MUZIKË

Artikull

Muzika e pazbutur e grupit ZEBRA

Martë, 17 Mars 2026, 06:00

Muzika e pazbutur e grupit ZEBRA

FOTO: YouTube

Madhësia e shkronjave

Edhe pse emri i grupit ZEBRA është ndër më të rejat në muzikën bullgare, ai bashkon artistë tashmë të afirmuar nga breza të ndryshëm. Nga pjesëmarrja e tyre në projekte të shumta veçanërisht të njohur janë aktori Ivan Jurukov dhe basisti Petko Sllavov, të cilët janë pjesë edhe e grupit TERPENTINA. Marin Llashev është baterist, producent dhe inxhinier zëri, ndërsa anëtarja më e re e grupit është Angelina Saparevska – Anxheli. Ajo ka përfunduar Shkollën Kombëtare të Muzikës në Sofje me piano klasike, por shpreson që nga vjeshta të jetë studente në Akademinë e Muzikës, me specializim… trumbetë, të cilën tashmë e zotëron dhe e përdor në këngët e saj autoriale.

Sipas fjalëve të Ivanit, i cili është edhe burimi i emrit, ZEBRA mishëron muzikën e grupit – sepse zebra është një kafshë e egër që nuk mund të zbutet, dhe për më tepër, vijat e çdo zebre janë të ndryshme. Dhe jo më pak e rëndësishme – emri të mbetet menjëherë në mendje.

Meqenëse grupi ZEBRA tashmë ka disa këngë që presin realizimin e tyre në studio, në bisedën me muzikantët natyrshëm arrijmë te pyetja – çfarë muzike duan të krijojnë dhe çfarë, sipas tyre, mungon në skenën muzikore bullgare? Anxheli përgjigjet kështu:

FOTO: Facebook/ ZEBRA

"Kemi muzikë dhe muzikantë shumë interesantë, si dhe një skenë plot ngjyra. Por mendoj se ende i mungon ndershmëria. Të gjithë janë pak të çuditshëm, por le të jemi autentikë."

Petko Sllavov shton se ai kërkon jo vetëm në muzikën bullgare, por edhe në atë botërore melodinë e mirë, tekstin me kuptim dhe qëndrimin:

“Në tekstet tona – si të Ivanit, të miat, ashtu edhe të Anxheli – është e pranishme bota e brendshme. Përjetimi i të gjithë botës brenda nesh. Dhe pikërisht për këtë është kaq e bukur që ka diversitet – muzika jonë është e drejtuar nga brenda, drejt përjetimeve personale, të cilat mbeten intime në njëfarë mënyre.”

Aktualisht ZEBRA vazhdon me incizimet e këngëve të reja, me autorë të gjithë anëtarët e grupit. Ata mezi presin t’i publikojnë në një EP, ku do të përfshihet edhe kënga e tyre “Diçka më shumë”, me muzikë dhe tekst të Ivan Jurukovit, ndërsa aranzhimi është i të gjithë grupit ZEBRA.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva