HISTORI

Artikull

“Graf Ignatievo” – shtëpia e forcave ajrore ushtarake bullgare feston 75 vjet

Martë, 17 Mars 2026, 17:20

“Graf Ignatievo” – shtëpia e forcave ajrore ushtarake bullgare feston 75 vjet

FOTO: armymedia.bg

Madhësia e shkronjave

Në një kohë konfliktesh ushtarake dhe politike ndërkombëtare që “shkruhet” nga fuqia luftarake, një nga simbolet e forcave ajrore ushtarake bullgare – baza ajrore “Graf Ignatievo” – shënon 75-vjetorin e ekzistencës së saj. Një përvjetor jo thjesht i një objekti ushtarak, por simbol i zhvillimit të aviacionit luftarak bullgar. Nga vitet e hershme të epokës reaktive deri te avionët modernë luftarakë në shekullin XXI, baza mbetet edhe sot zemra e aviacionit luftarak në Bullgari.

Avia B.534 "Dogan" - avionë luftarakë

FOTO: pan.bg

Vendi nuk është zgjedhur rastësisht. I vendosur në pjesën qendrore të Bullgarisë, me terren kryesisht të rrafshët dhe hapësira të mëdha, ai ka qenë shumë i përshtatshëm për ndërtimin e pistave të gjata të fluturimit dhe për mundësinë që avionët të arrijnë nga aty relativisht shpejt në çdo pikë të vendit. Ky është një element thelbësor për mbrojtjen e hapësirës ajrore të shtetit edhe sot.

Historia bashkëkohore e bazës fillon më 17 mars 1951, kur me një dekret zyrtar shtetëror formohet Regjimenti i 19-të i Aviacionit Luftarak në aeroportin e bazës ajrore “Graf Ignatievo”. Atëherë fillon futja e aviacionit reaktiv në Bullgari. Gjatë dekadave në vijim, qielli mbi Trakinë bëhet shtëpi e një sërë avionësh të njohur – nga familja MiG.

FOTO: Arkiv BTA

Gjatë Luftës së Ftohtë, baza është një element kyç i mbrojtjes ajrore të vendit dhe i Traktatit të Varshavës. Në aeroportin “Graf Ignatievo” për herë të parë në historinë e forcave ajrore bullgare kryhen fluturime stërvitore natën dhe fluturime në kushte të vështira meteorologjike. Këtu gjithashtu realizohen fluturimi i parë supersonik, katapultimi i parë dhe qitjet e para luftarake. Nga baza ajrore ngrihen avionë luftarakë që marrin pjesë në të ashtuquajturën “epopeja e balonave”, për të rrëzuar balonat armiqësore që kanë hyrë në hapësirën tonë ajrore. Në Bazën e 3-të Ajrore Luftarake është krijuar metodologjia e aviacionit luftarak bullgar. Që nga viti 1952 deri më sot, pilotët e bazës mbajnë vazhdimisht gatishmëri luftarake.

FOTO: Facebook/Bulgarian Air Force

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe reformave pasuese në forcat e armatosura, “Grafa”, siç e quajnë shkurt të gjithë aeroportin, gradualisht shndërrohet në bazën kryesore dhe të vetme ajrore luftarake të Bullgarisë. Kjo rrit rëndësinë e saj për sigurinë kombëtare dhe për mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit.

FOTO: BGNES

Një etapë e re në histori fillon pas anëtarësimit të Bullgarisë në NATO në vitin 2004, kur baza ajrore “Graf Ignatievo” përfshihet aktivisht në misione për mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe në stërvitje ndërkombëtare me shtete aleate.

FOTO: Facebook/Bulgarian Air Force

Sot “Graf Ignatievo” është edhe qendra e modernizimit më të madh të forcave ajrore ushtarake bullgare. Me blerjen e 16 avionëve të rinj shumëqëllimësh F-16 Block 70, baza kalon nëpër një rinovim të plotë – infrastrukturë e modernizuar, hangarë të rinj dhe sisteme teknike bashkëkohore. Rreth 1.1 miliardë euro pagoi vendi në vitin 2019 për 8 avionët e parë të serisë F-16 Block 70. Për shkak të pandemisë COVID, dorëzimi u vonua me vite, dhe në dhjetor 2025 mbërritën dy avionët e fundit nga porosia e parë prej 8 njësish. Avionët kanë një jetë të projektuar prej 12 000 orësh fluturimi.

FOTO: BGNES

Deri në fund të vitit 2027, kompania prodhuese “Lockheed Martin” duhet të dorëzojë edhe 8 avionë të tjerë, për të cilët Sofja paguan mbi 1.2 miliardë euro me këste. Në vitin 2020 qeveria bullgare akordoi gjithashtu mbi 153 milionë euro për rinovimin e bazës materiale, ndërsa në vitin 2025 u shtuan edhe 120 milionë euro për punime përfundimtare.

FOTO: BTA

Por çfarëdo përmirësimesh të bëhen dhe çfarëdo teknike të blihet, pas avionëve gjithmonë qëndrojnë njerëzit. Për dekada me radhë, baza ajrore “Graf Ignatievo” është shtëpi për breza pilotësh, inxhinierësh dhe specialistësh të aviacionit, të cilët mbajnë përgjegjësinë për mbrojtjen e qiellit bullgar – ata janë bartësit e vazhdimësisë midis së kaluarës dhe së ardhmes. Ata janë njerëzit që shkruajnë historinë e bazës ajrore “Graf Ignatievo”.

FOTO: Facebook/Bulgarian Air Force

Redaktoi: Vesella Krësteva

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski

Foto: BTA, BGNES, pan.bg, armymedia.bg, Facebook/Forcat Ajrore Bullgare