Artikull
Enjte 12 Mars 2026 15:53
Enjte, 12 Mars 2026, 15:53
Ambasadorja kineze Dai Qinl
FOTO: Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Bullgari
Madhësia e shkronjave
Diplomacia duhet të marrë një mundësi për të zgjidhur konfliktin ushtarak në Lindjen e Mesme, deklaroi ambasadorja e Kinës në Bullgari, Dai Qinli, në një intervistë për Radio Bullgarinë. Sipas saj, përdorimi i forcës mund të duket si një zgjidhje e shpejtë, por gjithmonë krijon më shumë probleme. Kina është e shqetësuar jo vetëm për koston e tmerrshme njerëzore, por edhe për pasojat ekonomike të situatës rreth Iranit. “Tashmë po shohim një rritje të mprehtë të çmimeve të naftës, por edhe më e rëndësishme është se po vërejmë pasoja gjithnjë e më serioze për rendin ndërkombëtar të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore”, theksoi ambasadorja. Ajo shtoi se po bëhemi dëshmitarë se si forca po shndërrohet në të drejtë dhe se bota po kthehet gradualisht drejt të ashtuquajturit “ligji i xhunglës”.
Një i dërguar i posaçëm kinez për Lindjen e Mesme do të vizitojë së shpejti rajonin për të filluar një raund të ri konsultimesh diplomatike, njoftoi Dai Qinli. Ministri i jashtëm Wang Yi tashmë ka biseduar me tetë homologë të tij nga rajoni dhe nga Evropa.
Sipas diplomates, është e vështirë t’i jepet përgjigje pyetjes nëse kriza në Lindjen e Mesme mund të zgjidhet deri në vizitën e Donald Trump në Kinë në fund të marsit. “Në këtë fazë është shumë e vështirë të bëhen parashikime; është e qartë se shumë varet nga vendimet e Shteteve të Bashkuara”, tha Dai Qinli.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova