Seksion
Një kompani bullgaro-britanike ofron softuer falas për kërkime akademike
Shtunë 21 Mars 2026 07:05
Shtunë, 21 Mars 2026, 07:05
FOTO: Lab Thread
Madhësia e shkronjave
Një softuer i gjeneratës së re u mundëson laboratorëve kërkimorë në fushën e shkencave të jetës të ndërtojnë ekipet e tyre brenda sistemit, duke hequr barrierat tradicionale ndaj punës shkencore dhe duke lehtësuar ndarjen e informacionit. Pas zhvillimit qëndron kompania “Lab Thread Bulgaria”, e themeluar në vitin 2023, e cila u ble një vit më vonë nga Lab Thread UK.
Përpjekjet e sipërmarrësve janë të përqendruara në ndërtimin e një platforme që bashkon bioinformatikën dhe automatizimin, me qëllim digjitalizimin e laboratorëve gjenetikë dhe kërkimorë në mbarë botën. Sfida është serioze, pasi shumë prej tyre ende mbështeten në dokumente letre dhe sisteme të fragmentuara. Qëllimi i kompanisë është të shndërrojë të dhënat kaotike dhe proceset manuale në një rrjedhë digjitale të strukturuar, të gjurmueshme dhe të qëndrueshme në kohë reale. Kjo alternativë ndaj zgjidhjeve tradicionale redukton barrën administrative dhe u lejon shkencëtarëve të përqendrohen te shkenca.
Dejan Sultov (majtas), bashkëthemelues dhe drejtor teknik (CTO) i “Lab Thread”, dhe Dr. Ryan Caywood, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv (CEO) i “Lab Thread”.
FOTO: Lab Thread
Para pak ditësh, kompania bullgaro-britanike e softuerit njoftoi për mediat lançimin e një versioni falas të platformës së saj të unifikuar, e cila do të jetë e disponueshme për studiues akademikë dhe organizata jofitimprurëse në mbarë botën. Platforma është zhvilluar si një zgjidhje digjitale plotësisht e integruar për kërkime biologjike. Softueri ofron një grup modulësh bazë, të krijuar për të mbështetur kërkimet në fazë të hershme. Përdoruesit do të mund të zbatojnë shpejt dhe lehtë plane të sakta për menaxhimin e të dhënave në laboratorët e tyre. Platforma ofron gjithashtu funksionalitete të avancuara për menaxhimin e projekteve, duke u mundësuar ekipeve të ndjekin dhe dokumentojnë në mënyrë digjitale metodat, të dhënat, konstruktet e ADN-së dhe analizat eksperimentale përmes mjeteve të integruara të komunikimit dhe bashkëpunimit. Ajo thjeshton menaxhimin e të dhënave laboratorike dhe ndihmon në përmbushjen e kërkesave të financimit, të cilat gjithnjë e më shpesh janë kusht për aplikim pranë organizatave kryesore financuese në botë.
Përpiloi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello