Autor
Gergana Mançeva
Artikull
Martë 10 Mars 2026 15:55
Martë, 10 Mars 2026, 15:55
FOTO: Pixabay
Madhësia e shkronjave
Lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit hyri në ditën e dhjetë dhe nuk tregon shenja lehtësimi, gjë që çon në më shumë pasiguri në tregjet e energjisë dhe shton presionin inflacionist. Arsyeja është se furnizimet me gaz natyror dhe naftë nga Kuvajti dhe vendet e Gjirit Persik u reduktuan ndjeshëm. Gjithnjë e më shumë prodhues të mëdhenj nga Lindja e Mesme po kufizojnë prodhimin e lëndëve të para energjetike, ndërsa rruga ujore midis Gadishullit Arabik dhe pjesës kontinentale të Azisë Perëndimore - Gjiri i Hormuzit, është praktikisht i mbyllur nga Irani.
Lufta në përshkallëzim në Lindjen e Mesme tronditi tregjet e energjisë dhe shkaktoi shqetësime për ndërprerje të zgjatura të furnizimeve. Një provë bindëse për këtë erdhi me hapjen e bursave të hënën, më 9 mars 2026, kur kontratat e së ardhmes për gazin natyror në Evropë u rritën me plot 30% dhe arritën mbi 69 euro për megavat-orë. Ky është niveli më i lartë që nga fillimi i vitit 2023 dhe tregon se kriza po thellohet, pasi javën e kaluar tregtarët raportuan një rritje të çmimeve të gazit prej 67%.
Terminali i gazit natyror të lëngshëm në Aleksandrupolis
FOTO: bulgartransgaz.bg
Tregjet e gazit në Evropë janë në një gjendje më të dobët, pasi dimri po mbaron me rezervat e gazit mjaft të shterura në depot e BE-së. Kjo do të thotë se do të duhet të blihen sasi më të mëdha të gazit të lëngshëm natyror për t’u rimbushur rezervat. Nga ana tjetër, javën e kaluar Rusia kërcënoi se do të mendojë ndalimin e eksportit të gazit natyror për Evropën. Konkurrenca për furnizimet nga Lindja e Mesme po thellohet edhe për shkak të interesit të vendeve si Kina, India dhe Japonia ndaj sasive të kufizuara prej atje – raportojnë vëzhguesit e tendencave globale të energjisë.
“Edhe tek ne do të ndikojë rritja e çmimit të gazit, por jo aq shumë sa në vende të tjera, të varura nga importi i gazit natyror, si për industrinë, ashtu edhe për konsumatorët e zakonshëm” – tha në një intervistë për Radio Bullgarinë ekonomisti dhe financier bullgar, Rumen Gëllëbinov.
Rumen Gëllëbinov
FOTO: BNR
“Që nga fillimi i këtij viti Bullgaria është pjesë e eurozonës dhe krahasohet me vendet e tjera në të. Për vitin 2026, Komisioni Evropian planifikonte reforma ambicioze strukturore në ekonomitë e vendeve të BE-së dhe të eurozonës. Qëllimi ishte të kalohej drejt një rritjeje ekonomike pak më intensive në Evropë dhe të rritej konkurrueshmëria e ekonomive evropiane, në mënyrë të krahasueshme me ekonominë amerikane dhe me ekonomitë aziatike. Kjo ishte mjaft e qartë dhe e programuar mirë, por 10 ditët e fundit e ndryshuan disi fokusin. Ai po zhvendoset drejt situatës së ndërlikuar ndërkombëtare dhe konflikteve ushtarake, kryesisht në Iran, por edhe te lufta në Ukrainë, e cila fatkeqësisht ende nuk ka përfunduar. Nga këta dy faktorë rrjedhin pasoja për tregjet ndërkombëtare. Ato reaguan veçanërisht ndaj konfliktit në Iran gjatë ditëve të fundit, në drejtim të rritjes së çmimeve të naftës së papërpunuar. Për shembull, lloji “Brent” tashmë tregtohet në mënyrë të qëndrueshme mbi 80 dollarë për fuçi. Ndërsa kontratat për gazin natyror janë pothuajse në nivel dyfish më të lartë se ai i muajit të kaluar. Dhe nëse veprimet ushtarake vazhdojnë më gjatë, kjo do të ndikojë jo vetëm në Evropë, por edhe në ekonomitë aziatike. Ato janë në një pozitë më të pafavorshme – për shembull Kina, India dhe Koreja e Jugut, që janë ndër vendet kryesore në këtë rajon, gjithashtu do të përballen me vështirësi.”
FOTO: BTA
Zgjatja e veprimeve ushtarake rrezikon të sjellë pasoja të ngjashme me ato të luftës në Ukrainë. Nga këndvështrimi i tregtisë globale, ky konflikt do të ketë ndikim edhe mbi ekonominë amerikane. Pritet gjithashtu një rritje më e madhe e çmimeve të benzinës dhe naftës.Kontratat e së ardhmes për naftën dhe gazin natyror tregojnë një tendencë rritjeje, e cila pritet të reflektohet në çmime në 3 deri në 6 muajt e ardhshëm – parashikon eksperti. “Për shkak të rritjes së çmimeve të gazit natyror, ka të ngjarë që në të ardhmen të rriten edhe çmimet e energjisë elektrike, veçanërisht në vendet e BE-së që mbështeten kryesisht në termocentrale me gaz, për shembull Italia. Kjo krizë mund të ndikojë edhe në çmimet e energjisë elektrike që Bullgaria importon nga Greqia, sepse atje kapacitetet me qymyr u zëvendësuan gradualisht me ato me gaz” – shton edhe Rumen Gëllëbinov.
“Bullgaria në përzierjen e saj energjetike ka kapacitete balancuese, për shembull për energjinë elektrike, të cilat mund të kompensojnë këto rritje të çmimit të gazit – përmes një balance nga burimet e rinovueshme të energjisë, nga energjia bërthamore dhe nga importi. Kjo duhet të menaxhohet mirë. Nga pikëpamja e importit të naftës së papërpunuar, vendi ynë gjithashtu ka mundësi të balancojë përmes importit të naftës nga rajoni i Detit të Zi. Pra, të përdorë jo vetëm naftë arabe, por edhe burime të tjera. Ndërprerja e furnizimeve me gaz natyror të lëngshëm nga Katari për Bullgarinë ka një ndikim më periferik.Megjithatë, efekti i krizës do të ndihet edhe tek ne – në mënyrë graduale dhe të pashmangshme do të pasojë një rritje e inflacionit. Deri tani inflacioni po lëvizte në mënyrë të favorshme gjatë tremujorit të parë të vitit, por efekti i luftës do të vërehet më vonë. Tremujori i parë ndoshta do të jetë nën vlerën referente prej 2% që ndjek Banka Qendrore Evropiane. Por më pas është e vështirë të parashikohet se si do të zhvillohen gjërat.”
Sindikatat që monitorojnë çmimet në Bullgari raportojnë një rritje prej 13% në shitjen me pakicë të karburanteve në pikat e karburantit. “Lidhja matematikore është e qartë – një rritje prej 10% e çmimeve të karburanteve çon në një rritje prej 1% të inflacionit” – thotë Atanas Kacarçev, kryeekonomist i Konfederatës së Punës “Podkrepa”.
Atanas Kacarçev
FOTO: Stefan Kunçev
“Tani mund të presim qetësisht që çmimet të fillojnë të rriten, duke pasur parasysh se nuk ka buxhet, dhe kjo paraqet një pasiguri shtesë për vendin e Bullgarisë në këtë konflikt dhe për sinjalet që japin politikanët tanë. Nëse ne, si një shtet i vogël, nuk mund të mbështetemi te furnizime të rregullta me naftë, cilat janë planet rezervë të qeverisë dhe si do të veprojë ajo? Shqetësimi është se ky konflikt mund të mos përfundojë shpejt. Pasojat janë të paqarta, por me siguri edhe ne do të jemi të prekur dhe duhet të përgatitemi. Pyetja është se si do të mbrohen të ardhurat e njerëzve nga rritja e inflacionit, dhe kjo do të ndodhë shpejt, sepse çmimet në pikat e karburantit tashmë po rriten. Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit filloi kontrolle, kështu që nuk na presin ditë të lehta. Më shumë pritet që qeveria dhe Parlamenti të merren me këtë çështje, por duket se ata kanë një axhendë tjetër.”
Në fushën e prodhimit, ndryshimi i çmimeve të karburanteve pasqyrohet pothuajse menjëherë te produktet e nevojës së parë. “Tani çmimet e produkteve bujqësore do të rriten përsëri, dhe me siguri kjo do të ndikoje edhe te konsumatorët, sepse kjo është jeta e përditshme – nuk mund të bëjmë pa blerë ushqime. Prandaj, së pari duhet të mendohet se si do të reagojë qeveria në detyrë. Duhet të ndërmerren veprime të shpejta për t’iu përgjigjur krizës” – apelon kryeekonomisti i i Konfederatës së Punës “Podkrepa”.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova