HISTORI

Artikull

Ramazan Bajrami përsëri i mbledh familjet e myslimanëve në Bullgari

Shija dhe traditat janë në nder në festë – bakllavaja është e pranishme në çdo tryezë

Premte, 20 Mars 2026, 06:00

Ramazan Bajrami përsëri i mbledh familjet e myslimanëve në Bullgari

FOTO: BTA - arkiv

Madhësia e shkronjave

Pas një muaji agjërimi, përulësie dhe pastrimi shpirtëror, familjet e myslimanëve në Bullgari mblidhen për Ramazan Bajramin. Festa paraprihet nga dita e Arefes, në të cilën përkujtohen të afërmit dhe të dashurit që kanë lënë jetën tokësore, ngjashëm me përkujtimin ortodoks të të ndjerëve – pastrohen varrezat, ndërsa në shtëpi përgatitet brumë, bëhen mekica dhe u shpërndahen fqinjëve dhe të njohurve. Bamirësia është një pjesë thelbësore e të gjithë muajit Ramazan, gjatë të cilit besimtarët përpiqen të jenë më të mirë, më të dhembshur dhe japin lëmoshë për qëllime të ndryshme bamirësie – shprehje e solidaritetit me problemet e të afërmve dhe të shoqërisë. Para se të vijë Bajrami, myslimanët japin një detyrim të quajtur “fitre” – shuma përcaktohet nga Kryemyftinia, dhe këtë vit ajo është 10 euro për person.

FOTO: BTA

Ramazan Bajrami është një nga festat më të ndritshme dhe më të dashura në kalendarin mysliman. Ai zgjat plot tre ditë, dhe këtë vit filloi në orët e para të mëngjesit të 20 marsit – kur burrat mblidhen për faljen festive në xhami para lindjes së diellit. Pas kësaj, të moshuarit kthehen në shtëpitë e tyre dhe presin më të dashurit – fëmijët e tyre të trokasin në derë dhe familjet të mblidhen rreth tryezës festive.

FOTO: BTA

“Pasi kthehen në shtëpi, të rinjtë u puthin dorën më të moshuarve dhe e gjithë atmosfera është shumë festive” – tregon Gëonjul Dailova nga shtëpia e kulturës “Gynesh” në Ruse. Ajo është e bindur se shtëpitë e kulturës kanë rol kyç në ruajtjen e traditave festive, duke ruajtur kështu kujtesën kulturore dhe identitetin. “Kur ato u përcillen fëmijëve, ata mësojnë respekt, mirësi dhe ndjeshmëri” – tregon Gëonjul Daillova dhe kthehet në kujtimet e fëmijërisë së saj dhe në vëzhgimin se disa nga ritualet sikur po zbehen:

“Dikur familje shumë të mëdha mblidheshin, ne fëmijët organizoheshim dhe shkonim nëpër rrugica dhe shtëpi për të mbledhur karamele – kjo duket se po mbetet në të kaluarën. Ndoshta arsyeja është se shumica e familjeve të reja janë jashtë vendit. Ne në shtëpinë e kulturës përpiqemi, duke mbledhur të moshuar dhe të rinj, t’u japim një urë për transmetimin e këtij informacioni – që të moshuarit të tregojnë si festonin dikur. Mund të mburrem se në shtëpinë tonë të kulturës vijnë shumë të rinj dhe ata janë plotësisht të përfshirë në aktivitetet tona – koncerte, rikrijime të zakoneve – dhe mendoj se po ia dalim.”

FOTO: Ajshe Ljatif

Ramazan Bajrami është festë e mirënjohjes, faljes, familjes dhe… e ëmbëlsirave. Jo rastësisht quhet “sheqer bajram”, ose “festa e ëmbël”, tryeza është fjalë për fjalë e mbuluar me tundime – bakllava, kadaif, llokum dhe shumë ëmbëlsira të tjera me shurup aromatik. Por ylli më i madh i tryezës mbetet bakllavaja – ajo që mban aromë gjalpi, arra dhe vanilje, dhe që përgatitet me durim, mjeshtëri dhe shumë dashuri. Recetën e saj të provuar festive për bakllava e ndan Ajshe Ljatif – gazetare nga Radio Shumen.

FOTO: Ajshe Ljatif

“Përgatitja e bakllavasë fillon krejt pafajësisht me rreth një kilogram miell, 2 vezë, një gotë qumësht të freskët dhe pak pluhur pjekës. Deri këtu gjithçka duket e qetë, derisa shfaqet gjalpi. Përdor gjithsej 625 gramë gjalpë, 250 prej të cilëve për brumin, ndërsa pjesa tjetër për hedhjen sipër. Shtoj rreth 800 gramë sheqer, 6 paketa vanilje dhe, sigurisht, shumë arra – tregon Ajshe Ljatif. Ajo ndan se ka mësuar të bëjë bakllava para më shumë se 30 vitesh, si një nuse e re, dhe me kalimin e viteve e ka përmirësuar këtë recetë. – “Shikoj emisione kulinarie, shënoj ide në një fletore të veçantë me recetat e preferuara të familjes sime dhe një nga truket më të rëndësishme që kam mësuar disa vite më parë është kullimi i gjalpit të nxehtë para se të hedhim mbi bakllava dhe ta fusim në furrë për t’u pjekur. Kështu petët piqen në mënyrë të barabartë, ngjyra bëhet e artë dhe shija më e rafinuar. Një moment tjetër kyç është përgatitja e shurupit. Në shtëpinë tonë e duam bakllavanë më të lehtë dhe të lëngshme, prandaj e ziej shurupin vetëm katër-pesë minuta. Sipas meje, nëse zihet tetë–dhjetë minuta bëhet më i trashë dhe më i rëndë. Dhe edhe diçka – shtoj më shumë lëng limoni në shurup. Varianti klasik është pesë–gjashtë pika, por unë vendos dy–tre lugë gjelle – kjo parandalon kristalizimin e sheqerit dhe shurupi mbetet i lëmuar dhe i pastër.”

Bakllavaja është një bombë e vërtetë kalorike – një tepsi bakllava shtëpie përmban afërsisht 12,000 kalori, por askush nuk ha një tepsi të tërë, apo jo?!

“Ajo përgatitet dhe hahet për shkak të festës, për shkak të traditës, për shkak të aromës së fëmijërisë – kujton Ajshe Latif. – Por një copë, rreth 40 gramë, është afërsisht 300 kalori dhe megjithatë shija dhe tradita gjithmonë fitojnë ndaj shifrave.”

Gëzuar Bajramin të gjithë atyre që festojnë sot!



Intervista: Ajshe Ljatif dhe Stefka Savova nga BNR-Shumen

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski