HISTORI

Artikull

Kisha “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” – shtëpia shpirtërore e besimit dhe shpresës

Pesë vjet nga shugurimi i saj feston kisha e parë funksionale në Dioqezën e Sofjes, kushtuar këtij kremti të Hyjlindëses

Mërkurë, 25 Mars 2026, 14:16

Kisha “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” – shtëpia shpirtërore e besimit dhe shpresës

FOTO: Darina Grigorova

Madhësia e shkronjave

Më 25 mars çdo vit, Kisha Ortodokse Bullgare shënon një nga festat më të ndritshme të krishterimit – Ungjillëzimin e Hyjlindëses, në të cilin Kryeengjëlli Gabriel i lajmëron Virgjëreshës Mari se u zgjodh të lindë Shpëtimtarin e botës. Maria e pranon me përulësi lajmin e mirë dhe vullnetin e Zotit, që të përmbushet premtimi i lashtë për shpëtimin e njerëzimit. Në këtë mënyrë, përmes Shën Marisë, amësia shndërrohet në një akt të shenjtë, të bekuar nga Zoti. Prandaj, në traditën ortodokse, kjo festë kremtohet si shfaqja më e lartë e amësisë dhe thekson rolin e gruas si dhënëse e jetës dhe ruajtëse e familjes.

 

Në vitet 20-të dhe 30-të të shekullit të kaluar në Bullgari, Ungjillëzimi i Hyjlindëses ishte dita kryesore për nderimin e nënës dhe gruas dhe një nga festat më të respektuara. Me ardhjen e socializmit, fokusi u zhvendos drejt rolit të grave në krijimin e të mirave materiale dhe të drejtave të tyre të barabarta në shoqërinë moderne. Pas ndryshimeve demokratike në vitet 90-të të shekullit të XX-të, festa riktheu kuptimin e saj shpirtëror dhe afirmoi gruan si dhënëse e jetës dhe ruajtëse e familjes — Kisha e vogël e Zotit, ku nëna edukon fëmijët në virtytet e krishtera.

FOTO: Darina Grigorova

Ditën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses, kishat dhe manastiret mbushen me shumë familje dhe besimtarë për Liturgjinë e Shenjtë Festive, gjatë së cilës, së bashku me klerin, i drejtojnë lutje Zotit dhe Nënës së Tij Mari.

Në këtë ditë u shugurua edhe një nga kishat ortodokse më të reja dhe më të rëndësishme në Sofje – “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në lagjen “Druzhba”, e cila e kremtoi pesëvjetorin e saj me një liturgji të shenjtë patrikane, të kryesuar nga Shenjtëria e Tij, Patriku bullgar Daniill. Kryeprifti i këtij tempulli është Ikonomi Stavrofor Emilian Kostadinov, i cili rrëfeu në një intervistë të veçantë për Radio Bullgaria mbi ndërtimin e tij.

At Emilian Kostadinov

FOTO: Darina Grigorova

“Ideja për këtë kishë lindi spontanisht - kujton prifti Emilian.  - Tek ne vijnë për meshë shumë të rinj. Kisha “Shën Profeti Ilija” ishte e vetmja, por është shumë më e vogël dhe kishte raste kur njerëzit nuk mund të mblidheshin në tempull dhe qëndronin jashtë. Nuk do ta harroj një të diele, kur po shërbeja dhe jashtë binte shi; nga altari pashë një familje – baba, nënë dhe një fëmijë i vogël në krahë – qëndronin jashtë. Qëndruan pak kohë dhe u larguan, dhe kjo më tronditi… Përpara kësaj gjithmonë flisnim se na duhej një kishë më e madhe, kishim menduar opsione, por kjo ishte pika që mbushi kupën. Ne e quajmë providencë të Zotit. Atëherë vendosëm, së bashku me kujdestarinë kishtare, të pyetnim opinionin e besimtarëve dhe të organizonim ndërtimin e një kishe të re. Kështu filloi gjithçka. Si çdo fillim, ishte i vështirë, patëm probleme të llojllojshme, nuk kishte asgjë që shkonte qetë, por me ndihmën e Zotit gjithçka u realizua.”

FOTO: Darina Grigorova

Ndërtimi zgjati 9 vite dhe në vitin 2021 u shugurua pikërisht më 25 mars Ditën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses nga Peshkopi i Bellogradçikut, Polikarp, atëherë vikari i Mitropolitit të Sofjes, Neofit, Patrik i Bullgarisë. “Gjithçka që bëhet këtu është për lavdinë e Zotit”, thotë prifti Emilian, dhe vë në dukje se me nismën e Vëllazërisë Ortodokse pranë kishës funksionon një kuzhinë për njerëzit në nevojë. “Qëllimi është që njerëzit të marrin ushqim jo thjesht si një ndihmë për

të varfrit, por si një bekim”, shpjegon prifti. “Çdo person ka kishën e tij të lagjes, ku jeton sipas vendbanimit. Ky është vendi ku ai duhet të shkojë në kishë, ku priftërinjtë duhet ta njohin dhe të dinë se cila është situata e tij, dhe kur ai ka nevojë - t’i jepet ndihmë. Ne mund të ndihmojmë këdo me ushqim. Nuk pyesim kush është i krishterë, u japim të gjithëve. Nëse ka ardhur, atëherë i duhet.

FOTO: Kisha “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”/Facebook

Ashtu si në shumicën e kishave të lagjeve në Sofje, edhe këtu funksionon një shkollë e së dielës për fëmijë, ndërsa dy herë në muaj organizohen edhe ligjërata për të rritur. “Përpiqemi të tërheqim njerëzit dhe mundohemi t’i afrojmë me Kishën, sepse në Kishë mësohen virtytet. Ka shumë rezistencë kur nuk ka mësim fetar; siç thonë – një popull i paarsimuar lehtë udhëhiqet”, thekson prifti Emilian, dhe nënvizon se kur të gjithë mblidhen së bashku para altarit të Zotit, lutja bëhet e fuqishme dhe më e dëgjuar nga Zoti dhe Shën Hyjlindësja:

 

“Nëna e Shenjtë e Zotit është ndërmjetëse për ne njerëzit. Ajo na mbulon me qefinin e saj, na mbron dhe na ruan. Gëzohet kur bëjmë të mirë dhe vuajt kur bëjmë të keqe. Ne njerëzit e kemi lënduar më shumë se gjithkush – kemi vrarë Fëmijën e saj, e kemi kryqëzuar, dhe pavarësisht gjithçkaje, ajo mbetet ndërmjetësja më e zjarrtë për ne para Birit të saj dhe para Trinisë së Shenjtë. Prandaj, është e drejtë ta nderojmë dhe ta respektojmë – dhe jo vetëm atë, por veçanërisht atë – me dashuri dhe mirënjohje.”

FOTO: Mitropolia e Shenjtë e Sofjes

Në fund të bisedës, prifti Emilian iu drejtohet të rinjve me një urim:

 

“Të jenë të shëndetshëm, të jenë të arsyeshëm, në jetë të mos jenë si të lëshuara rastësisht, por si njerëz nga të cilët varet diçka. Kjo gjë arrihet kur njeriu ka në vetvete shkëndijën e Zotit. Vetëm atëherë mund të dallojë të mirën nga e keqja. Dua t’u uroj atyre të jenë të mirë, të mëshirshëm dhe që në çdo çast, kur kanë nevojë për mbrojtje, të kërkojnë mbrojtësin e tyre më të madh – Shpëtimtarin.”

 

 

FOTO: Darina Grigorova

Lexoni më shumë nga koleksioni i Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova