KULTURË

Artikull

Desisllava Kostadinova me reflektim krijues për ndarjen në shoqërinë tonë

Ekspozita e saj “Mund të ulesh me mua” dërgon një thirrje për përfshirje dhe bashkëndjeshmëri

Hënë, 30 Mars 2026, 07:00

Desisllava Kostadinova me reflektim krijues për ndarjen në shoqërinë tonë

FOTO: Diana Cankova

Madhësia e shkronjave

Galeria-librari e kryeqytetit “Sofia Press” zgjedh ekspozitën You can sit with us të Desisllava Kostadinova si një lloj përmbledhjeje në prag të dekadës së saj të tretë. Mes gjallërisë së pikturave në mure lind megjithatë edhe një pyetje ekzistenciale – për kufirin e hollë midis përfshirjes dhe fshirjes së individualitetit në emër të të qenit i pranuar.

FOTO: Diana Cankova

Titulli që Desisllava Kostadinova vendos për ekspozitën e saj është një lloj loje me shprehjen e njohur You can’t sit with us. “Kuptimi i kësaj fraze është se refuzon dikë nga grupi, pasi nuk përputhet me standardet – të modës ose shoqërore”, shpjegon ajo. Në dallim nga ky akt i pamëshirshëm, artistja zgjedh një thirrje për bashkëndjeshmëri.

FOTO: Diana Cankova

“Nevoja e individit për kontakte shoqërore, pa mohuar nevojën që të ndajë një pjesë nga koha e çmuar për secilin për të qëndruar vetëm me veten, është parakusht për shëndet fizik dhe mendor – shton Desisllava Kostadinova. – Prirja e njerëzve për t’u bashkuar, që të shprehen dhe të tregojnë forcën e tyre dhe në të njëjtën kohë të largojnë dikë tjetër, kjo është tema që kërkova. Ajo lidhet gjithashtu me refuzimin e njeriut nga rrjetet sociale – e ashtuquajtura ‘cancel culture’, dhe dënimin e tij publik, që çon në izolim. Pyetje thelbësore është gjithashtu nëse njerëzit introvertë në fakt nuk zgjedhin vetë vetminë për t’u mbrojtur nga ostracizmi, i cili është një problem që ekziston që nga lashtësia, si edhe nëse refuzimi, në vend që të pranohesh në një mjedis, nuk është një nga ndëshkimet më të mëdha.”

FOTO: Diana Cankova

Desisllava Kostadinova thekson edhe ndarjen në të gjitha nivelet në shoqërinë tonë, e cila, sipas saj, është artificiale, e imponuar nga arsimi, mediat, politika. Madje ajo kthehet edhe në kohët biblike: “Ndoshta kemi një kompleks nga dëbimi i Adamit dhe Evës nga kopshti i parajsës, të cilin ia shkaktojmë vazhdimisht vetes dhe në këtë mënyrë jemi të ndarë dhe të kontrolluar.”

FOTO: Diana Cankova

Për krijimin e natyrave të qeta, kompozimeve dhe portreteve të saj, artistja, e cila ka përfunduar pikturë në Akademinë Kombëtare të Arteve në klasën e Andrej Daniell, preferon teknikën klasike me vaj, që kërkon shtresim të ngadaltë, dhe formatin e vogël, që nxit afrimin dhe vëzhgimin nga afër. Këtu mund të gjejmë gjithashtu një alternativë ndaj mjedisit shoqëror në të cilin jetojmë – lëvizja e shpejtë (scroll), vëmendja e përkohshme, frika nga refuzimi nëse nuk përshtatesh.

FOTO: Diana Cankova

Qëndrojmë para disa pikturave. E para prej tyre me emrin “Oh, qiej” duket sikur na çon në parajsë – qiell i pastër me re të buta dhe atje, mbi barin e gjelbër, vendosen fruta me ngjyra të ndritshme.

FOTO: Diana Cankova

Përballë hyrjes së galerisë ndodhemi para një dritareje të madhe – në këmbët e një mali madhështor dhe një blu e qetë ngrihen majat e shtëpive të unifikuara, ndërsa mes tyre – monumenti i rrëzuar me automatikun “Shmajzer” i një ushtari sovjetik. “Një ditë po pikturoja diçka në atelier dhe pashë monumentin si një figurë shahu dhe kështu lindi e gjithë kompozita”, thotë autorja e saj.

Një djalosh me emrin Martin me kubin e Rubikut në duar, i ulur mbi një qilim shumëngjyrësh me fije të ndërthurura, i krijuar nga gjyshja, na kthen në fëmijëri.

FOTO: Diana Cankova

“E vërteta është se e pikturova tablonë me porosi, por e mbajta për vete – pranon Desisllava Kostadinova. – Fëmija ishte vetëm tre vjeç, por kuptonte gjithçka dhe kjo shihet në shikimin e tij. Ai mban kubin e tij të Rubikut – në të janë përgjigjet dhe zgjidhjet e gjërave që do t’i ndodhin. Qilimi shumëngjyrësh është personifikim i asaj se sa e larmishme është jeta.”

FOTO: Diana Cankova

Me ekspozitën e saj Desisllava Kostadinova dërgon ftesën “Mund të ulesh me mua” për të gjithë njerëzit tani, këtu, jashtë, në botën e gjerë – “të ulen dhe të bisedojnë, të mos vetëizolohen dhe të mos përjashtojnë njëri-tjetrin”.

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski