EKONOMI

Artikull

Bullgaria është ndër vendet e BE-së që tregtojnë në mënyrë aktive me Iranin

Martë, 24 Mars 2026, 15:55

Bullgaria është ndër vendet e BE-së që tregtojnë në mënyrë aktive me Iranin

FOTO: Pixabay

Madhësia e shkronjave

Bullgaria është partneri më i madh tregtar i Iranit ndër shtetet e Evropës Lindore në Bashkimin Evropian, njoftoi agjencia BGNES. Shteti ynë renditet në vendin e shtatë në bashkësi për shkëmbimin e mallrave me Teheranin. Në vitin 2025, qarkullimi tregtar arriti në 172 milionë euro. Para Bullgarisë për nga shkëmbimi tregtar janë vetëm Gjermania, Italia, Holanda, Franca, Belgjika dhe Spanja. Bilanci tregtar për vitin e kaluar ishte pozitiv për Sofjen. Eksporti arriti 102 milionë euro. Për Republikën Islamike, Bullgaria nuk është vetëm partneri më i madh tregtar në Evropën Lindore, por renditet edhe në vendin e katërt për importet në Bashkimin Evropian. Gjatë vitit të kaluar, Bullgaria importoi mallra me vlerë 70 milionë euro, kryesisht produkte ushqimore.

Në vitin 2025, shkëmbimi midis Bashkimit Evropian dhe Iranit arriti nivelin më të ulët për shkak të sanksioneve, duke qenë 3.72 miliardë euro, sipas të dhënave të Evrostatit. Republika Islamike është një partner dytësor dhe përbën vetëm 0.1% të eksporteve të bashkësisë.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova