Shtunë 28 Shkurt 2026 09:00
Shtunë, 28 Shkurt 2026, 09:00
FOTO: verbraucherzentrale.de
Madhësia e shkronjave
BE propozon negociata për heqjen e roamingut me Ballkanin Perëndimor
Komisioni Evropian propozon të fillojnë negociatat me vendet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin e tyre në regjimin “Roaming si në shtëpi” në BE, njoftoi institucioni në një komunikatë për shtyp. Nëse propozimi pranohet nga Këshilli i BE-së, Brukseli do të nisë negociata me Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Qëllimi është që pas përfundimit të bisedimeve dhe përafrimit të rregullave kombëtare me kërkesat evropiane, klientët nga këto vende të mund të përdorin shërbime celulare në BE pa tarifa shtesë roamingu. E njëjta gjë do të vlejë edhe për abonentët nga BE gjatë udhëtimit në rajon dhe për bisedat me abonentë nga Ballkani Perëndimor.
Oana Țoiu
FOTO: usr.ro
Rumania këmbëngul për tërheqjen e trupave ruse nga Transnistria
Rumania mban qëndrimin e saj të qëndrueshëm se trupat ruse duhet të tërhiqen nga Transnistria, deklaroi ministrja e Jashtme Oana Țoiu para mbledhjes së Këshillit “Punë të Jashtme” në Bruksel. “Ky është pozicioni ynë prej vitesh dhe ne mbështesim faktin që ai është shndërruar edhe në pozicion evropian”, theksoi Țoiu, e cituar nga Agerpres. Ajo theksoi se ka zhvilluar bisedime me presidenten e Moldavisë Maia Sandu dhe me qeverinë në Kishinjev. Sipas saj, ka arsye për shpresë që rajoni mund të integrohet në të ardhmen evropiane të vendit, por tërheqja e forcave ruse mbetet kusht i domosdoshëm.
Rexhep Tajip Erdogan
FOTO: Daily Sabah
72-vjeçari Rexhep Erdogan kërkon mbështetje për një mandat të ri
Ndërsa opozita në Turqi vazhdon të këmbëngulë për zgjedhje të parakohshme, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet shprehu mbështetje për kandidimin e liderit të saj Rexhep Tajip Erdogan për një mandat të ri presidencial, shkruan faqja Daily Sabah. Për momentin Erdogan në masë të madhe hesht për kandidaturën e tij të ardhshme, megjithëse së fundmi pranoi se do të kandidonte sërish nëse shoqëria e mbështet, thekson më tej media.
Lajmi vjen në sfondin e debatit se Erdogan mbështeti futjen e programeve fetare me rastin e muajit Ramazan në shkolla. Lideri i Partisë Popullore Republikane në opozitë, Ozgyr Ozel, nga ana e tij deklaroi se edukimi fetar është një vendim që duhet ta marrin prindërit e fëmijëve, ndërsa futja e tij në shkolla do të krijojë ndarje mes të rinjve.
Zejna Murkiç
FOTO: Facebook/Zejna Murkić
Kënga “Jugosllavia” është favorite për përfaqësimin e Serbisë në Eurovizion
Eurovizioni gjithmonë hedh hije të gjata politike, shkruan gazeta gjermane Frankfurter Rundschau. Sipas korrespondentit të botimit në Beograd, Tomas Rozer, nëse Serbia dërgon në finalen në Vjenë në maj këngën “Jugosllavia” të këngëtares rome 39-vjeçare Zejna Murkiç, kjo mund të shkaktojë “një grindje të re ballkanike”. “Jugosllavia është metaforë dhe Jugosllavia është ëndërr. Kënga ime flet për dashurinë, njerëzit, unitetin dhe shpresën”, thotë këngëtarja, e cila përcaktohet si mbështetëse e protestave studentore. Ndryshe mendojnë në ish-republikat jugosllave pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë së Titos, komenton agjencia BGNES. Në refrenin e këngës thuhet: “Ti dhe unë jemi Jugosllavia, lutje dhe qiell, ar dhe argjend. Unë jam shpresa jote e fundit. Ti dhe unë jemi Jugosllavia, teh dhe heshtje, dritë dhe forcë. Të solla dashuri.”
(Jugoslavia is you and me, the prayer and heaven. They are gold and silver. I'm your last hope. Yugoslavia is you and me, destruction and silence, the light and the force. I brought you love. – Ky është përkthimi origjinal i këngës në anglisht, me të cilin kandidon për Eurovizion.)
FOTO: vijesti.hrt.hr
Në Kroaci duan të ndalojnë tregtinë e alkoolit pas orës 20
Një projektligj, i propozuar nga qeveria kroate, do të ndalojë shitjen e pijeve alkoolike pas orës 20:00 në të gjitha objektet tregtare, përveç lokaleve dhe restoranteve. Sondazhi HRejting, i realizuar për televizionin shtetëror HRT nga agjencia Promocija plus, tregon se mbi 55% e të anketuarve e mbështesin masën. 5% nuk kanë mendim, ndërsa 40 për qind janë kategorikisht kundër. 45% mendojnë se kufizimi synon të zvogëlojë konsumimin e alkoolit te të rinjtë, veçanërisht gjatë natës. 17,5% mendojnë se qëllimi është të vendoset më shumë rregull në qendrat turistike, ndërsa pothuajse 12% besojnë se synimi është të reduktohet dehja e turistëve në vende publike. Një e treta e të anketuarve nuk presin asnjë efekt nga ndryshimi.
Përpiloi: Ivo Ivanov
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski