SHOQËRI

Artikull

Shkenca, arsimi dhe biznesi i japin dorën njëri-tjetrit në një festival në Sofje

“Është e nevojshme që programet mësimore të përditësohen në një mënyrë të përshtatshme për mjedisin jetësor”, thotë Georgi Ivanov nga “Fabrika Arsimore”

Martë, 24 Mars 2026, 20:00

Shkenca, arsimi dhe biznesi i japin dorën njëri-tjetrit në një festival në Sofje

FOTO: Fabrika Arsimore

Madhësia e shkronjave

Festivali kombëtar shkencor-arsimor “Brezi i gjetur” rikthehet pas një pauze disavjeçare, për të krijuar një hapësirë ku profesionistët e afirmuar përcjellin përvojën e tyre dhe talentet e rinj sjellin një perspektivë të re. Gjatë dy ditëve, kureshtja do të shndërrohet në përjetim, ndërsa shkenca – në art, premtojnë organizatorët.

Më 18 dhe 19 prill në Pallatin Kombëtar të Kulturës në Sofje, arsimi, shkenca dhe biznesi do t’i japin dorën njëri-tjetrit në emër të së ardhmes, e drejtuar nga dijet, teknologjitë dhe shpirti njerëzor. Në këtë shkëmbim gjithëpërfshirës do të marrin pjesë nxënës dhe prindër, mësues dhe studentë, studiues dhe sipërmarrës, që i përkasin, sipas organizatës joqeveritare “Fabrika Arsimore”, brezit të gjetur.

FOTO: Fabrika Arsimore

“Brezi i gjetur janë shumë njerëz dhe grupmosha të ndryshme – shpjegon Georgi Ivanov, bashkëthemelues i organizatës, organizator i festivalit, dhe me përvojë ndërkombëtare në punën me universitete të afirmuara dhe në zhvillimin e iniciativave dhe partneriteteve arsimore. – Deri tani për pjesëmarrje në forum janë regjistruar mbi 65 grupe shkollore nga 43 qytete, dhe kjo do të thotë se këta pedagogë kushtojnë vëmendje dhe kohë për të nxjerrë kaq shumë fëmijë nga qyteti i tyre. Për ne ky është brezi i gjetur, sepse jep diçka më shumë sesa ajo që kërkohet prej tyre, në mënyrën më të mirë. Brezi i gjetur janë gjithashtu shkencëtarët dhe organizatat që punojnë çdo ditë për të përmirësuar mjedisin dhe arsimin tek ne. Të tillë janë edhe mbi 100 vullnetarët me vizion për t’u zhvilluar dhe gatishmëri për të dhënë kohën e tyre për diçka kuptimplotë dhe me vlerë. Nga të gjithë këta njerëz – si të rinj, ashtu edhe të moshuar, kemi çfarë të mësojmë.”

Në kuadër të festivalit, marka dhe kompani të njohura do të ofrojnë zgjidhje teknologjike, përfaqësues të instituteve shkencore dhe universiteteve do të theksojnë përparësitë e arsimit më praktik, për shembull në qendrat STEM, dhe do të paraqesin arritje në robotikë. Zona interaktive, panele leksionesh dhe diskutimesh, demonstrime live, përvoja VR dhe AR gjithashtu do të angazhojnë vëmendjen e vizitorëve.

FOTO: Fabrika Arsimore

“Do ta shohin shkencën në praktikë – si përzihen elemente të ndryshme kimike, përfshirë me pjesëmarrjen e tyre – shton Georgi Ivanov. – Observatori në Rozhen do të paraqesë fakte që lidhen me Hapësirën dhe vendin e Bullgarisë në zbulimet e mëdha për universin. Me 3D mapping do t’i çojmë pjesëmarrësit në një dimension tjetër, duke i nxitur të ëndërrojnë. Ata gjithashtu do të pilotojnë një avion nga vendi, do të marrin pjesë në gara automobilistike dhe në shumë aktivitete të tjera.”

Hapësira, siguria kibernetike, inteligjenca artificiale – e gjithë kjo do të shpaloset me pjesëmarrjen edhe të të rinjve, të cilët do të prekin një realitet që po bëhet pjesë e pandashme e jetës së tyre.

“Sa i përket profesioneve të së ardhmes, me të vërtetë jetojmë në një botë dinamike – thekson Georgi Ivanov. – Inteligjenca artificiale dhe në përgjithësi teknologjitë zhvillohen me ritme të shpejta dhe shumë vende pune do të reduktohen, pasi do të mund të automatizohen lehtësisht. Nga ana tjetër, hapen mundësi të reja, të cilat janë shumë më të vlefshme dhe ofrojnë zhvillim afatgjatë. Për të gjitha këto duam të flasim me të rinjtë – që të njihen me to dhe të qasen më të ndërgjegjshëm në zhvillimin e tyre karrieror dhe personal në të ardhmen.”

FOTO: Fabrika Arsimore

Shkathtësia digjitale gjithashtu do të jetë në fokus të brezit të ri përmes demonstrimit të deepfake – si me ndihmën e një videoje të shkurtër mund të manipulohet një person të thotë ose të bëjë gjëra të sajuara. Një temë tjetër e rëndësishme që do të trajtohet është mënyra e shëndetshme e jetesës si një nga parakushtet për zhvillim profesional. Me ndihmën e të ashtuquajturit teatër situacional – ku pjesëmarrës aktiv bëhet edhe publiku – do të shtrohet edhe problemi i agresionit në shkollë.

Por a janë shkollat dhe universitetet bullgare në nivel dhe a mund të bashkëpunojnë me shkencën dhe biznesin, duke përgatitur të rinjtë për bashkëjetesë në një botë ku ata luajnë rolin kryesor?

FOTO: Fabrika Arsimore

“Problemi është shumë i thellë – përgjigjet Georgi Ivanov. – Ka institucione që përpiqen ta bëjnë këtë, por duke punuar me shumë universitete jashtë vendit shoh se kjo është periudha më intensive. Kërkohet ndryshim i çdo programi dhe përmbajtja e tij të përditësohet në mënyrë të përshtatshme për mjedisin jetësor. Nuk jam i sigurt megjithatë deri në çfarë mase universitetet bullgare arrijnë ta bëjnë këtë. Sigurisht, disa prej tyre punojnë me programe ndërkombëtare, të lidhura me shkëmbime dhe kanë potencial. Kështu që është mirë që praktikat e mira të ndahen, në mënyrë që arsimi në tërësi të përmirësohet. Sa i përket shkollave, aty duhet punuar. Në të njëjtën kohë në to janë njerëzit e brezit të gjetur, të cilët duan të zhvillohen dhe të zbatojnë metoda të reja, të afërta me fëmijët, sepse bëhet fjalë për një brez që ka nevojë për një qasje më të ndryshme. Në Bullgari vërejmë paradoksin që, nga njëra anë, prodhojmë mendjet më të mëdha në botë në personin e ekipeve olimpike në shkencat natyrore, inteligjencë artificiale dhe teknologji informative, ndërsa nga ana tjetër, analfabetizmi funksional mbetet në një përqindje të madhe.”


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski