SHOQËRI

Artikull

Migrimi masiv i të rinjve bullgarë nga Krahinat Perëndimore vazhdon

Ivan Nikollov nga Bosilegrad: Sofja mund të bëjë për bullgarët në Krahinat Perëndimore vetëm atë që Beograd do t’i lejojë

Hënë, 23 Mars 2026, 20:45

Rrugë në Bosilegrad

Rrugë në Bosilegrad

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Të dhënat shqetësuese për katastrofën demografike të bullgarëve në Krahinat Perëndimore i rikujtoi kryetari i Qendrës Kulturore-Informative në Bosilegrad, Ivan Nikollov, gjatë prezantimit të përmbledhjes “Krahinat Perëndimore bullgare – histori dhe perspektiva”.

Në vitin 1981 bullgarët në rajonet më lindore të Serbisë kanë qenë 36 000 persona dhe fillojnë të zvogëlohen në mënyrë drastike. Në vitin 1991 janë tashmë 25 214, në vitin 2011 – 18 543. Në regjistrimin e fundit zyrtar në vitin 2021 kanë mbetur 12 918 bullgarë. Edhe më shqetësuese është se sipas parashikimeve të Institutit Statistikor të Republikës së Serbi, në dy dekadat e ardhshme numri i bullgarëve në rajonin që ne e quajmë Krahinat Perëndimore do të bjerë në rreth 1100 në Bosilegrad dhe në 2200 në Caribrod.

FOTO: BGNES

Në vitin 2024, më 8 nëntor, u mbajt një konferencë e posaçme shkencore, e fokusuar mbi proceset që ndikojnë në komunitetin etnik bullgar në Serbi. 24 raportet e paraqitura atëherë tani janë botuar në përmbledhjen, e cila u prezantua zyrtarisht më 19 mars në Sofje. Ajo është një botim i përbashkët i Institutit për Kërkime Historike pranë Akademisë Bullgare të Shkencave dhe Institutit Shkencor “Krahinat Perëndimore”.

FOTO: BTA

A ka ndonjë ndryshim në situatën në Krahinat Perëndimore më shumë se një vit e gjysmë pas konferencës së vitit 2024?

Proceset vazhdojnë në të njëjtin drejtim. Demografia po e shkrin gjithnjë e më shumë pakicën bullgare. Të rinjtë masivisht po shpërngulen drejt Sofjes, jo vetëm në përpjekjen e tyre për arsim më të mirë, përpjekjen e tyre për punë më të mirë, realizim më të mirë. Duke shkuar në Bullgari, shumica prej tyre nuk kthehen – tha për Radio Bullgarinë bullgari nga Bosilegrad Ivan Nikollov. – Sot ëndrra e tyre e vetme është të regjistrohen në ndonjë universitet, të përfundojnë arsimin dhe të vendosen përfundimisht. I shohim edhe proceset e marrjes së shtetësisë bullgare, procedurat për një sërë gjërash të tjera. Në Serbi nuk ka vend për realizim. Që të ndalet ky proces duhen investime serioze. Duhej të vinte një biznes, që të ofronte jetesë për këtë popullsi. Për fat të keq ai ose nuk erdhi, ose nuk u lejua. Kështu që edhe kjo shpresë vdiq.”

Ivan Nikollov

FOTO: BGNES

Veprimtari shoqëror nga Bosilegrad nuk beson se autoritetet serbe do të pajtoheshin që të krijohet një regjim i veçantë për popullsinë në zonën kufitare nga të dyja anët e kufirit, që do t’i lejonte popullsisë bullgare në Serbi të ashtuquajturin emigrim ditor për punë në Bullgari. Sipas Ivan Nikollovit një zgjidhje e tillë pjesërisht funksionon në Caribrod, por nuk i zgjidh problemet me mungesën e jetesës në Bosilegrad.

“Ky proces ekziston në Caribrod dhe ai është spontan, pa asnjë marrëveshje. Bullgari thjesht ofron punë, ofron paga më të mira. Gjeografia atje e zgjidh të gjithë problemin, sepse Caribrod është më afër Sofjes me 20-30 kilometra. Atje problemi i vetëm është se gjatë muajve të verës, kur krijohet një grumbullim i madh në PKK ‘Kallotina’, duhet të pritet disa orë për të kaluar kufirin ose për t’u kthyer mbrapsht. Kështu që ky proces atje ka nisur, mendoj se ka disa qindra njerëz nga Caribrod që shkojnë të punojnë në Bullgari dhe kthehen në mbrëmje. Kjo në një farë mënyre të paktën e ‘ngrin’ situatën, kështu që atje gjërat janë më të mira. Por në Bosilegrad problemi ynë është se qyteti më i afërt Kjustendill nuk ka çfarë të ofrojë. Nuk ka punë dhe kohët e fundit vërej se shumë banorë të Bosilegrad, që janë në moshë pune, po shpërngulen drejt Sofjes për të kërkuar punë.”

Bosilegrad

FOTO: BGNES

Ivan Nikollov shton se edhe për ata bullgarë nga Krahinat Perëndimore, të cilët duan përkohësisht të punojnë në Bullgari, krijohen pengesa administrative nga pala bullgare gjatë lëshimit të kartave të identitetit për qëndrim të përkohshëm, si dhe kërkesa të tjera, të cilat krijojnë një treg të zi për regjistrimet e adresave.

“Nuk besoj në mundësinë që të bihet dakord për diçka konkrete me Serbi në favor të pakicës bullgare, sepse në Bullgari dhe në Serbi flitet në dy gjuhë të ndryshme – mendon dekani i komunitetit bullgar në Bosilegrad. – Ndërsa politikanët bullgarë flasin një retorikë evropiane, kur shkojnë në Beograd, serbët ose heshtin, ose flasin retorikën e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Këto janë dy pikëpamje të ndryshme që nuk mund të kuptohen. Dhe së dyti, çfarëdo që të propozojë Bullgaria në favor të pakicës bullgare, ne gjithsesi ndodhemi në territor të huaj dhe Bullgaria mund të bëjë vetëm atë që Serbia lejon të bëhet.”

Ndërtesa e bashkisë në Bosilegrad

FOTO: BGNES

Në Krahinat Perëndimore ka një papunësi shumë të lartë dhe cilësi të ulët të shërbimeve shëndetësore – theksoi gjatë prezantimit të përmbledhjes Jordan Përvanov, drejtues i Drejtorisë së Përgjithshme “Çështje Evropiane” në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Tema është kyçe për Bullgarinë dhe ka lidhje të drejtpërdrejtë me përmbushjen e kritereve të Kopenhagës për anëtarësimin e Serbisë në BE, theksoi diplomati, duke sqaruar se synimi i institucionit është të kontribuojë për mirëqenien e bullgarëve në Krahinat Perëndimore.

FOTO: BGNES

Shihni gjithashtu:


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski