Autor
Daniella Goleminova
Seksion
Dy filma bullgarë në Festivalin e Filmit Dokumentar “Millenium” në Bruksel
Dielë 22 Mars 2026 16:05
Dielë, 22 Mars 2026, 16:05
Ivo Dimçev dhe Kristina Nikollova
FOTO: festivalmillenium.org
Madhësia e shkronjave
“Marshi i amazonave” nga regjisori Borisllav Kolev dhe “Në ferr me Ivo-n” nga Kristina Nikollova janë përfshirë në programin e edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar “Millenium”, i cili nis më 26 mars në Bruksel dhe do të zgjasë deri më 3 prill. Çdo vit festivali prezanton filma të krijuesve të pavarur nga e gjithë bota. Drejtore artistike e forumit kinematografik është një bullgare – regjisorja Zllatina Ruseva, e cila prej katër dekadash jeton dhe krijon në kryeqytetin belg.
Ruseva u largua nga Bullgaria në vitin 1986. Arsyeja ishte se pushteti i asaj kohe i ndaloi filmat e saj dhe ajo vendosi të arratisej – jo vetëm, por së bashku me bashkëshortin e saj. Ata u vendosën në Belgjikë, ku Zllatina Ruseva vazhdoi punën në kinema – dhe pikërisht atë lloj kinemaje që i pëlqen. Sot ajo është më e njohur si regjisore jashtë vendit sesa në atdhe.
Zllatina Ruseva
FOTO: festivalmillenium.org
Në Bruksel, Zllatina Ruseva dhe bashkëshorti i saj Ljubomir Georgiev themelojnë një shtëpi produksioni dhe fillojnë të bashkëpunojnë me “Mjekët pa Kufij”. Ata xhirojnë luftëra, fatkeqësi natyrore dhe katastrofa humanitare, por edhe në tragjedi kërkojnë lajmin e mirë. Në vitin 2009, ata krijojnë Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar “Millenium”, i cili organizohet çdo vit në kryeqytetin belg. Festivali i kushtohet objektivave kryesore të OKB-së për mijëvjeçarin – zhdukja e varfërisë, nxitja e ndryshimeve shoqërore dhe garantimi i zhvillimit të qëndrueshëm në raport me mjedisin në mbarë botën.
Zllatina Ruseva është drejtoreshë artistike e festivalit “Millenium”, në edicionin e 18-të në të cilin marrin pjesë filma dokumentarë nga të gjitha kontinentet.
FOTO: festivalmillenium.org
“Ka shumë filma nga vendet evropiane, por në të njëjtën kohë përpiqemi t’i prezantojmë publikut edhe filma që vijnë nga vende krejtësisht të panjohura këtu. Kemi filma nga Mongolia, Kazakistani, Arabia Saudite, Amerika e Jugut. Të gjitha kontinentet janë të përfaqësuara në festival”, shpjegoi regjisorja Zllatina Ruseva.
FOTO: festivalmillenium.org
Temat e filmave dokumentarë që do të shfaqen në edicionin e këtij viti të festivalit “Millenium” janë aktuale – nga problemet që lidhen me mbrojtjen e mjedisit deri te konflikti në Lindjen e Mesme.
Sipas traditës, në çdo edicion të festivalit marrin pjesë edhe filma dokumentarë bullgarë. Këtë vit në program janë përfshirë dy: “Ne jemi bullgarë dhe nuk mund të kalojmë kurrë pa pjesëmarrje bullgare”, shpjegoi Ruseva.
FOTO: festivalmillenium.org
“Marshi i amazonave”, i cili është pjesë e programit të festivalit të filmit në Bruksel, tregon historinë e katër grave të jashtëzakonshme që arrijnë suksese të pabesueshme në të ashtuquajturat “sporte mashkullore” si boksi, mundja dhe futbolli. Filmi tregon me delikatesë historitë e tyre dhe, siç thuhet në përshkrim, është “një rrëfim dramatik për rrugën drejt triumfit dhe kapërcimin e vështirësive të jetës, paragjykimeve shoqërore, frikërave dhe demonëve të brendshëm”.
Filmi tjetër dokumentar bullgar në programin e festivalit – “Në ferr me Ivo-n” – tregon për artistin queer dhe autorin e këngëve Ivo Dimçev, i cili i shndërron vështirësitë personale dhe shoqërore në shfaqje provokuese, duke eksploruar me guxim seksualitetin, identitetin, besimin dhe aktivizmin në një festë çliruese të dukshmërisë queer. Ivo Dimçev do të marrë pjesë gjithashtu në festival me një koncert.
FOTO: festivalmillenium.org
Zllatina Ruseva pranon se nuk ka mundësi të ndjekë nga afër zhvillimin e kinematografisë dokumentare bullgare. Regjisorja tregon se çdo vit kalon rreth tre muaj në atdhe.
“Nuk e di si është për të tjerët, por unë dhe bashkëshorti im nuk e kemi ndërprerë kurrë lidhjen me Bullgarinë. As nuk i kemi lejuar vetes të flasim kundër vendit, sepse është atdheu ynë.”
FOTO: cinefish.bg
Burimet e informacionit autentik në botën bashkëkohore po bëhen gjithnjë e më të pakta, gjë që e bën rolin e kinemasë dokumentare gjithnjë e më të rëndësishëm – është kategorike drejtoresha e festivalit “Millenium”:
“Ndoshta është shaka, por njerëzit që shohin filma dokumentarë nuk vuajnë nga ‘burnout’, sepse kjo lloj kinemaje, sidomos filmat që ne përzgjedhim, ia lejojnë njeriut të hapë emocionet e tij dhe të ndiejë potencialin e brendshëm, pra nuk bombardohet me informacion të shpejtë,” – ndan Zllatina Ruseva.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello