Shtunë 7 Mars 2026 08:10
Shtunë, 7 Mars 2026, 08:10
FOTO: Reuters
Madhësia e shkronjave
Dramë presidenciale në Kosovë
Parlamenti i Kosovës nuk arriti të zgjedhë president deri në afatin përfundimtar – ora 24:00 e 5 marsit, megjithëse mandati i kreut aktual të shtetit Vjosa Osmani përfundon më 4 prill.
Fillimisht kandidati i vetëm ishte zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm Glauk Konjufca, i propozuar nga lëvizja qeverisëse Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti. Por ligji kërkon të paktën dy kandidatë që të fillojë procedura, njoftoi redaksia kosovare e Radio Evropa e Lirë /Radio Liberty.
Osmani propozoi të bëhen ndryshime kushtetuese që do të lejonin zgjedhjen e presidentit përmes votimit mbarëpopullor, dhe jo nga parlamenti, siç kërkohet aktualisht. Propozimi u hodh poshtë nga deputetët.
Qeveria vendosi të nominojë edhe një kandidat të dytë – Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, por opozita u largua nga salla dhe për shkak të mungesës së kuorumit mbledhja u ndërpre. Kryetarja e parlamentit Albulena Haxhiu njoftoi se i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese pezullimin e përkohshëm të afateve për zgjedhjen e një presidenti të ri.
Tani, nëse deputetët nuk zgjedhin një kreu shteti brenda 60 ditëve, vendi mund të kalojë në zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale.
Mustafa Çiftçi
FOTO: Reuters
Ankaraja është gati me plan në rast të një fluksi refugjatësh nga Irani
Ankaraja ka përgatitur plane reagimi në rast të një fluksi të mundshëm njerëzish që ikin nga lufta në Iran, njoftoi më 4 mars ministri i brendshëm Mustafa Çiftçi. Përgatitja përfshin mundësinë e krijimit të zonave tampon përgjatë kufirit dhe ndërtimin e kampeve me çadra, si dhe lejimin e hyrjes së njerëzve në Turqi në kushte të kontrolluara.
Sipas Çiftçit, Ankaraja ka përgatitur një kapacitet fillestar për strehimin e deri 90 000 personave në rast të një fluksi të papritur. Megjithatë ai sqaroi se për momentin nuk vërehet lëvizje e pazakontë nëpër tre pikat kufitare midis Turqisë dhe Iranit.
Sipas të dhënave të tij, rreth 5010 persona kanë hyrë në Turqi nga Irani midis 1 dhe 3 marsit, ndërsa 5495 persona kanë dalë.
Kiro Gligorov
FOTO: Reuters
Greqia kishte ofruar 100 milionë dollarë për ndryshimin e emrit të Maqedonisë
Në vitin 1992, Greqia i kishte propozuar presidentit të atëhershëm të Republikës së Maqedonisë Kiro Gligorov ndihmë financiare prej 100 milionë dollarësh për vendin në këmbim të ndryshimit të emrit të tij, por ai kishte refuzuar. Kjo thuhet në një dokument të deklasifikuar të CIA-s të datës 06.11.1992, i cituar nga Deutsche Welle, njoftoi BTA.
Në kujtimet e tij "Maqedonia është gjithçka që kemi", Gligorov nuk përmend një ofertë të tillë, por shkruan se ndërmjetës grekë personalisht i kishin ofruar 1 milion dollarë që të pranonte ndryshimin e emrit. CIA e përshkruan Gligorovin si “burrë shteti dhe reformator të respektuar”, që punon “për balancimin e forcave kundërshtuese në republikë dhe në të gjithë Gadishullin Ballkanik”, dhe si “dhelpër e vjetër e mençur”.
Kiro Gligorov është presidenti i parë i Republikës së Maqedonisë pas shpalljes së pavarësisë së saj në vitin 1991. Mosmarrëveshja për emrin me Greqinë zgjati për dekada dhe u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës në vitin 2017, kur vendi pranoi emrin Maqedonia e Veriut.
Panther KF51
FOTO: rheinmetall.com
Rheinmetall bleu 51% të kompanisë kroate Dok-Ing
Grupi teknologjik gjerman Rheinmetall bleu 51% të kompanisë kroate Dok-Ing. 49% e pronësisë së shoqërisë mbetet kroate, njoftuan të dyja firmat në një konferencë për shtyp në Zagreb. Vlera e marrëveshjes nuk u zbulua. Planet parashikojnë krijimin e një qendre kroate kompetence për sisteme ushtarake pa pilot dhe autonome. Partneriteti do të kombinojë platformat pa pilot të Dok-Ing me sistemet luftarake të Rheinmetall, përfshirë tankun Panther KF51. Produktet e reja do të synojnë tregun e NATO dhe shtetet partnere.
Dok-Ing ka furnizuar rreth 500 platforma për klientë në mbi 40 vende dhe është e njohur për sistemet pa pilot për çminim, të përdorura edhe në Ukraine. Rheinmetall, e themeluar në 1889, ka rreth 44 000 punonjës në afro 180 lokacione në mbarë botën.
FOTO: myzeqejaflet.wordpress.com
Një valle dyshe nga Myzeqeja hyri në listën e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë
Shqipëria zgjeroi listën e saj të trashëgimisë kulturore kombëtare jomateriale. Ndër elementet e reja janë vallja rituale “Vallja e Ngjalës”, vallja dyshe nga zona fushore Myzeqe në Shqipërinë Qendrore – Vallja Dyshe Myzeqare, kostumi popullor i grave nga rajoni Zadrima, prodhimi i kapelës tradicionale shqiptare prej shajaku dhe dantella e qepur me dorë. Këtë e njoftoi BTA-ja, duke iu referuar agjencisë shqiptare telegrafike (ATA).
Nga këto elemente të bukura tradicionale do t’ju prezantojmë vallen dyshe nga Myzeqeja. Ajo interpretohet nga dy burra me kostume tradicionale, nën shoqërimin e muzikës instrumentale. Koreografia përbëhet nga dy pjesë – një pjesë e parë më e moderuar, me një dridhje të lehtë karakteristike të trupit, dhe një e dytë më dinamike. Interpretimi sinkron i figurave demonstron mjeshtërinë dhe respektin e ndërsjellë të valltarëve. Ju propozojmë ta shijoni në videon e mëposhtme:
Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski