Autor
Gergana Mançeva
Artikull
Martë 17 Mars 2026 07:00
Martë, 17 Mars 2026, 07:00
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Një qilim nga shekulli XVII, i endur në Çiprovci me shumë ngjyra dhe ornamente të tipit “Bakam” – “Garibalda”, është zbuluar pas një kërkimi trevjeçar në qytetin Arbanasi, pranë Veliko Tërnovos. Ai ka qenë pronë e priftit Mihajllov nga qyteti i vogël dhe është ruajtur si relike familjare në shtëpinë e trashëgimtarëve të tij. Me gjasë ky është një nga qilimat më të vjetër të ruajtur në Bullgari dhe tani është pjesë e koleksionit të hollandezit Jaap van Beelen. Fondacioni i krijuar prej tij “Qilimi Bullgar” synon t’i njohë bullgarët, brenda dhe jashtë vendit, me trashëgiminë kulturore jomateriale të ruajtur përmes ngjyrave, ornamenteve dhe thurjeve të qilimave të vjetër bullgarë. Qilimin më të vjetër të ruajtur, si dhe disa ekzemplarë të tjerë të çmuar që mbajnë dorëshkrimin e mjeshtreve të vjetra endëse, z. van Beelen i paraqiti në një ngjarje të veçantë në Muzeun Kombëtar Etnografik të Institutit për Etnografi dhe Folkloristikë pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.
FOTO: BTA
Koleksioni i qilimave të vjetër bullgarë i hollandezit, i cili prej vitesh jeton në Bullgari, tejkalon 1000 ekzemplarë – nga rajone të ndryshme etnografike, madje edhe nga ato që sot janë jashtë kufijve të vendit. Një pjesë e ekzemplarëve do të analizohen, do të datohen dhe për herë të parë do të studiohen për origjinën e tyre nga specialistët e Institutit Etnografik të Akademisë Bullgare të Shkencave. Ky është një hap i domosdoshëm për të krijuar një muze të qilimit bullgar të endur me dorë.
FOTO: BTA
Përveç qilimit unik çiprovci nga shekulli XVII, në rrëfimin e tij për qilimat Jaap van Beelen paraqiti edhe katër ekzemplarë autentikë nga Piroti, Çiprovci, Koteli dhe Deliormani, të datuar nga shekujt XVIII dhe XIX. Ata janë blerë prej tij nga koleksione në Florida, Hong Kong, Australi dhe më pas janë kthyer në Bullgari.
FOTO: BTA
“Është e vështirë të ekspozohen kaq shumë qilima, por për ekspozitat gjithmonë kam bërë përzgjedhje sipas konceptit dhe publikut që vjen – ndau koleksionisti për Radio Bullgarinë. – Nuk dua vetëm t’i vendos qilimat, por dua të them diçka përmes tyre. Dhe çdo herë është ndryshe. Por po, ekspozita ime e parë jashtë vendit ishte në Paris – në Qendrën Kulturore Bullgare. Atje ku ka komunitet bullgar interesi është shumë i madh. Konkretisht tani po punojmë për paraqitjen e një pjese të qilimave në Hollandë dhe ndoshta në Poloni, në Qendrën Kulturore Bullgare gjatë këtij viti. Ka interes për qilimin bullgar edhe në Kinë dhe në Japoni, prandaj do t’i tregojmë edhe atje. Ekspozitat nëpër botë janë të drejtuara kryesisht për publik të huaj – qilimi të jetë si një kartë vizite nga Bullgaria, ashtu siç janë interpretimet e këngëtarëve dhe koreve bullgare në turne jashtë vendit.”
FOTO: BTA
Në Veliko Tërnovo, në hanin “Haxhi Nikoli”, ka një ekspozitë të përhershme të qilimave nga koleksioni i Jakob van Beilen.
FOTO: Gergana Mançeva
“Ne bëjmë ekspozita dhe marrim pjesë në ekspozita që të mund t’i paraqesim qilimat, sepse ideja nuk është që si koleksionistë t’i mbështjellim dhe të qëndrojnë diku në depo, por përkundrazi – të jenë në vëmendjen e njerëzve, të jenë të arritshëm. Sepse ata janë jashtëzakonisht të bukur, mbartin energjinë e jashtëzakonshme të mjeshtërve që i kanë endur. Rruga drejt krijimit të një muzeu të veçantë është shumë e gjatë, prandaj ne ecim hap pas hapi drejt kësaj etape. Njeriu duhet ta shohë këtë grumbull qilimash që të kuptojë çfarë geni zotëron populli bullgar. Çfarë ndjenje për estetikë, për bukuri, për harmoni kanë pasur njerëzit që e kanë krijuar këtë art. Këto janë ekzemplarë shumë të bukur dhe duhet të krenohemi si bullgarë që kemi zanate dhe vlera të tilla kulturore.”
FOTO: BTA
Drejtoresha e Institutit Etnografik me muze pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, doc. Milla Maeva, theksoi punën e madhe që Jakob van Beilen ka bërë në lidhje me kërkimin dhe identifikimin e ekzemplarëve nga koleksioni. “Mendoj se në Bullgari njerëz si ai, të cilët i janë përkushtuar kauzës për të kërkuar dhe ruajtur trashëgiminë kulturore bullgare, janë shumë të rëndësishëm, pavarësisht se edhe sot kemi mjaft studiues në institute” – theksoi ajo për Radio Bullgarinë:
FOTO: Gergana Mançeva
“Me kufijtë e hapur ai ka mundësi të udhëtojë, të takohet me koleksionistë të ndryshëm dhe vërtet të kthejë në vend ekzemplarë të harruar, për të cilët ne si studiues dimë madje shumë pak. Vetë ideja për të rregulluar një muze të qilimit bullgar është shumë e bukur. Bullgaria ka një muze të tillë në Sliven, por ai është më shumë për prodhimin industrial, ndërsa për qilimtarinë tradicionale bullgare, qilimin që tradicionalisht njihet në tokat bullgare që nga shekujt 17–18, është diçka që nuk është paraqitur deri tani. Ne si Institut mund të ndihmojmë me identifikimin e vlerave kulturore të këtyre qilimave. Ky është një proces i gjatë, në të cilin kolegët do të njihen me historinë e qilimit, do të bëjnë analiza, krahasime, do të krahasojnë me atë që kemi në sallat tona, që të mund të vendosim cilët prej tyre janë vërtet vlera kulturore. Kolegët do të kenë mundësi edhe ta popullarizojnë këtë koleksion në rrethet shkencore. Për mua qilimat çiprovci janë veçanërisht të çmuar, për shkak të vetë teknikës që përdoret gjatë endjes. Ata janë më shumëngjyrësh dhe më të ndritshëm në gamën e kuqe. Ka një lehtësi në punimin e tyre, pamja e tyre sjell një gëzim të shpirtit dhe një dritë që qilimat nga ky rajon rrezatojnë. Shpeshherë njerëzit që vijnë nga Çiprovci e lidhin identitetin e tyre me prodhimin e qilimave. Në studimet e mia në terren në Angli kam punuar me bullgarët atje dhe një grua nga Çiprovci më dhuroi një qilim të vogël çiprovci si simbol të lidhjes së saj me atdheun. Kështu që bullgarët, kudo që janë në botë, mbajnë identitetin e tyre lokal, në këtë rast qilimat.”
FOTO: BTA
Sot në vendin tonë kanë mbetur jo më shumë se 50 mjeshtre qilimash që vazhdojnë traditën kryesisht në Kotel, Çiprovci, Sliven dhe Sofje. Ky zanat po shuhet dhe pikërisht për këtë arsye ai duhet të studiohet mirë, të përshkruhet dhe të ruhet, që të mos zhduken përgjithmonë sekretet e mjeshtërve të vjetër bullgarë në ngjyrosjen e fijeve dhe ndërthurjen e tyre. Kjo është një nga detyrat me të cilat është marrë edhe i shpërnguluri nga Hollanda.
FOTO: Gergana Mançeva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski