Seksion
Zgjedhjet parlamentare - 19 prill 2026
Bullgaria përpara zgjedhjeve të reja të parakohshme
Mendimi i qytetarëve të Varnës
Martë 17 Mars 2026 20:00
Martë, 17 Mars 2026, 20:00
FOTO: Bashkia Varna
Madhësia e shkronjave
Në vitin 2025 qytetarët bullgarë patën mundësinë të marrin pak frymë pas 7 votimeve parlamentare që nga viti 2021, por pranvera e vitit 2026 na vë sërish përballë një tjetër zgjedhjeje të parakohshme për përbërjen e Kuvendit Popullor. “Përsëri po presim një shpëtimtar. Këtë herë, megjithatë, është një javë pas Pashkëve. Është e rëndësishme që bullgarët të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre”, komentoi një banore e Varnës për korrespondenten e BNR-së në kryeqytetin tonë detar, Daniella Stojnova, e cila bisedoi me qytetarë në lidhje me zgjedhjet e radhës të parakohshme parlamentare më 19 prill.
“Shumica e njerëzve në rrugët e Varnës janë optimistë – ata mendojnë se pjesëmarrja në votime do të jetë më e madhe. Ata duan të mos ketë korrupsion dhe oligarkë. Të rinjtë janë më pozitivë, me përjashtim të një maturanti të klasës së dymbëdhjetë, i cili është i vendosur të kërkojë fatin e tij jashtë vendit”, konstaton reporterja Daniella Stojnova.
FOTO: Bashkia Nikollaevo
Qyteti i tretë më i madh në Bullgari përjetoi një tronditje të madhe vitin e kaluar, kur u arrestua kryetari i bashkisë, Bllagomir Kocev i akuzuar për korrupsion – ngjarja shkaktoi pakënaqësinë e mijëra qytetarëve në qytete të ndryshme të vendit, të cilët dolën në mbështetje të tij dhe madje mblodhën shumën e nevojshme për garancinë e tij financiare. Kryebashkiaku u lirua, por ndjenja e represionit politik që krijojnë akte të tilla rriti aktivitetin politik të banorëve të Varnës.
“Më së shpeshti përmendet projekti i ri politik i ish-presidentit Rumen Radev, drejt të cilit drejtohen kryesisht pritshmëritë për të ndalur vjedhjet dhe për të vendosur drejtësi”, përmbledh Daniella Stojnova qëndrimet e të anketuarve.
FOTO: BGNES
Zgjedhjet për Kuvendin Popullor të 52-të do të mbahen në prill, një javë pas Pashkëve Ortodokse. Po cilat janë motivet me të cilat qytetarët e Varnës do të shkojnë drejt kutive të votimit?
“Sigurisht që do të votoj. Dua që të gjithë njerëzit të kenë të ardhura të mira dhe të ndihen të lumtur”, ndan mendimin një banore e Varnës, ndërsa një bashkëqytetare e saj shton se pret zgjedhje të ndershme dhe transparente:
“Shpresoj që këtë herë të jetë kështu, sepse kanë frikë nga ish-presidenti, i cili tani do të marrë pjesë në zgjedhjet”, thotë gruaja, e bindur se më shumë qytetarë do të shkojnë te kutitë e votimit më 19 prill. “100% njerëzit duan që diçka e re të ndodhë në jetën e tyre. Njerëzit i besojnë presidentit dhe duan të votojnë për dikë të ri.”
FOTO: BGNES
Pas protestave masive të vjeshtës së vitit 2025, në të cilat morën pjesë në numër të madh të rinjtë bullgarë në vend dhe jashtë tij dhe që çuan në dorëheqjen e qeverisë së rregullt, tani vëmendja është sërish e përqendruar te të rinjtë, nga të cilët pritet të jenë aktivë gjatë votimit.
“Sigurisht që do të votojmë, sepse nga ne varet e ardhmja e fëmijëve tanë një ditë”, thotë një bullgare 23-vjeçare dhe pret nga deputetët e ardhshëm që “të paktën të mos bëhet më keq.”
“Që kur kam mbushur moshën për të votuar, gjithmonë votoj, sepse edhe prindërit e mi gjithmonë kanë votuar deri tani”, shton një 21-vjeçare nga Varna. “Kohët e fundit edhe në rrjetet sociale shihet se të jesh politikisht aktiv po pranohet gjithnjë e më shumë nga të rinjtë. Kjo është mirë – të jenë aktivë, të kenë mendimin e tyre. Unë e shoh dallimin, për shembull, në mënyrën se si mendojnë prindërit e mi – mund të them se ndoshta ata tani nuk kanë aq shumë shpresë, edhe pse vazhdojnë të votojnë. Mendoj se nga ne pritet madje të zemërohemi, të dalim në rrugë kur diçka nuk na pëlqen, thjesht të jemi aktivë.”
FOTO: BGNES
Shumica e qytetarëve thonë se nuk e humbasin rastin për të votuar, por tani e kanë më të vështirë të orientohen në situatën politike. Dëshira e tyre kryesore është që “deputetët të bëjnë punën e tyre dhe që të rinjtë me dëshirë të qëndrojnë në Bullgari”. Është mirë që të rinjtë të hyjnë edhe në parlamentin e ardhshëm, por mes tyre ka edhe pesimistë, si një djalë 18-vjeçar, i cili është kategorik se nuk do ta shfrytëzojë të drejtën e tij për të votuar:
“Megjithatë ai është kategorik se nuk do të votojë, sepse nuk sheh të ardhme dhe plani i tij është që menjëherë pasi të përfundojë klasën e 12-të të kërkojë fatin e tij jashtë vendit: ‘Këtu tashmë nuk ka zhvillim dhe stabilitet financiar, prandaj do të largohem nga Bullgaria.’”
Të tjerë, megjithatë, ndihen mirë në vendin tonë, edhe pse politikanët lenë shumë për të dëshiruar. Prandaj ata gjithmonë votojnë – ashtu si edhe një familje e re nga Varna, e cila ndau pritshmëritë e saj për Bullgarinë pas votimit:
“Do të votojmë, gjithmonë votojmë – duam që shteti të pastrohet nga korrupsioni. Edhe nga oligarkia. Kjo varet nga shoqëria. Ne personalisht jemi qytetarë aktivë – marrim pjesë në protesta. Ndihemi relativisht mirë, prandaj duam vetëm që Bullgaria të ecë përpara”.
Anketimi kryer nga: Daniella Stojnova, korrespondente e BNR-së në Varna
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello