SHOQËRI

Artikull

Sara Alfayez nga Jordania: Bullgaria më dha krahë për shkencën

Enjte, 26 Mars 2026, 07:00

Sara Alfayez

Sara Alfayez

FOTO: Arkiv personal

Madhësia e shkronjave

25-vjeçarja Sara Alfayez nga Jordania zgjedh Bullgarinë për të vazhduar rrugën e saj akademike në një nga institucionet më prestigjioze arsimore në vend –Universiteti i Sofjes "Shën Kliment Ohridski". Këtu ajo ndjek studime master në gjenetikë dhe gjenomikë me fokus në gjenetikën e kancerit, çrregullimet kromozomale, mjekësinë molekulare dhe riprodhuese. Vendimi i saj nuk është i rastësishëm – ai është i frymëzuar si nga tradita familjare, ashtu edhe nga mundësitë që ofron vendi ynë.  Pasi përfundon studimet bachelor në inxhinieri gjenetike dhe bioteknologji në Universitetin Jordanez, Sara planifikon të vazhdojë arsimin e saj në Evropë. Bullgaria rezulton të jetë zgjedhja natyrore – vendi ku edhe babai i saj ka studiuar dhe ka mbrojtur doktoraturën.

Ljubomir Kollarov, Nina Caneva dhe Sarah Alfayez

FOTO: BNR

“U frymëzova thellësisht nga babai im, i cili gjithmonë fliste për Bullgarinë si një qendër të fortë arsimore. Vendimi im për të ardhur në Sofje ishte edhe një mënyrë për të ndjekur rrugën e tij. Këtu zbulova mundësi për zhvillim në fushën e gjenetikës së kancerit, çrregullimeve kromozomale dhe mjekësisë riprodhuese. Studimi në një mjedis ndërkombëtar është vërtet pasurues – me kolegët e mi jemi nga shtete të ndryshme, por mësimi zhvillohet në gjuhën angleze. Bashkëpunimi dhe mbështetja shkencore janë pjesë thelbësore e jetës sonë akademike. Më pret mbrojtja e tezës së diplomës dhe e shoh këtë me besim dhe emocion. Gjatë studimeve pata fatin të punoj në laboratorë me doktorë dhe kolegë të jashtëzakonshëm dhe mbështetës.”

Sara thekson se programi master në Bullgari i jep më shumë liri për punë kërkimore dhe aktivitet praktik.

“Studimet bachelor i kisha shumë strikte – me shumë provime dhe punë laboratorike. Në Bullgari mësimi është në një nivel tjetër – më i fokusuar te kërkimi shkencor. Kemi më shumë praktikë dhe punë në laboratorë, më pak teori dhe më shumë mundësi për punë të pavarur.”

FOTO: Arkiv personal

Kjo më ndihmoi të rritem profesionalisht dhe të fitoj vetëbesim si shkencëtare e re – thotë e reja. Përveç studimeve, Sara punon në dy vende – në një klinikë pediatrike dhe në një laborator patologjik, si dhe merr pjesë në forume të ndryshme shkencore. Pikërisht mjedisin praktik ajo e përcakton si një nga përparësitë më të vlefshme të studimit të saj në vendin tonë.

Jeta në Bullgari i sjell edhe zhvillim personal – mjedisi ndërkombëtar në universitet e ndihmon të ndërtojë pavarësi dhe aftësi përshtatëse.

“Jeta në Bullgari më dha mundësinë të krijoj miqësi me njerëz nga Bullgaria, nga Evropa dhe nga bota arabe – kjo më dha ndjesinë se nuk jam vetëm këtu. Kjo më ndihmoi të ndërtoj pavarësinë time, por edhe të jem më e adaptueshme. Çdo ditë mësoj më shumë për kulturën dhe traditat bullgare. Megjithatë, të mos harrojmë se babai im, duke pasur përvojë në Bullgari, më ndihmoi shumë për përshtatjen këtu. Fillimisht ai më shoqëroi në Sofje, por shpejt pas kësaj tha se duhet të jem e pavarur dhe u kthye në Jordani.”

FOTO: Arkiv personal

Sara nuk ka përjetuar shok kulturor kur erdhi në Bullgari, ndoshta për shkak të shumë miqve që babai i saj ka në vend dhe sepse ajo ishte e njohur me realitetin bullgar. Ajo thotë se kultura bullgare është jashtëzakonisht interesante dhe njeriu duhet vetë të zhytet në të. Megjithatë, ka disa gjëra në jetën tonë që i kanë bërë përshtypje të fortë: “Për shembull ditëlindjet. Në Jordani ne i festojmë ditëlindjet në mënyrë të ndryshme, ndërsa këtu ju mblidhni shumë miq në këtë ditë. Në kuzhinë gjej disa ngjashmëri, si për shembull musakaja me patëllxhan.” Sara ndan se arsimi mjekësor në Bullgari gëzon autoritet edhe në vendin e saj, ku punojnë shumë mjekë të diplomuar këtu. Duke parë drejt së ardhmes, studiuesja e re planifikon të vazhdojë zhvillimin e saj në Gjermani me doktoraturë, por thekson se përvoja e saj në Bullgari është një etapë kyçe në rrugën e saj.

“E shoh të ardhmen me entuziazëm. Dua të vazhdoj të mësoj, të zhvillohem dhe të kontribuoj në komunitetin shkencor. Bashkëmoshatarëve të mi do t’u thosha atë që mësova nga nëna ime – disiplina është në themel të suksesit.” Historia e Sara Alfayez na jep besim se Bullgaria vazhdon të mbrojë imazhin e saj si një qendër tërheqëse për të rinj nga vende të ndryshme – një vend ku tradita në arsimin mjekësor takon brezin e ri të shkencëtarëve me ambicie për të ndryshuar botën.


Intervistë: Nina Caneva

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski