Autor
Gergana Mançeva
Seksion
Radio Bullgaria tek bashkatdhetarët në Greqi
Bullgarët në Athinë – pranë atdheut, por në një administratë të ngadaltë
Mërkurë 25 Mars 2026 07:05
Mërkurë, 25 Mars 2026, 07:05
FOTO: Pexels
Madhësia e shkronjave
Sa janë bullgarët në botë – kjo është një pyetje që nuk mund të marrë një përgjigje të saktë, sepse numri i tyre ndryshon dhe për momentin nuk mund të përfshihet plotësisht në statistika. Sipas vlerësimeve të përafërta, përmendet shifra 2–3 milionë, që është rreth gjysma e popullsisë brenda kufijve të Bullgarisë. Komunitetet më të mëdha të emigrantëve ndodhen në shtetet më të mëdha dhe ekonomikisht më të zhvilluara të Evropës, por pas ndryshimeve në vend është rritur diaspora bullgare në Greqinë fqinje. Pritet që, për shkak të afërsisë me Bullgarinë, bashkatdhetarët atje t’i zgjidhin më lehtë çështjet e tyre administrative, të përditshme dhe juridike. Por nga takimet me përfaqësues të komunitetit bullgar në Athinë rezulton se problemet e tyre nuk ndryshojnë shumë nga ato të bullgarëve në vende si Britania e Madhe, Holanda, Italia etj.
FOTO: Pixabay
Bullgarët janë ndër grupet më të mëdha emigrante në Greqi. Numri i tyre ndoshta kalon 80 mijë persona dhe shumica jetojnë atje prej më shumë se 20 vitesh. Ka bashkatdhetarë që e kanë ndërtuar të gjithë karrierën e tyre në vendin fqinj jugor. Tani ata janë përpara pensionimit, por kanë frikë se nuk do të trajtohen në kushte të barabarta me qytetarët grekë. “Ata prej nesh që nuk kanë 40 vite qëndrimi në vend marrin pension më të ulët se qytetarët grekë – për të njëjtin stazh dhe të njëjtën punë,” ankohet një bashkatdhetare para një përfaqësuesi të ambasadës bullgare në Athinë. “Më shpjegojnë se nuk kam 40 vite qëndrim të ligjshëm si shtetase e huaj. Por ne jemi qytetarë të Bashkimit Evropian – a nuk kemi të drejta dhe detyrime të barabarta, kur edhe unë paguaj taksa këtu si qytetarët grekë? Megjithatë, nuk kam të njëjtat të drejta si ata.”
Megjithatë, rezulton se përveç pakënaqësisë ndaj sistemit administrativ grek, bullgarët atje përballen me vështirësi edhe nga burokracia e vendit të tyre. Sistemi grek i sigurimeve shëndetësore nuk funksionon me të njëjtat njësi sigurimi dhe, kur kthehen në Bullgari, njerëzit detyrohen të paguajnë diferencën për t’i barazuar ato. Ja çfarë shpjegon Juliana Vasileva, e cila prej më shumë se dy dekadash jeton dhe punon në Athinë:
FOTO: Ani Petrova
“Tani po lind ky problem – një pjesë shumë e madhe e bullgarëve në Greqi nuk kanë deklaruar në Bullgari, deri në një moment të caktuar, se do të jetojnë jashtë vendit. Si pasojë, rreth 90% e bashkatdhetarëve tanë këtu grumbullojnë detyrime për sigurimet shëndetësore. Aktualisht, për fat të keq, institucioni përkatës në Bullgari nuk dëshiron të pranojë dokumente që do të mund të anulonin këto detyrime. Ne jetojmë në Greqi, këtu paguajmë taksat dhe sigurohemi në një formë apo tjetër, por na detyrojnë të paguajmë sigurime edhe kur kthehemi herë pas here në Bullgari. Në Greqi je i siguruar shëndetësisht nëse ke 50 ditë pune. Ndërsa Bullgaria na thotë: po, por këtu duhet të kesh 300 ditë, dhe ti ke vetëm 50, kështu që 250 ditët e tjera duhet t’i paguash.
Në fakt, për një njeri të zakonshëm që ka ardhur në Greqi, ka hyrë në një shtëpi për të punuar dhe ka kohë vetëm të bëjë pazar dhe të dërgojë para e pako për fëmijët në Bullgari, informacioni për kërkesat administrative të Bullgarisë nuk ka si të arrijë, sepse këta njerëz nuk ndjekin faqen e ambasadës në internet. Shumica madje punojnë këtu edhe pa asnjë lloj sigurimi nga punëdhënësi. A nuk mund të gjendet një zgjidhje?”, pyet bashkatdhetarja jonë.
FOTO: Ani Petrova
Dhe pas këtyre pyetjeve, që lidhen me marrëdhëniet e punës, vjen radha e problemeve me të cilat përballen fëmijët e emigrantëve bullgarë kur aplikojnë në universitetet në atdhe. Rezulton se, pavarësisht zotërimit të mirë të gjuhës bullgare dhe posedimit të një certifikate për këtë, disa universitete i drejtojnë ata të japin provime si shtetas të huaj, jo në gjuhën bullgare, por në anglisht.
“Djali im ka mbaruar shkollën e së dielës, flet shumë mirë bullgarisht dhe dëshiron të studiojë në Bullgari”, shpjegon rastin një tjetër bashkatdhetare jonë që jeton në Athinë, dhe vazhdon:
FOTO: Universiteti i Mjeksisë në Plovdiv
“Fatkeqësisht, Universiteti i Mjekësisë në Plovdiv, që ta pranonte për studime, kërkoi që ai të jepte provime së bashku me nxënësit që kanë përfunduar arsimin e mesëm në Bullgari. E kuptoni që kjo është e pamundur për një fëmijë që ka përfunduar shkollën e mesme në një shkollë të së dielës në Greqi. Dhe u detyruam ta regjistronim në program në gjuhën angleze.”
Ekziston edhe një problem tjetër me regjistrimin në universitete, i cili lidhet me afatet për lëshimin e diplomave nga shtetet përkatëse – shton prof. asoc. Adriana Ljubenova nga Universiteti i Plovdivit “Paisij Hilendarski”.
Adrijana Ljubenova
FOTO: BNR Plovdiv
“Në disa raste diplomat lëshohen madje në shtator, siç ndodh në Mbretërinë e Bashkuar. Edhe nëse studentët arrijnë të paraqiten në provim dhe ta kalojnë atë, mospërputhja e afateve (mes lëshimit të diplomës dhe provimeve) i privon nga mundësia për t’u regjistruar më pas në universitete.”
Të gjitha këto probleme u diskutuan, por a do të dëgjohen dhe a do të zgjidhen në të ardhmen – mbetet për t’u parë.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello