Artikull
Shtunë 7 Mars 2026 07:00
Shtunë, 7 Mars 2026, 07:00
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Ekspedita e fundit polare e shkencëtarëve bullgarë në Kontinentin e Akullt është një nga më të suksesshmet – theksoi drejtuesi i Institutit Bullgar të Antarktidës, prof. Hristo Pimpirev, për BNR. Specialisti i gjeologjisë historike dhe paleogjeografisë dhe drejtues i Qendrës Kombëtare për Studime Polare u nderua me çmimin prestigjioz shkencor “Konstantin Kacarov” para pak ditësh në Gjenevë.
FOTO: BTA
“Prej 4 vitesh, që kur në Oqeanin Botëror ndodhet anija jonë kërkimore-shkencore “Shën Kirill dhe Metodij” (NIK 421), Bullgaria është një vend polar dhe detar jashtëzakonisht i vlerësuar, sepse me të ne studiojmë Oqeanin Botëror dhe veçanërisht pjesën më të vështirë të tij – Oqeanin Jugor, i cili rreth Antarktidës është me ajsbergë dhe copa akulli – komentoi profesori. – Ne dëshmuam se ne bullgarët jemi shumë të suksesshëm kudo, madje edhe në Oqeanin Botëror, megjithëse Bullgaria zotëron vetëm një det gjysmë të mbyllur, siç është Deti i Zi.”
FOTO: BTA
Ai vuri theksin te laboratori modern shkencor, i cili tashmë punon në bazën bullgare në ishullin Livingston dhe tërheq shkencëtarë nga e gjithë bota: “Këtë vit kishim të huaj nga shtete ekzotike, të cilët kurrë nuk kishin parë borë – theksoi më tej prof. Pimpirev në një bisedë me Julijana Kornazheva nga programi “Horizont” dhe sqaroi: – Me kolegë nga Emiratet e Bashkuara Arabe ndërtuam një laborator të përbashkët për studimin e aktivitetit sizmik dhe meteorologjisë.
FOTO: BTA
Përveç kësaj kishim shkencëtarë nga El Salvadori dhe nga Ekuadori, ku kalon ekuatori. Kemi një projekt shumë serioz me shkencëtarë nga Gjermania për studimin e rrymave detare, për kripësinë e ujit dhe rritjen e nivelit të detit, që është një problem jashtëzakonisht i madh për mbijetesën e njerëzimit në të ardhmen – përmbytja e zonave bregdetare, të cilat janë më të populluara dhe më pjelloret.”
FOTO: BTA
Anija kërkimore bullgare NIK 421 tashmë po udhëton drejt atdheut tonë, ndërsa më 8 mars i pret një ndalesë në portin brazilian Santos, ku ekuipazhi do të ketë një takim me përfaqësues të komunitetit bullgar në vend. Me këtë rast në bord, rreth orës 14:00 me kohën lokale, do të zhvillohet një ceremoni e veçantë që do të përfshijë interpretimin e himneve kombëtare, ngritjen e flamujve dhe prerjen solemne të një torte festive – njoftoi BTA.
Redaktoi: Gergana Mançeva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski