Artikull
Maestroja botëror Pavell Balev hap Festivalin Muzikor të Pashkëve në Varna
Enjte 19 Mars 2026 07:00
Enjte, 19 Mars 2026, 07:00
Pavell Balev dirigjon Orkestrën Simfonike të Operës së Varnës
FOTO: operavarna.com
Madhësia e shkronjave
Më 20 mars, Orkestra Simfonike e Operës Shtetërore Varna hap edicionin e XXV të Festivalit Muzikor të Pashkëve në kryeqytetin tonë bregdetar nën dirigjimin e dirigjentit të saj të përhershëm mysafir, Pavell Balev.
Një nga muzikantët bullgarë më të njohur në skenën bashkëkohore, interpretues i thellë dhe i frymëzuar me njohje ndërkombëtare, Pavell Balev është dirigjent kryesor i Operës në Limoges (Opéra de Limoges) në Francë, drejtor i përgjithshëm muzikor i Teatrit të Nordhausen (Theater Nordhausen) në Gjermani, drejtor muzikor i Akademisë së Orkestrës Kombëtare të Kanës (L'Académie de l'Orchestre national de Cannes) dhe dirigjent i përhershëm mysafir i Filarmonisë së Baden-Baden (Philharmonie Baden-Baden). I duartrokitur në mbarë botën – nga SHBA deri në Kinë, Pavel Balev i vlerëson shumë paraqitjet e tij në atdhe. Në vitet e fundit ai dirigjon më shpesh në Varna.
Pavell Balev
FOTO: operavarna.com
Koncertet simfonike nën drejtimin e Pavell Balev priten me entuziazëm nga publiku dhe kritika për shkak të interpretimeve depërtuese me detaje të punuara deri në përsosmëri. Në këtë frymë është ndërtuar programi i tij i fundit me orkestrën e Operës Shtetërore Varna, i cili fillimisht do të prezantohet në kuadër të edicionit të 65-të të festivalit prestigjioz ndërkombëtar “Ditët Muzikore të Marsit” në Ruse, e më pas edhe në festivalin e Pashkëve në Varna.
Ai fillon me “Suitën e Vogël” elegante nga Claude Debussy dhe vazhdon me Koncertin virtuoz për dy violina dhe orkestër nga Bohuslav Martinů, me solistë Marian Kraev dhe Krasimir Shterev.
Marian Kraev
FOTO: operavarna.com
Marian Kraev është koncertmaestër i parë i Orkestrës Simfonike të Mynihut që nga viti 2002 e deri më sot, ndërsa Krasimir Shterev është koncertmaestër i Operës Shtetërore Varna që nga viti 2009. Besnik ndaj parimit për të përfshirë në çdo koncert simfonik edhe një vepër të rëndësishme bullgare, Pavell Balev vendos një finale kulmore të mbrëmjes me Simfoninë nr. 1 nga Ljubomir Pipkov.
Pas pjesëmarrjes së tij në “Ditët Muzikore të Marsit” më 19 mars, ditën tjetër – më 20 mars – me të njëjtin program koncertor Pavell Balev dhe simfonikët e Varnës hapin edicionin e XXV të Festivalit Muzikor të Pashkëve të Operës Shtetërore Varna. Ngjarjet janë një shenjë e rëndësishme në shënimin e jubileut 80-vjeçar të Orkestrës së Operës Shtetërore Varna, pasardhëse e Orkestrës Simfonike Shtetërore të Varnës, e themeluar në vitin 1946.
Krasimir Shterev
FOTO: operavarna.com
Redaktoi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski