MUZIKË

Seksion

Pikat kryesore nga programi i Festivalit Evropian të Muzikës në Sofje

Dielë, 22 Mars 2026, 07:10

Pikat kryesore nga programi i Festivalit Evropian të Muzikës në Sofje

FOTO: europeanmusicfestival.bg

Madhësia e shkronjave

Një nga ngjarjet më të rëndësishme bullgare për muzikën klasike – Festivali Evropian i Muzikës – nis sezonin e tij pranveror në fund të marsit 2026 me një program ambicioz, që paraqet artistë të shquar botërorë dhe bullgarë. Filarmonia e Sofjes dhe pianisti i njohur Mihaill Pletnjov hapin festivalin më 26 mars në sallën “Bullgaria” me vepra të Beethovenit dhe Schubertit, nën dirigjimin e Mihail Shekhtman.

Mihaill Pletnjov

FOTO: europeanmusicfestival.bg

Gjatë sezonit pranveror të festivalit do të marrin pjesë Orkestra e Dhomës së Vjenës, solistë nga Bullgaria, Danimarka dhe Norvegjia, dirigjentë të shquar bullgarë, si dhe ansambli virtuoz i Sirba Octet nga Parisi. Ndër pikat kryesore të programit vjeshtor janë dy koncerte të Orkestrës së Dhomës së Pragës, trio “Semper” nga Spanja, një koncert i Orkestrës Simfonike të Radios Kombëtare Bullgare me dirigjent Konstantin Ilievski dhe solist Atanas Krëstev, si dhe një recital i pianistit Ljudmill Angellov.

FOTO: europeanmusicfestival.bg

Violinat mjeshtërore dhe tingulli i tyre i veçantë do të vazhdojnë të magjepsin adhuruesit e muzikës. Pas suksesit të madh të ciklit “Koleksioni Stradivarius”, realizuar për herë të parë në vitin 2025, ekipi po përgatit një sezon të dytë të kësaj serie me pjesëmarrjen e instrumentistëve të njohur bullgarë. Më 29 mars pritet një takim emocionues me Allbena Danaillovën – gruaja e parë koncertmaestër në historinë e Filarmonisë së Vjenës. Në fund të vitit të kaluar, ajo mori një nga çmimet më të larta kulturore të Austrisë – Kryqin e Nderit për Shkencë dhe Art, i dhënë në emër të presidentit austriak për kontribut të jashtëzakonshëm në kulturë.

Allbena Danaillova

FOTO: BNR-arkiva

Në Sofje, Allbena Danaillova do të luajë në violinën e çmuar Stradivarius “ex Hämmerle”, e punuar në vitin 1709. Instrumenti është pjesë e koleksionit të Bankës Kombëtare të Austrisë dhe, sipas traditës, i jepet koncertmjeshtrit të Filarmonisë së Vjenës. Violina mban emrin e të njohurit Theodor Hämmerle – një nga themeluesit e Shoqatës së Koncerteve të Vjenës (Wiener Concert-Verein).

Vesko Eshkenazi

FOTO: Facebook/Vesko Eshkenazi

Ndër pjesëmarrësit në këtë cikël është edhe koncertmjeshtri afatgjatë i Orkestrës Mbretërore Concertgebouw në Amsterdam, Vesko Eshkenazi, me një instrument unik Guarneri të vitit 1742. Violinistja e njohur Milla Georgieva – koncertmjeshtre e Orkestrës Simfonike të Radios së Shtutgartit (Radio-Sinfonieorchester Stuttgart des SWR), me instrumentin e saj Stradivarius “Montbel”, do të performojë së bashku me violonçelistin Atanas Krëstev, nën dirigjimin e Grigor Palikarov. Solistët do të interpretojnë me Orkestrën Cantus Firmus, ndërsa më 15 prill është planifikuar një koncert nga Lia Petrova dhe Ljudmill Angellov.

FOTO: europeanmusicfestival.bg

Në vitin 2026, Festivali Evropian i Muzikës vazhdon të mbështesë muzikantët e rinj.


Në kuadër të festivalit zhvillohet edhe edicioni i pestë i Konkursit Kombëtar për instrumentistë të rinj “Cantus Firmus”. Në fund të vitit 2025, Festivali Evropian i Muzikës mori etiketën e re të cilësisë “Remarkable Arts Festival 2026/2027”, e dhënë nga platforma “Europe for Festivals, Festivals for Europe”. Ky vlerësim është një njohje ndërkombëtare për nivelin e lartë artistik të festivalit dhe dimensionin e tij të qartë evropian.


Përpiloi: Cvetana Tonçeva

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello