POLITIKË

Artikull

Zgjedhjet parlamentare - 19 prill 2026

Bullgaria përpara zgjedhjeve të reja të parakohshme

Flasin njerëz nga Bullgaria Jugore

Mërkurë, 18 Mars 2026, 20:00

Bullgaria përpara zgjedhjeve të reja të parakohshme

FOTO: BNR Radio Kërdxhali

Madhësia e shkronjave

Më 17 mars skadoi afati në të cilin partitë dhe koalicionet që marrin pjesë në zgjedhje duhej të regjistronin listat e tyre me kandidatë për deputetë. Jemi dëshmitarë të një palete të larmishme personalitetesh, shumë prej tyre janë fytyra të njohura, ka rikthim në politikë të disa figurave politike nga e kaluara, janë tërhequr edhe personalitete të njohura që deri tani nuk kanë pasur karrierë politike – politologë, sportistë.

Zgjedhjet në Bullgari zhvillohen sipas sistemit proporcional, ku territori i vendit është i ndarë në 31 zona shumëmandatëshe zgjedhore, nga të cilat zgjidhen gjithsej 240 deputetë. Numri i mandateve deputetore nga çdo zonë përcaktohet sipas numrit të votuesve të regjistruar me adresë të përhershme në zonë. Vëmendja e analistëve dhe e shoqërisë gjatë votimit do të përqendrohet te zona e 25-të shumëmandatëshe në Sofje, ku po konturohet një betejë e vërtetë liderësh. Zona e Kërdxhalit në Bullgarinë Jugore është një tjetër pikë fokusi që ndiqet me vëmendje nga analistët dhe sociologët për shkak të faktit se këtu ka përqendrim të qytetarëve bullgarë me prejardhje turke dhe prej dekadash ekziston monopol i një force politike – “Lëvizja për të Drejta dhe Liri” (DPS). Shumë nga qytetarët e regjistruar në zonë jetojnë në Turqinë fqinje, ku gjithashtu votojnë në masë. Këtë vit, megjithatë, në Turqi do të mund të hapen deri në 20 seksione votimi jashtë përfaqësive diplomatike dhe konsullore, gjë që mund të provokojë “ekskursione zgjedhore” drejt Bullgarisë në ditën e votimit.

FOTO: Petko Vangellov

Zona e Kërdxhalit po përgatitet për betejën e radhës për vota, e cila duhet të shpërndajë pesë mandatet deputetore. Për shumicën e votuesve, votimi i ardhshëm duket sikur është paraprakisht i vendosur.

“Realiteti politik është i tillë që, përveç DPS-së, e cila ka monopol të plotë në rajonin e Kërdxhalit, kandidatët e tjerë lokalë nuk kanë shans për në Parlament. Kjo i demoralizon votuesit” – tregon korrespondentja e BNR-së Valja Apostollova në një reportazh nga seria e radios publike “Bullgaria përpara zgjedhjeve të reja”.

Një anketë mes qytetarëve tregon se ka dëshirë për ndryshim dhe dalje nga jeta e vështirë, por edhe mosbesim se kjo mund të ndodhë edhe pas këtij votimi parlamentar: “Asgjë nuk do të ndryshojë dhe do të mbetet kështu – ai që jeton mirë do të vazhdojë të jetojë mirë, ndërsa ai që duron – përsëri me vështirësi do ta kalojë jetën!”

FOTO: BNR Radio Kërdxhali

Zona e qytetit tjetër më të madh në rajon – Ardino – është nën ndikimin e “DPS – Fillim i Ri” – partia që “lindi” nga radhët e DPS-së së vjetër, por në zgjedhjet e fundit në vjeshtën e vitit 2024 arriti ta tejkalojë ndjeshëm, duke u shndërruar në forcën e katërt parlamentare me 29 deputetë në Kuvendin e 51-të. Nga kjo parti janë kryetari i bashkisë, shumica e këshilltarëve bashkiakë, kryetarët e fshatrave.

Në shumë vende njerëzit e dinë për kë do të votojnë. Edhe më parë ka qenë kështu – kryetari i bashkisë thotë cila është fleta e duhur. Këtë herë, megjithatë, votuesit në disa fshatra kanë një ultimatum ndaj politikanëve – do të votojnë për partinë që u premton një urë të re. Rusallsko është një nga fshatrat që, për shkak të përmbytjes së lidhjes së vetme rrugore, mbetet periodikisht i izoluar nga bota.

“Tani për zgjedhjet përsëri me siguri do të premtojnë diçka – unë prej 30 vitesh dëgjoj vetëm premtime dhe në fund – përsëri asgjë! – thotë një banor lokal dhe vazhdon: – Nuk paskan para… Si nuk ka para? Një shtet i tërë, e një urë këtu nuk mund të ndërtohet!? Kur vijnë zgjedhjet, thonë ‘votoni’. Do të votojmë, por le të bëhet diçka. Kush e bën urën, ai do të fitojë sa të jetë gjallë këtu. Tani do të shohim çfarë premtimesh do të japin përsëri, por siç thanë edhe fqinjët – më e rëndësishmja është ura!”

Njerëzit çuditen se si nuk mund të ndërtohen tre kilometra rrugë dhe paralajmërojnë se nëse edhe këtë herë nuk dëgjohen – në zgjedhjet e ardhshme nuk do të votojnë fare.

FOTO: BNR Radio Kërdxhali

Në fshatin Rusallsko nuk kanë parë deputet. Thonë se politikanët i kërkojnë vetëm gjatë zgjedhjeve.

“Deputet kam parë në televizor, në realitet nuk kam folur me deputet. Unë nuk i besoj më vetes, si të besoj që ata do të vijnë këtu?” – pyet një banor i fshatit. Politikanët marrin edhe një ftesë:

Dhe kështu, një muaj para votimit, votuesit pyesin veten për kë të votojnë – jo për shkak të zgjedhjeve të shpeshta, por sepse dëshirat e tyre deri tani kanë mbetur të padëgjuara. Ata shpresojnë që situata në Bullgari të ndryshojë, dhe bashkë me të edhe jeta në provincën e largët.

FOTO: BTA - arkiv

Reportazh nga Valja Apostollova, korrespondente e BNR-së në Kërdxhali

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski