Artikull
Zgjedhjet parlamentare - 19 prill 2026
Bullgaria është në fushatë parazgjedhore njëmujore për votimin parlamentar
Premte 20 Mars 2026 04:00
Premte, 20 Mars 2026, 04:00
FOTO: Ani Petrova
Madhësia e shkronjave
Në mesnatën e 20 marsit në Bullgari zyrtarisht filloi fushata parazgjedhore para zgjedhjeve të shtata të parakohshme parlamentare në vend për pesë vitet e fundit. Ajo do të vazhdojë deri në orën 24:00 të 17 prillit. 18 prilli është dita e reflektimit para votimit, i caktuar për 19 prill.
Gjithsej 24 formacione politike – 14 parti dhe 10 koalicione – do të marrin pjesë në garën për vende në Kuvendin Popullor të 52-të. Midis tyre ka si parti të konsoliduara, ashtu edhe lojtarë të rinj, të cilët shpallin ambicie për të fituar besimin e votuesve. Kjo e shton intrigën rreth renditjes së “puzzle”-it të ri parlamentar.
Fushata duhet të zhvillohet në gjuhën bullgare, me mbledhje publike. Ndalohet materiali anonim, agjitacioni në institucionet shtetërore dhe nga punonjës të bashkësive fetare, si dhe blerja e votave.
Sipas legjislacionit bullgar, të drejtë vote kanë si qytetarët madhorë në vend, ashtu edhe bashkatdhetarët tanë jashtë vendit.
FOTO: BTA
Këtë herë votimi jashtë vendit do të zhvillohet sipas rregullave të reja. Pasi në shkurt parlamenti bëri ndryshime në Kodin Zgjedhor, për vendet jashtë BE-së nuk parashikohet krijimi i të ashtuquajturave “seksione zgjedhore automatike” (seksione në vendet ku në zgjedhje të mbajtura deri në 5 vite para ditës së zgjedhjeve ka pasur të paktën një seksion zgjedhor, në të cilin kanë votuar jo më pak se 100 votues). Në këtë lidhje nga Ministria e Punëve të Jashtme rekomandojnë që qytetarët bullgarë atje të paraqesin kërkesa për votim. Në këto shtete, jashtë përfaqësive diplomatike dhe konsullore (DPK), mund të krijohen deri në 20 seksione zgjedhore me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas vlerësimit të drejtuesve të përfaqësive diplomatike dhe konsullore, mbi bazën e jo më pak se 40 votuesve që kanë paraqitur kërkesa.
Ndryshimi pritet të prekë më së shumti bashkatdhetarët tanë në Turqi, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, ku tradicionalisht hapen dhjetëra seksione për shkak të numrit të madh të atyre që dëshirojnë të japin votën e tyre. Pritet që kufizimi i ri të çojë në radhë të gjata dhe distanca më të mëdha deri te seksionet zgjedhore për votuesit bullgarë në këto shtete.
Qendra e votimit në Ankara (2024)
FOTO: BTA
Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme dhe numrin e vogël të kërkesave të paraqitura për votim në rajon, ekziston mundësia që atje të mos hapen seksione zgjedhore.
Çdo votues mund të bëjë një verifikim për numrin dhe adresën e seksionit të tij zgjedhor në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme “GRAO” pranë Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike. Në këtë mënyrë mund të kursehet koha dhe shqetësimi për të kërkuar këtë informacion në listat zgjedhore të vendosura në vende publike. Në të njëjtën adresë mund të paraqitet elektronikisht një kërkesë për votim sipas adresës aktuale, nëse ajo është në një vendbanim të ndryshëm nga ai i regjistruar në adresën e përhershme. Sipas Kodit Zgjedhor, afati për paraqitjen e kërkesave për votim sipas adresës aktuale nga qytetarët në vend skadon më 04.04.2026.
FOTO: BTA
Data të rëndësishme deri në ditën e zgjedhjeve për bashkatdhetarët tanë jashtë vendit
Deri më 24 mars organizatat e qytetarëve bullgarë në vendin përkatës jashtë shtetit mund të bëjnë propozim te drejtuesit e ambasadave dhe konsullatave për vendndodhjen e seksioneve zgjedhore jashtë vendit. Deri në të njëjtën datë, bullgarët me të drejtë vote që dëshirojnë të votojnë jashtë vendit e deklarojnë këtë përmes një kërkese me shkrim sipas modelit ose përmes një kërkese elektronike në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Deri më 27 mars drejtuesit e përfaqësive diplomatike dhe konsullore dërgojnë propozim të arsyetuar te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për krijimin e seksioneve zgjedhore jashtë vendit.
Deri më 28 mars Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton vendet në shtetet ku do të krijohen seksione jashtë vendit dhe numrin e seksioneve zgjedhore në çdo vend.
Deri më 31 mars seksionet zgjedhore jashtë vendit krijohen me urdhër të drejtuesve të përfaqësive diplomatike dhe konsullore, përgatiten listat për votim jashtë vendit dhe publikohen në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përfaqësive diplomatike dhe konsullore.
Deri më 6 prill Komisioni Qendror i Zgjedhjeve emëron komisionet zgjedhore seksionale jashtë vendit. Propozime për zëvendësimin e anëtarëve tashmë të përcaktuar mund të bëhen deri më 11 prill.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se çdo votues mund të bëjë verifikim për numrin dhe adresën e seksionit të tij zgjedhor në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme “GRAO” pranë Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike në këtë adresë.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski