KULTURË

Artikull

Svetllana Karaxhova është “gur themeli” për komunitetin e bullgarëve të Banatit

Bullgarja e Banatit është mësuese, aktiviste, studiuese dhe urë lidhëse mes banorëve të Banatit dhe Bullgarisë

Enjte, 5 Mars 2026, 20:00

Svetllana Karaxhova

Svetllana Karaxhova

FOTO: Falmis.org

Madhësia e shkronjave

Për Svetlana Karaxhovën, kauza e bullgarëve të Banatit nuk është thjesht një interes kërkimor, por një rrugë jetësore që ajo e përshkon mes vendlindjes së saj Bërdarski Geran (Bullgaria Veriperëndimore), Sofjes dhe Timişoarës (Rumani). Prej gati tre dekadash, përpjekjet e saj janë përqendruar në ndërtimin e urave – shpirtërore, gjuhësore dhe institucionale – që të lidhin komunitetin e shpërndarë në Rumani, Serbi dhe Bullgari. Në themel të kësaj veprimtarie qëndron koncepti “Falmis” – një emër me ngarkesë të thellë simbolike. Ai rrjedh nga përshëndetja tradicionale katolike “Qoftë i lavdëruar Jezusi” (në bullgarishten banatase: Falin budi Isus), të cilën bullgarët e Banatit e kanë shndërruar në një fjalë të vetme – “Falmis” – dhe kjo është përshëndetja me të cilën ata takohen në rrugë, një kod i njohshëm i identitetit të tyre.

FOTO: falmis.org

Gjithçka nis në vitin 1998 me botimin e buletinit me të njëjtin emër, dizajni i të cilit, një ndërthurje e alfabetit cirilik dhe atij latin, paraqet vizualisht dy sistemet grafike që përdoren nga komuniteti i bullgarëve të Banatit. Sot “Falmis” është shumë më tepër se një botim, është një markë nën ombrellën e së cilës funksionon Shoqata e Bullgarëve të Banatit në Bullgari dhe sektori i saj më tërheqës, ansambli i vallëzimit. I themeluar në Sofje në vitin 2016, ky ansambël luan rolin e një “arke”, që ruan folklorin autentik jo vetëm të bullgarëve të Banatit, por edhe të hungarezëve dhe polakëve, me qendrat kulturore të të cilëve në Sofje shoqata bashkëpunon ngushtë. Misioni i ansamblit është të mbrojë vallet nga vendbanimet ku nuk ka më të rinj që t’i kërcejnë, duke e shndërruar skenën në një hapësirë të kujtesës së gjallë.

Nga folklori drejt shkencës dhe filozofisë

Një nga aspektet kyçe në punën e Svetllana Karaxhovës është përpjekja e saj për ta ngritur temën e bullgarëve të Banatit në nivel akademik.

Aktualisht, Karaxhova është iniciatore dhe pjesëmarrëse aktive në projekte shkencore në shkallë të gjerë të financuara nga Fondi “Kërkime Shkencore”, në partneritet me Institutin e Gjuhës Bullgare "Prof. Ljubomir Andrejçin". Këto projekte studiojnë paralelisht fatet e bullgarëve të Banatit dhe Besarabisë, duke kërkuar pika të përbashkëta midis këtyre "degëve të ndara" të popullit bullgar. Karaxhova thekson rëndësinë e këtij vetëbesimi shkencor:

"Kuptova, jo pa ndihmën e të tjerëve, se nëse nuk e ngremë të folurit për bullgarët e Banatit në një nivel më të lartë se ai thjesht folklorik ose etnografik, nuk mund të presim që bullgarët e tjerë ta perceptojnë këtë komunitet si të barabartë me ta. Veprimtaria shkencore është gjithashtu një urë, sepse gjithë angazhimi im është i drejtuar drejt tërheqjes së vëmendjes ndaj bullgarëve të Banatit, kërkimit të kontakteve dhe komunikimit me tërë shoqërinë bullgare."

FOTO: BTA

Duke jetuar aktualisht në Timişoara dhe duke dhënë mësim në gjuhën bullgare në Universitetin Perëndimor, Svetllana Karaxhova ndjek një qasje aktiviste “në terren”, veçanërisht në Star Beshenov, vendbanimin më të madh të bullgarëve të Banatit në Rumani.

Puna me njerëzit kërkon një entuziazëm të pandërprerë, sidomos në kontekstin e asimilimit të fortë që Karaxhova vëren në vendbanime rreth Bukureshtit, si Popeşti-Leordeni dhe Coplea. Ajo beson se shembulli personal është udhëheqës, prandaj edhe vetëajo mëson në mënyrë aktive gjuhën rumune, për të kuptuar më mirë botën shpirtërore në të cilën jeton komuniteti dhe për të ndërtuar ura drejt shoqërisë rumune. Kjo qasje tashmë po jep rezultate: artikujt e saj botohen në revista shkencore rumune dhe studentët rumunë në Timişoara shfaqin interes të gjallë për të mësuar gjuhën bullgare.

“Kultura është një proces dhe nëse secili prej nesh kontribuon me një grimcë nga aftësitë dhe njohuritë e veta, ai pasuron tërësinë. Nëse jetojmë vazhdimisht me vetëdijen se idetë duhet të qarkullojnë mes Rumanisë, Bullgarisë dhe Serbisë dhe njerëzit të jetojnë në një bashkësi virtuale, ku bashkëjetojnë gjuha, kujtesa, kultura dhe mendimi për të ardhmen tonë të përbashkët, atëherë besoj se secili prej nesh do ta ketë përmbushur detyrën e vet.”

FOTO: Falmis.org

E ardhmja e komunitetit

Pavarësisht sfidave të “botës që po shpërbëhet”, Svetllana Karaxhova mbetet optimiste. Ajo i sheh bullgarët e Banatit si ndërmjetës natyralë mes shteteve ku jetojnë. Viti 2026 pritet të jetë kyç: shënohen 10 vjet nga krijimi i ansamblit “Falmis”, do të prezantohet libri i saj i ri dhe do të zhvillohet një konferencë e madhe ndërkombëtare që bashkon studiues nga Bullgaria dhe Rumania.

Svetllana Karaxhova e përshkruan motivimin e brendshëm të komunitetit të saj në këtë mënyrë:

FOTO: BTA

“Bullgarët e Banatit janë një komunitet që ka ruajtur një variant mjaft të vjetër të gjuhës bullgare. Ata kanë një ndjenjë të veçantë të zhvilluar të detyrës. Secili prej tyre beson se ka një mision për të bërë diçka të madhe për komunitetin e vet. Sado të veçantë të jenë njerëzit e këtij komuniteti, nëse i njihni më mirë, do të shihni se me të vërtetë secili beson se duhet të kontribuojë, përmes asaj që di të bëjë, në procesin e përbashkët të ruajtjes së kujtesës dhe gjuhës.”

Përmes ndërthurjes së shkencës, folklorit dhe punës së përditshme, Svetllana Karaxhova dëshmon se identiteti nuk është një dhënie statike, por një proces dinamik që kërkon “shkaktim të vazhdueshëm ngjarjesh” dhe një frymë të palëkundur.


Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva