Autor
Darina Grigorova
Artikull
Martë 10 Mars 2026 07:00
Martë, 10 Mars 2026, 07:00
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Më shumë se 20 vjet në Bullgari i hedhim veçmas qelqin, letrën dhe metalin, por a arrijmë vërtet ta bëjmë këtë në mënyrën më racionale dhe ekonomike. Me miratimin e Ligjit të parë për menaxhimin e mbetjeve në vitin 2003 u krijuan edhe organizatat e para për përpunimin dhe shfrytëzimin e tyre, ndërsa nga viti 2005 filloi vendosja e kontejnerëve për grumbullimin e tyre të ndarë. Në të njëjtën kohë, megjithatë, çështja e sistemit të depozitës duket sikur rrotullohet në vend. Cila është arsyeja? Sipas Danita Zariçinova, eksperte në ekipin “Mbetje Zero” të Shoqatës “Për Tokën”, shumë varet se kush është ministër i mjedisit dhe ujërave dhe nëse ai e vendos këtë temë ndër prioritetet e tij. Kohët e fundit ministrat e mjedisit ndryshohen shpesh dhe puna e grupeve të krijuara të punës çdo herë fillon nga e para dhe nuk arrihet deri te një vendim. Kështu, në vend që të përdorim shumë herë shishet dhe kavanozët e qelqtë, ato shkojnë drejtpërdrejt në kontejnerin për qelq, ndërsa në rastin më të keq – te mbeturinat shtëpiake.
Danita Zariçinova
FOTO: Facebook/ Danita Zariçinova
“Tani përsëri ka deklarim se do të mblidhet grupi i punës – vëren Danita Zariçinova. – Shoqata jonë ekologjike ‘Për Tokën’ gjithashtu është pjesë e tij, por shohim se ndonjëherë dalin në plan të parë më shumë interesat e personave të caktuar, sesa ajo që është e mirë për shtetin. Konkretisht për sistemin e depozitës (kthimi i shisheve dhe kanaçeve prej alumini të pijeve në dyqan kundrejt një depozite të lënë gjatë blerjes së tyre) në parlament jo shumë kohë më parë u paraqit një projekt-ligj. Në të propozohet që shteti të jetë operator dhe ta menaxhojë atë, gjë që në përgjithësi nuk është një qasje e mirë. Ai duhet të jetë rregullator dhe të gjitha shtetet e tjera që e kanë futur këtë sistem depozite tregojnë se kur biznesi e menaxhon, ai funksionon në mënyrë efikase dhe nuk ka nevojë që shteti të ndërhyjë si operator.”
Në grumbullimin e ndarë, për shembull, marrin pjesë operatorë të ndryshëm, por aty lind një problem tjetër – të ardhurat kryesore të kompanive që mbledhin mbetjet vijnë nga të ashtuquajturat ekotaksa për prodhuesit e ambalazheve:
FOTO: BTA
“Për çdo një ambalazh në treg ata paguajnë një shumë të caktuar te këto organizata, të cilat vendosin kontejnerët me ngjyra – shpjegon Danita Zariçinova. – Në praktikë organizatat në fjalë nuk janë mjaftueshëm të motivuara të mbledhin mbetjet e riciklueshme dhe të fitojnë prej tyre, sepse të ardhurat e tyre vijnë në një mënyrë tjetër dhe kjo reflektohet drejtpërdrejt tek ne, qytetarët. Shohim se jo kudo ka kontejner me ngjyra. Ka edhe lagje në qytetet më të mëdha ku fare nuk ka kontejnerë. Për të mos folur për komunat më të vogla, ku ka vendbanime të tëra pa asnjë grumbullim të ndarë. Ka vende me turizëm sezonal, i cili është në muaj të caktuar dhe atje nuk mund të provojnë se kanë shumë ambalazhe. Kështu mbeten pa grumbullim të ndarë dhe këto ambalazhe shkojnë në depo ose edhe më keq – për djegie ose në lumë, përgjatë rrugëve…”
FOTO: BTA
Sipas fjalëve të Danita Zariçinova, këto organizata e kryejnë punën e tyre mjaftueshëm në mënyrë efikase, por problemi është se shteti nuk e vendos të ashtuquajturin sistem sipas parimit ndotësi paguan për sasinë që hedh. Sipas të dhënave të Eurostat nga viti 2016, 36,4 % e mbetjeve në vendin tonë janë ndërtimore, 25,3 % nga industria nxjerrëse, 10 % – nga prodhimet dhe 8,5 % – nga familjet, por mungon një qasje e diferencuar në tarifim:
FOTO: zazemiata.org
“Unë merrem me mbetje prej më shumë se 12 vitesh – thekson ekspertja. – Që kur kam filluar punën flitet se do të vendoset një taksë e re për mbeturinat dhe ende nuk është vendosur. Përsëri për shkak të interesave të ndryshme dhe për shkak të motivimit të pamjaftueshëm nga ana e institucioneve. Dhe nëse vendoset, dhe pikërisht ashtu siç duhet, njerëzit do të kuptojnë se mund të ndajnë më shumë për riciklim, të klasifikojnë mbetjet biodegraduese që mund të kompostohen dhe kështu të hedhim shumë më pak sasi mbetjesh. Por tani taksa për mbetjet shtëpiake është në bazë të vlerës tatimore të pronës, gjë që është absurde dhe nuk ka asgjë të përbashkët me mbetjet. Një person i vetëm, në një apartament më të shtrenjtë, paguan më shumë se një familje me pesë anëtarë, e cila për shembull nuk dëshiron t’i ndajë mbetjet e saj.”
Danita Zariçinova është eksperte e jashtme pranë komisionit përkatës në Këshillin Bashkiak të Sofjes për temat që lidhen me mbetjet dhe ndotjen. Ajo merr pjesë aktive në fushata kundër përdorimit njëpërdorimësh të plastikës dhe nxit kompostimin. Gjithashtu ndihmon për ndryshime në legjislacion në lidhje me vlerësimin e detyrueshëm ekologjik për çdo instalacion për djegien e mbetjeve. Për veprimtarinë e saj aktive në mbrojtjen e natyrës, në vitin 2020 ajo merr çmimin “Aktivisti i Vitit”.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski