Autor
Diana Cankova
Seksion
Premte 6 Mars 2026 07:00
Premte, 6 Mars 2026, 07:00
Stella Jançoviçina
FOTO: sportenkalendar.bg
Madhësia e shkronjave
Stela Jançoviçina – garuese në disiplinat e skive alpine – do të jetë pjesëmarrësja e vetme bullgare në Lojërat Paraolimpike Dimërore, të cilat do të zhvillohen nga 6 deri më 15 mars në Milano-Cortina. Gjatë përcjelljes në aeroportin e Sofjes “Vasill Levski”, kryetarja e Komitetit Olimpik Bullgar, Vesella Leçeva, i dorëzoi një verore të madhe të punuar me dorë, me shpresën që simboli i shëndetit dhe i pranverës t’i sjellë fat.
FOTO: Facebook/VeselaN.Lecheva
“Jam shumë e emocionuar që po nisem për në Lojërat Paraolimpike. Qëllimi im është të tregoj formën time më të mirë dhe ta përfaqësoj Bullgarinë me dinjitet – të përqendrohem nga porta e parë deri te e fundit dhe të jap gjithçka nga vetja,” tha Stella Jançoviçina para gazetarëve përpara se të nisej për në Itali. Ajo shtoi se ndihet krenare për kualifikimin në garën më të rëndësishme sportive, pasi kjo ka qenë ëndrra e saj.
Nga ana e saj, Vesella Leçeva i uroi Stella Jançoviçinës të tregojë më të mirën nga vetja dhe të sjellë një medalje olimpike, ashtu siç bënë para një muaji Tervell Zamfirov dhe Llora Hristova. “Vetë pjesëmarrja në Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike është tashmë një sukses i madh. Unë admiroj gjithçka që keni arritur deri tani”, shtoi kryetarja e Komitetit Olimpik Bullgar (BOK). Ajo shprehu pritshmërinë që, pas kthimit të saj, ta presin edhe më solemnisht. Ndërkohë, përfaqësuesja bullgare ka disa ditë për përgatitje në Cortina d’Ampezzo së bashku me ekipin e saj.
FOTO: bansko.bg
Sportistja, e lindur në qendrën dimërore Bansko, i bëri hapat e parë në ski nën udhëzimin e babait të saj dhe aktualisht ndihmës-trajnerit Stefan Jançoviçin. Ajo stërvitet në klubin lokal “Julen” nën drejtimin e Georgi Bistrin. Në janar të këtij viti, Stella Jançoviçina fitoi dy tituj botërorë – në sllallom dhe sllallom gjigant në kategorinë e paraolimpikëve në Jasná, Sllovaki. Ari i fituar e kthen atë në një nga pretendueset për medalje olimpike dhe i jep mundësinë të bëhet bullgarja e parë medaliste në një forum të tillë të nivelit më të lartë.
FOTO: arkiva personale
“Konkurrenca në njërën disiplinë – sllallom – është pak më e madhe, sepse atje të gjitha jemi të ndara vetëm me të qindtat e sekondës, por ne jemi si një familje, mbështesim njëra-tjetrën dhe secila paraqitet në mënyrën e saj, ” shpjegoi sportistja bullgare. Ajo shtoi se i pëlqejnë të dyja disiplinat, por sllallomi gjigant është dobësia e saj për shkak të shpejtësive të larta dhe rritjes së adrenalinës. “Thjesht gjërat ekstreme janë për mua,” pranoi Stella Jançoviçina.
FOTO: BTA
Sportistja gjithmonë ka pasur mbështetje – jo vetëm nga familja dhe ekipi i saj, por edhe nga Organizata Kombëtare Paraolimpike dhe Federata Paraolimpike Bullgare. Për edhe më shumë besim dhe shpresë për një paraqitje dinjitoze, delegacioni bullgar po merr me vete në Milano-Cortina edhe ikonën e Hyjlindëses, që iu dorëzua nga shefi i misionit tonë olimpik, Vollodja Zllatev.
Lojërat Paraolimpike do të hapen zyrtarisht më 6 mars me një ceremoni në Arena di Verona. Në to do të marrin pjesë mbi 600 atletë, të cilët do të garojnë në 76 gara në gjashtë sporte.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello