LAJME

Artikull

Ilijana Jotova nderoi shpëtimtarët e hebrenjve bullgarë

Martë, 10 Mars 2026, 10:54

Ilijana Jotova nderoi shpëtimtarët e hebrenjve bullgarë

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Presidentja Ilijana Jotova vendosi një kurorë me lule pranë pllakave përkujtimore të shpëtimtarëve të hebrenjve bullgarë, pranë bazilikës “Shën Sofia” në kryeqytet. Më vonë, përpara Monumentit të Shpëtimit në kopshtin “Shën Kliment Ohridski”, kreu i shtetit mbajti një fjalim. Kurora me lule u vendosën gjithashtu në emër të ministrit të përkohshëm të mbrojtjes Atanas Zaprjanov, shefit të mbrojtjes admiral Emill Eftimov dhe grupit parlamentar të “BSP – E majta e bashkuar”. Në ceremoni morën pjesë deputetë, përfaqësues të komunitetit hebre dhe qytetarë.


FOTO: BTA

Sot përkujtojmë Ditën e shpëtimit të hebrenjve bullgarë, si dhe viktimat e Holokaustit dhe të krimeve kundër njerëzimit. Në këtë datë në vitin 1943, nënkryetari i Legjislaturës së 25-të të Kuvendit Popullor Dimitër Peshev, i mbështetur nga 43 deputetë, i dërgoi një mesazh kryeministrit kundër deportimit të hebrenjve bullgarë. Falë veprimeve aktive të Mitropolitit të Plovdivit Kirill dhe Ekzarkut të Sofjes Stefan, si dhe ndërhyrjes së opinionit publik, nga deportimi u shpëtuan rreth 50 mijë hebrenj bullgarë.

“Çdo vit, më 10 mars, vijmë pranë këtij monumenti për t’u përkulur para viktimave të Holokaustit dhe për të deklaruar pa u lodhur – kurrë më”, tha kreu i shtetit përpara Monumentit të Shpëtimit në kopshtin “Shën Kliment Ohridski”. Në fjalimin e saj ajo kujtoi se para 83 vitesh Kisha Ortodokse Bullgare, klerikë, politikanë, personalitete publike dhe njerëz të zakonshëm treguan solidaritet, ndjeshmëri dhe dashuri për tjetrin dhe nuk lejuan që rreth 50 mijë hebrenj bullgarë të dërgoheshin drejt kampeve të vdekjes. Ilijana Jotova citoi fjalët e profesor Mihael Benzoar: “Bullgaria tregoi se një David i vogël mund ta mposhtë një Goliat të madh, kur bëhet fjalë për shpëtimin e njerëzve”. “Çfarë përfaqëson dita e sotme, nëse e krahasojmë me këtë histori të para 83 viteve? A kemi arritur ta mposhtim urrejtjen dhe mohimin? Fatkeqësisht, përfundimi ynë është i trishtueshëm”, theksoi presidentja, duke shtuar se bota edhe një herë është e përçarë nga urrejtja, ndarjet dhe kundërshtitë dhe sikur nuk i kujton mësimet e së kaluarës. Sipas Ilijana Jotovës, përgjegjësia jonë e madhe është të përballemi drejtpërdrejt me urrejtjen, kudo që ajo shfaqet.

Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova