MUZIKË

Artikel

“Ylli i Detarit” – këngë për yllin udhërrëfyes të dashurisë

Premte, 6 Mars 2026, 20:05

Georgi Genkov (1929 – 2010)

Georgi Genkov (1929 – 2010)

FOTO: ubc-bg.com

Madhësia e shkronjave

Kompozitori Georgi Genkov (i lindur më 3 mars 1929) është ndër krijuesit më të shquar dhe më të rëndësishëm për kinemanë dhe teatrin bullgar në gjysmën e dytë të shekullit XX-të. Ai është autor i këngëve të mrekullueshme, krijoi muzikë për qindra shfaqje dhe filma dhe është fitues i shumë çmimeve në festivale prestigjioze.Studiuesit gjejnë në krijimtarinë e tij, veçanërisht në atë për fëmijë, “një estetikë shumë të rafinuar të tipit të Uajldit”. Kjo ndoshta lidhet më së shumti me miqësinë e ngushtë dhe bashkëpunimin me poetin dhe përkthyes madh Valeri Petrov. Muzikalët për fëmijë të kompozitorit Georgi Genkov, të krijuar mbi vargjet e poetit Valeri Petrovit, si edhe opera “Përralla e Bardhë”, mbeten ndër veprat më të mira të këtij zhanri të krijuara në vend.Megjithatë, pasioni i madh krijues i kompozitorit është kinemaja. Rreth dy dekada më parë, në një intervistë për gazetën “Kultura”, ai u shpreh:“Kur realizohet një film, njerëzit e ekipit shndërrohen në diçka si një familje. Vetë procesi i krijimit të filmit e mban vazhdimisht ekipin në një gjendje entuziazmi krijues. Dhe kjo nuk ndodh në asnjë art tjetër.”Genkov kompozoi muzikën për 52 filma artistikë, 120 filma të animuar, 26 filma me metrazh të shkurtër dhe 18 drama televizive. 

Mes tyre, filmi i heshtur artistik “Magjia e bardhë”, me skenar të poetit të madh Konstantin Pavllov, edhe më sot vazhdon të emocionojë imagjinatën me mungesën pothuajse të plotë të tekstit dhe me muzikën e mrekullueshme të Georgi Genkov.

Skenë nga filmi “Magjia e Bardhë” i regjisorit Ivan Andonov

FOTO: BNT

“Në gjithçka që krijoi… gjithmonë dallohet stili i tij, pavarësisht shumëllojshmërisë së stileve të dramaturgjisë mbi të cilën kompozonte” – thotë bashkëshortja e kompozitorit, regjisorja Bistra Atanasova. Ajo shton se dora krijuese e Genkovit shfaqet “në ndjenjën e tij të hollë për humorin, në ironinë e rafinuar, në poetikën e butë dhe delikate”. Sipas prof. Atanasova, kjo muzikë është një mesazh për shqisat e njeriut të ndjeshëm.

Gjatë gjithë jetës butësia, delikatesa dhe ndjeshmëria ishin ndër tiparet më karakteristike të vetë Georgi Genkovit, i cili, me modestinë e tij të njohur, rrëfen: “Prirjen time, jo aq të madhe për muzikë, e kam trashëguar nga nëna ime… Ajo e kaloi gjithë fëmijërinë e saj në Vjenë, ku mësoi piano… Më pas përfundoi konservatorin në Pragë. Pastaj u martua, lindi tre fëmijë dhe jeta e saj vazhdoi me trishtimin, se tashmë ishte vetëm një amvise. Edhe këtë e kam trashëguar prej saj – fëmijëria ime kaloi nën një ndjenjë melankolie…”.

Shkrimtarja Rada Moskova, mike e tij e ngushtë, kujton: “Jetonte në lagjen “Llozenec”, në një shtëpi të vjetër, gjysmë e mbushur nga një piano e madhe, në shoqërinë e qetë të disa maceve, të cilat merrnin me solemnitet vendin e tyre në karriget me tapiceri mëndafshi të grisur. Ato ishin trashëgimi nga nëna e tij… Nga ajo i kishte mbetur shikimi i kaltër dhe melankolia e fshehur e melodive të tij. Në ta gjeja një nostalgji të ndritshme dhe një miqësi me sy të kaltër – kujtesë e intonacioneve nga ajo pjesë e jetës së tij – pa qenë kurrë e imponuar, por gjithmonë e njohur!”

Llada Bojaxhieva (1927–1988)

FOTO: jeni-bg-kino.com

Ngjyra e kaltër dhe melankolia e fshehur tingëllojnë edhe në kryeveprën e sotëm të kulturës muzikore bullgare – “Ylli i Detarit” i Georgi Genkovit, mbi vargjet e poetit, dramaturg dhe përkthyes të mrekullueshëm bullgar, Ivan Teofilov (një tjetër mik shumë i afërt i kompozitorit). Kënga është pjesë e soundtrack-ut të filmit “Viza për Oqeanin” nga viti 1975, i realizuar nga Llada Bojaxhieva (1927–1988) – regjisorja e parë në kinemanë dokumentare bullgare. Bojaxhieva është autore e 54 filmave dokumentarë, shkencorë, mësimorë dhe reklamë. Që nga viti 1965 punon në Studion e Filmit Artistik “Bojana”. Filmi artistik “Kthimi”, i realizuar bashkë me bashkëshortin e saj, regjisorin Janush Vazov, në vitin 1967, nuk doli në ekran deri në vitin 1989. Ai u ndalua nga censura, sepse për herë të parë në kinemanë bullgare përmendeshin kampet sovjetike gjatë kohës së Stalinit.

Në vitet 1972 dhe 1974, Llada Bojaxhieva realizoi vetë dy filma artistikë – “Era e Udhëtimeve” dhe “Viza për Oqeanin”. Ky i fundit është një dramë romantike që përshkruan fatin e dy personave – një detar me përvojë të gjatë dhe gruan e tij, e cila e pret në bregun e detit në Lagos (Nigeri).

Skenë nga filmi “Vizë për Oqeanin”

FOTO: bnf.bg

Gruaja e pavarur dhe ambicioze e personazhit nuk dëshiron të jetojë në pritje të vazhdueshme. Takimi i tyre zbardh keqkuptimet dhe kundërshtitë të grumbulluara me vite. Por të dy mbeten besnikë ndaj vetes: ai ndaj lidhjes së tij me profesionin detar, ajo ndaj dëshirës për lumturi, ku nuk ka vend për kompromis. Një dashuri ikën. Detarët nisen përsëri në udhëtim. Tingëllon një këngë për dashurinë që shkëlqen në oqean si një yll udhërrëfyes i përjetshëm. Interpretuesi i saj është Asen Kisimov, i cili me intonacionet e tij natyrale dhe zërin prekës e kthen këtë miniaturë të thjeshtë në një performancë të fuqishme artistike. Kënga për yllin e detarit ka edhe një variant me orkestër, por veçanërisht prekëse është me shoqërimin e thjeshtë të kitarës nga Bojan Haxhiev.

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova