KULTURË

Artikull

Daniella Dimova: Teatri është magjia që e bën jetën shumëngjyrëshe

Në Ditën Botërore të Teatrit bisedojmë me primadonën operistike Daniella Dimova – drejtoreshë e Qendrës së Prodhimit të Teatrit dhe Muzikës - Varna, krijuese, menaxhere, veprimtare shoqërore dhe një nga personalitetet më të ndritura në jetën kulturore të kryeqytetit tonë detar

Premte, 27 Mars 2026, 07:00

Daniella Dimova

Daniella Dimova

FOTO: Facebook/ Daniella Dimova

Madhësia e shkronjave

Daniella Dimova ka përfunduar këndim operistik në NMA “Prof. Panço Vlladigerov” në klasën prestigjioze të një prej interpretueseve më të rafinuara bullgare – prof. Resa Koleva. Është specializuar në Romë dhe Milano, si edhe pranë solistes së njohur të Operës Shtetërore të Vjenës Margarita Lillova. Në vitin 1990 Dimova debuton në skenë në Ruse, ndërsa nga 1991 deri në 2009 është soliste e Operës së Varnës. Ka diplomë master në art-menaxhim nga NATFIZ “Krëstjo Sarafov”. Që nga fundi i vitit 2009 është drejtoreshë e Shoqërisë Operistike-Filharmonike në Varna, ndërsa një vit më vonë fiton edhe konkursin për drejtoreshë të strukturës së re organizative: Qendra Teatrore-Muzikore Producenti – Varna, ku janë bashkuar Opera e Varnës dhe Teatri Dramatik “Stojan Bëçvarov”. Është fituese e një sërë çmimesh prestigjioze, “Kavalier i Urdhrit për Art dhe Letërsi i Francës” dhe çmimi “Shqiponja e Artë e Italisë” për kontribut kulturor dhe partneritet me teatro dhe krijues kryesorë operistikë italianë. Në fillim të marsit 2026, kryetari i “Alliance Française – Varna” Ljubomir Kalludov i dorëzoi Daniella Dimova Çmimin e Aleancës për vitin 2025.

Daniella Dimova dhe Ljubomir Kalludov

FOTO: operavarna.com

Dita Botërore e Teatrit është arsye për pyetjen e parë të Radio Bullgarisë drejtuar Daniella Dimova – çfarë është për të teatri?

“Teatri është magjia, pa të cilën jeta jonë nuk do të ishte kaq e plotë, shumëngjyrëshe dhe kaq emocionuese! Për fatin tim unë kam mundësinë (vite më parë si artiste, ndërsa në sezonet e fundit edhe si drejtuese) të komunikoj me fytyrat e ndryshme të teatrit. Kemi një trupë teatrale të jashtëzakonshme, me shumë vlerësime në skena të ndryshme në Bullgari, si edhe në disa festivale jashtë vendit. Teatri i vallëzimit, në personin e trupës sonë baleti multinacionale, korr duartrokitje në shumë vende të botës dhe, natyrisht, në Varna dhe në Bullgari! Dhe në fund: më e ndërlikuara nga të gjitha artet – arti operistik, koncertet simfonike dhe magjia që na jep teatri muzikor!”

FOTO: tmpcvarna.com

Aktualisht është në kulmin e tij edicioni jubilar i 25-të i Festivalit Muzikor të Pashkëve në qytet. Këtë vit ai u hap me një koncert madhështor nën dirigjimin e dirigjentit të ftuar të përhershëm Pavell Balev.

FOTO: Facebook/ Daniella Dimova

Ndërsa më 21 prill dashamirësit e operës janë të ftuar në një ngjarje të rëndësishme – vizita e parë në qytet e madhështorit Plácido Domingo, i cili do të këndojë në një skenë me solistët e Operës së Varnës Aleksandrina Mihajllova, Ilina Mihajllova, Valeri Georgiev dhe Rejnaldo Droz me orkestrën e Operës Shtetërore të Varnës nën dirigjimin e Najden Todorov.

Pa dyshim, programi i Festivalit Muzikor të Pashkëve është jashtëzakonisht ambicioz. Por jeta kulturore dhe muzikore në Varna vlon gjatë gjithë vitit, veçanërisht gjatë verës – me festivalin tradicional “Vera e Varnës”. Daniella Dimova është në themel të një festivali tjetër veror ndërkombëtar – “Opera në Teatrin Veror”.

FOTO: BTA

Kryeqyteti ynë detar është një nga qendrat më të mëdha turistike në vend, cili është roli i Qendrës Teatrore-Muzikore Producenti për zhvillimin e turizmit kulturor në qytet?

“Krijuam ‘Opera në Teatrin Veror’ para 17 vitesh, gjatë të cilave festivali fitoi popullaritet dhe u shndërrua në një markë të operës dhe të qytetit tonë” – tregon Dimova. Forumi fillon në mes të qershorit dhe përfundon në fund të gushtit dhe zakonisht ofron rreth 20 ngjarje. Programi për vitin 2026 është shpallur dhe është hedhur në shitje që në fillim të dhjetorit 2025, gjë që u jep mundësi shumë operatorëve turistikë dhe menaxherëve të hoteleve në Varna dhe në resortet përreth ta prezantojnë programin tek klientët e tyre.

FOTO: operavarna.com

“Fakti që nga të gjithë vizitorët e Teatrit Veror, jo më pak se 15-20 për qind janë të huaj, ndonjëherë arrijnë deri në 30%, na jep arsye të mendojmë se jemi në rrugën e duhur, se kjo është mënyra për të zhvilluar këtë festival dhe që të dëgjohet për ne përtej kufijve të Bullgarisë” – thotë Daniella Dimova. Mbi 70 për qind e shfaqjeve dhe koncerteve janë plotësisht të shitura, në vend të parë mjuzikëll-et.

FOTO: Facebook/ Jessica Pratt

Ndër theksimet e “Opera në Teatrin Veror”, zonja Dimova përmend një galakoncert me pjesëmarrjen e Ermonela Jaho – shqiptarja që ka pushtuar teatrot më të mëdha operistike botërore në tre dekadat e fundit. Një tjetër superyll i operës bashkëkohore – Jessica Pratt, së fundmi triumfuese në Sofje, do të interpretojë rolin kryesor në shfaqjen e “Norma” nga Bellini.

Në fillim të bisedës Daniella Dimova ndau se çfarë është për të teatri. Në fund e pyesim – çfarë është për të Varna?

FOTO: BTA

“Varna është qyteti im i lindjes. Unë jam brezi i tretë varnjake. Jam rritur me zhurmën e detit, me britmën e pulëbardhave dhe me flladin e hershëm, që ndonjëherë është i ashpër… Varna është zemra ime! Këtu ndihem më e lumtur dhe gëzohem që kam mundësinë të punoj në qytetin tim të lindjes, të jap gjithçka që jam në gjendje. Sepse, më besoni, njerëzit në Varna kanë shije shumë të rafinuar. Si qytet detar, portual, madje edhe para 50, 60, 70 vitesh këta njerëz kanë pasur mundësinë të komunikojnë me të gjithë ata që udhëtonin, me “familjet detare”, që kanë vizituar vende dhe kontinente të ndryshme. Dhe në Varna gjithmonë ka pasur një frymë shumë më të ndryshme. Kjo e ka dalluar qytetin tim të lindjes në vitet e kaluara. Tani, natyrisht, të gjithë mund të udhëtojnë dhe të marrin nga burimi i parë. Por pse flas për shijen dhe kërkesat e larta të varnjakut – sepse takimi i tij me botën e gjerë ka qenë shumë përpara se kjo të bëhej e arritshme në 30 vitet e fundit për një pjesë të madhe të shoqërisë bullgare. Kjo vendos përpara nesh kushtin të jemi më të mirët, të mund të ofrojmë shfaqje dhe koncerte kaq të bukura për publikun tonë, që ai të vijë tek ne dhe të presë me padurim të shpallim programin tonë të radhës.”


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski