludo mllado" – të Atanas Bojaxhiev dhe Bogomill Gudev, në aranzhimin e Kirill Dobrev, me zërat e Vanja Kostova dhe Rosica Kirillova.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello