Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Premte 13 Mars 2026 17:25
Premte, 13 Mars 2026, 17:25
FOTO: marchmusicdays.bg
Madhësia e shkronjave
Më 13 mars fillon edicioni i 65-të i Festivalit Ndërkombëtar “Ditët Muzikore të Marsit” në Ruse. Një nga ngjarjet më prestigjioze në kalendarin kulturor të Bullgarisë prej dekadash gëzon banorët dhe mysafirët e qytetit të bukur buzë Danubit, i quajtur “Vjena e Vogël” për shkak të ndërtesave të shumta me arkitekturë madhështore.
FOTO: marchmusicdays.bg
Edhe këtë vit programi i festave muzikore është i pasur: premierë opere, gjashtë koncerte simfonike, një seri “tundimesh kamertale për melomanët” dhe pesë ekspozita. Publiku pret me padurim paraqitjet e solistëve dhe ansambleve kryesore nga Bullgaria dhe jashtë saj, ndër të cilët Orkestra Kombëtare Rumune, Filarmonia e Sofjes, kuarteti i harqeve “Jerusalem”, kuarteti i saksofonëve “Signum” dhe ansambli i famshëm vokal VOCES8 Scholars.
Hapja e festivalit i është besuar Orkestrës Festivalore, e cila këtë vit përfshin 80 muzikantë nga 19 shtete – ish-nxënës të Shkollës Kombëtare të Arteve “Prof. Veselin Stojanov” në Ruse.
Marija Dukanova
FOTO: Facebook/ Marija Dukanova
Për Radio Bullgarinë, Marija Dukanova – muzikologe, pedagoge për shumë vite në NUI “Prof. Veselin Stojanov” dhe pothuajse tri dekada drejtoreshë e saj – rrëfen historinë e këtij ansambli fenomenal, emri i vërtetë dhe marka e të cilit është Orkestra Festivalore e Ruses. Ajo u krijua në vitin 2010 me synimin që vetëm një herë të mblidheshin nxënës nga breza të ndryshëm të Shkollës Muzikore nga e gjithë bota dhe të shënohej 50-vjetori i shkollës së tyre. “Ideja ishte e imja, përgatitja na mori të paktën dy vjet që të gjenim të gjithë ish-nxënësit tanë në të gjitha anët e botës. Por doli se kjo është një orkestër në të cilën mblidhen jo vetëm muzikantë, por miq dhe njerëz me mendime të përbashkëta. Energjia rrjedh krejt ndryshe se në çdo orkestër tjetër. Dhe me dëshirën e vetë orkestrantëve bëmë edhe edicionin tjetër në vitin 2015, pra për 55-vjetorin e shkollës.”
Që nga 2017, Orkestra Festivalore merr pjesë në çdo edicion të “Ditëve Muzikore të Marsit”. Solistë në koncertet e saj kanë qenë ish-nxënës të shquar të shkollës në Ruse.
U krijua një katalog i të gjithë të diplomuarve sipas specialiteteve, u gjetën adresat e tyre elektronike dhe u dërguan ftesa. “Pothuajse menjëherë filluan konfirmimet. Ish-nxënësit tanë shkruanin se kjo ishte një ide e mrekullueshme dhe se do të vinin patjetër për të qenë së bashku në një skenë.”
FOTO: marchmusicdays.bg
Në përbërjen e parë të orkestrës morën pjesë ish-nxënës të shkollës muzikore të Ruses nga e gjithë Bullgaria dhe nga Gjermania, Austria, Hollanda, Irlanda, Ishujt Kanarie, Egjipti, Argjentina dhe SHBA-ja. Anëtare e përhershme e orkestrës është Tsvetelina Krësteva, koncertmaestre e Orkestrës Simfonike të Kajros. Për çdo paraqitje në Ruse vijnë edhe fagotisti Ljubo Minkov nga Filarmonia e Dublinit dhe Svetlin Dojçinov, oboisti i parë i Orkestrës Simfonike të Radios së Këlnit (WDR).
Pjesëmarrësit më të shumtë janë nga Gjermania.
FOTO: marchmusicdays.bg
“Ka diçka në ajrin e Ruses, ose në shkollë, që u ka dhënë vërtet hapat e parë – festivali, shkolla dhe qyteti… jo vetëm hapat e parë, por edhe të ardhmen dhe realizimin e tyre. Në dy edicione askush nuk ngriti çështjen e pagesës, madje as solistët dhe as maestroja. Ka një emocion të veçantë. Ai ndihet edhe gjatë vetë koncertit – midis skenës dhe publikut. Ajri në sallë është thjesht ndryshe kur kjo orkestër luan.”
Orkestra me të vërtetë nuk ka analog.
FOTO: marchmusicdays.bg
“Nuk mendoj se do të tingëllojë si mburrje – në Bullgari është e qartë se nuk ka një të tillë, por mendoj se pothuajse nuk ka as në botë. Ka mijëra orkestra festivalore, por ato janë të përkohshme për një edicion të festivalit. Një orkestër që përbëhet çdo herë 90% nga ish-nxënës të së njëjtës shkollë dhe ekziston tashmë 16 vjet – ky është një projekt i qëndrueshëm.”
FOTO: marchmusicdays.bg
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski