POLITIKË

Seksion

Bullgaria përpara zgjedhjeve të reja të parakohshme

Flasin qytetarët nga Pleveni

Mërkurë, 18 Mars 2026, 07:15

Bullgaria përpara zgjedhjeve të reja të parakohshme

FOTO: Bashkia Pleven

Madhësia e shkronjave

Qyteti i Plevenit është një nga qendrat e rëndësishme kulturore, arsimore, ekonomike dhe të transportit në vend. Ai është qendër administrative e bashkisë me të njëjtin emër në Bullgarinë Veriore, dhe sipas të dhënave nga regjistrimi i fundit, në qytet jetojnë mbi 88 500 banorë – gjë që e rendit atë në vendin e shtatë në vend.


Pleveni është një destinacion i njohur turistik – quhet “qyteti i muzeve”, dhe aty ndodhet edhe panorama unike “Epopeja e Plevenit 1877” – muzeu artistik është ndër dhjetëra monumentet e ndërtuara nga banorët e Plevenit në kujtim të rusëve, rumunëve dhe bullgarëve të rënë për Çlirim. Megjithatë, kohët e fundit nuk janë muzetë, por jeta e përditshme e banorëve të Plevenit që është vazhdimisht në lajme – qyteti ishte ndër më të prekurit nga mungesa e ujit gjatë verës së vitit 2025. Idetë për përballimin e këtij problemi jetik janë motivi kryesor për qytetarët në zgjedhjen e përfaqësuesve në parlament – nga ky rajon zgjidhen 8 deputetë.

FOTO: BGNES

“Regjim i zgjatur dhe i rëndë i furnizimit me ujë, rrugë të këqija dhe riparime me cilësi të dobët, autostrada ‘Hemus’ që ndërtohet prej dekadash, një qytet pa bazë normale sportive – këto janë vetëm një pjesë e problemeve të njerëzve nga rajoni i Plevenit. Dhe kur kësaj i shtohet mungesa e punës ose puna e paguar shumë pak, mund të kuptohet pse mbi 70 mijë njerëz gjatë periudhës së tranzicionit e kanë braktisur Plevenin – përmbledh korrespondentja e BNR-së në qytet, Llatinka Svetozarova. – E gjithë kjo është në rendin e ditës për deputetët, për ata që më 19 prill do të kërkojnë mbështetjen e banorëve të Plevenit.”


Cili është qëndrimi i banorëve të Plevenit për këto zgjedhje dhe pse disa i përcaktojnë ato si strategjike për zhvillimin e vendit? – përgjigje në anketën, pjesë e serisë parazgjedhore të BNR-së “Bullgaria sërish përpara zgjedhjeve”.

FOTO: Bashkia Pleven

“Tashmë është bërë modë që listat të fshihen deri në momentin e fundit. Gjithmonë dalin surpriza për kandidatët për deputetë. Disa parti madje i fshehin edhe programet – ndoshta pasi t’i zgjedhim, atëherë do ta kuptojmë se çfarë kemi zgjedhur,” komenton një banor i Plevenit situatën përpara votimit të radhës të parakohshëm, në të cilin në garën zgjedhore hyn një lojtar i ri – partia e ish-kreut të shtetit Rumen Radev. Deri tani, megjithatë, pothuajse nuk dihet asgjë për programin e tyre politik. Prandaj qytetari shton: “Sa u përket të ashtuquajturve lojtarë të rinj në politikë – për mua, njerëzit që janë në politikë prej dhjetë vitesh nuk janë të rinj. Ku do t’i çojnë gjërat, mbetet për t’u parë. Më mungon një qëndrim i qartë nga partitë – shumica prej tyre luajnë pisët, por nuk shoh çfarë duan të bëjnë, çfarë duan të ndryshojnë,” shton ai.


Më 20 mars fillon një fushatë njëmujore parazgjedhore, por qytetarët nuk arrijnë brenda këtij afati të verifikojnë nëse premtimet mund të realizohen realisht. Megjithatë, shpresat janë që më shumë njerëz të dalin për të votuar. “Njerëzit duhet të votojnë – për mua kjo është e detyrueshme,” thotë bashkëbiseduesi.

Rumen Radev

FOTO: BGNES

Në këtë fazë, sociologët parashikojnë se në Kuvendin e 52-të Kombëtar do të hyjnë pesë ose gjashtë parti, ndërsa një avantazh në preferencat e votuesve i jepet partisë së ish-presidentit.


“Pritet që partia e Radevit të bëhet forca e parë politike; shpresoj që kjo të sjellë të paktën një ndryshim të pjesshëm, sepse duhet të jemi realistë – një ndryshim i plotë është i pamundur,” thotë një tjetër pjesëmarrës në anketë. “Nëse Radevi arrin të trazojë sadopak ujërat e kënetës politike bullgare, unë personalisht do të jem i kënaqur,” shton qytetari, i cili është skeptik për ndershmërinë e votimit: “do të shohim të njëjtat ‘çudira’ si në zgjedhjet e mëparshme, si blerja e votave rome, falsifikimi i protokolleve…”


Sa më e lartë të jetë pjesëmarrja në zgjedhje, aq më e vogël do të jetë pesha e votës së blerë, por nuk mungojnë as mendimet se njerëzit janë të lodhur nga zgjedhjet – këto do të jenë zgjedhjet e shtata të parakohshme parlamentare që nga viti 2021 e deri më tani:


“Sipas meje nuk do të votojnë shumë njerëz, pikërisht sepse zgjedhjet po përsëriten; njerëzit tashmë janë lodhur,” thotë një grua e re nga Pleveni.

FOTO: BTA

Humbja e besimit, mosbesimi ndaj partive dhe bindja se figurat politike në Bullgari ndjekin interesa personale duken qartë në këtë anketë. Por ka edhe njerëz që do të shkojnë për herë të parë në votime, me dëshirën që situata të ndryshojë rrënjësisht – si për shembull personi që e prezanton veten si shoferi më i njohur i kamionave në qytet:


“Unë nuk kam votuar kurrë në jetën time, por këtë vit do të votoj që të ndryshojë i gjithë pushteti, i gjithi! Të mbeten njerëz të rinj dhe të arsimuar. Atëherë ndoshta gjërat do të ndryshojnë.”


Anketa e kryer nga: Llatinka Svetozarova, korrespondente e BNR-së në Pleven
Përpiloi: E. Karkallanova

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello