SPORT

Artikull

Sofja mbledh gra nga e gjithë bota për Kupën e Botës në gjimnastikë ritmike

Bullgaria do të përfaqësohet nga Stilijana Nikollova, Eva Brezalieva dhe ansambli i rinovuar

Shtunë, 28 Mars 2026, 08:00

Sofja mbledh gra nga e gjithë bota për Kupën e Botës në gjimnastikë ritmike

FOTO: BTA (arkiv)

Madhësia e shkronjave

Nëntëdhjetë e katër garuese individuale dhe 22 ansamble nga 52 shtete do të garojnë për vendet e para nga 28 deri më 30 mars në sallën “Arena Sofja”. Interesi për Kupën e Botës është i madh, pasi ajo është pjesë e kualifikimeve për Lojërat Olimpike. Do të marrin pjesë të gjitha yjet e këtij sporti, me përjashtim të medalistes së artë nga Parisi 2024, Darija Varfolomeev (Gjermani).

Stilijana Nikollova dhe Eva Brezalieva

FOTO: Federata Bullgare e Gjimnastikës Ritmike

Vendi ynë do të përfaqësohet në garën individuale nga Stilijana Nikollova dhe Eva Brezalieva. Gjimnastet do të prezantojnë para publikut kombinimet e tyre të reja, si dhe ato me të cilat do të garojnë gjatë këtij viti, të pasuruara me elemente të reja.

Në ansamblin me përbërje Sofija Ivanova, Raja Bozhillova, Magdalena Vëllkova, Magdalina Minevska dhe Emilija Obretenova do të shohim dy debutuese, pasi trajnerja Vesella Dimitrova aktualisht përpiqet të ndërtojë përbërjen më të mirë të mundshme.

Rosina Atanasova

FOTO: BTA

Ansambli ka dy kompozime të reja, të cilat janë vërtet kryevepra – thotë Rosina Atanasova, sekretare e përgjithshme e Federatës Bullgare të Gjimnastikës Ritmike. – Këto kombinime të jashtëzakonshme janë vepër e Vesella Dimitrovës, e cila edhe këtë herë e ka tejkaluar veten. Në garën individuale Eva Brezalieva është me një program krejtësisht të ri në të katër aparatet me emrin ‘Të vallëzosh ëndrrat e tua’, ndërsa Stilijana Nikollova do të ruajë programin e vitit të kaluar, me përjashtim të rrethit, por kompozimet e tjera janë mjaft të ndryshuara dhe të vështirësuara. Sa i përket muzikës, kombinimi me pesë topa i ansamblit është krijuar mbi rekuiemin e Xhuzepe Verdit, ndërsa kombinimi tjetër është i bazuar në një lojë muzikore me përfshirjen e ‘Misterit të zërave bullgarë’. Stilijana Nikollova gjithashtu do të garojë me muzikë klasike (pjesë nga koncerti i parë për piano i Çajkovskit) dhe kjo do të ndodhë për herë të parë në rreth. Të gjitha kompozimet janë shumë të ndryshme nga ana stilistike dhe ideja është që në secilën prej tyre të marrë jetë një imazh i ndryshëm.

Ansambli i gjimnastikës ritmike demonstron një kombinim

FOTO: BTA

Përgatitja e vajzave bullgare po ecën mirë, siguron Rosina Atanasova. “Shpresoj që ato të luajnë sa më mirë kombinimet e tyre në garën e parë të sezonit, duke pasur parasysh se përgatitja është e orientuar drejt kampionatit evropian në maj dhe atij botëror në gusht”, shton ajo në një intervistë për Radio Bullgarinë.

Taisia Onofriçuk nga Ukraina

FOTO: besarabia.bg

Konkurrencën më të madhe për gjimnastet bullgare sekretarja e përgjithshme e sheh te Taisia Onofriçuk nga Ukraina, e cila po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm, si dhe te ylli italian Sofija Rafaeli dhe prania e fortë e përfaqësueseve të Uzbekistanit. Për herë të parë, si atletë neutralë do të marrin pjesë gjimnaste ruse dhe Alina Harnasko – përfaqësuesja më e fortë e Bjellorusisë. Një fillim i mirë pritet edhe nga sportiste të reja me rezultate të shkëlqyera te të rejat, të cilat për herë të parë do të garojnë te gratë.

Alina Harnasko (Bjellorusi)

FOTO: Komiteti Olimpik Kombëtar i Republikës së Bjellorusisë

Në hapjen të shtunën do të ketë surpriza të këndshme për publikun. “Do të prezantohen sportistët tanë të rinj dhe fëmijë. Si gjithmonë jemi përpjekur që të jetë shumë bukur dhe me klas”, zbulon Rosina Atanasova.

Dyqind e dhjetë fëmijë si engjëj të vegjël të mirësisë do të mbushin tapetin në një kompozim masiv, që mbart një mesazh për dashuri, dritë dhe shtëpi. Nën tingujt e këngës së përjetshme ‘Obllaçe le bjlalo’, e interpretuar live nga Filip Donkov me shoqërim në piano dhe kitarë, Sofja do të marrë frymë në ritmin e shpirtit bullgar”, njofton në faqen e saj në Facebook Federata Bullgare e Gjimnastikës Ritmike.

Vasilena Bogdanova

FOTO: RG "Olympia 74"

Skena do të ndahet edhe nga historia frymëzuese e Vasilena Bogdanova – sportiste me sindromën Down. Medalistja e argjendtë nga një kampionat botëror do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror për sportistë me sindromën Down në pesë sporte, përfshirë gjimnastikën ritmike, i cili do të zhvillohet në Sofje nga 13 deri më 19 qershor. “Hapja e Kupës së Botës do të jetë edhe një mesazh i fortë për mbështetje, barazi dhe frymëzim para këtij forumi të rëndësishëm”, theksojnë nga federata.

Morinari Vatanabe

FOTO: BTA (arkiv)

Kupa e Botës do të nderohet në nivelin më të lartë – do të marrin pjesë presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës Morinari Vatanabe, tre nga zëvendëspresidentët dhe presidentja e komitetit teknik për gjimnastikë ritmike Noha Abu Shabana. Sipas Rosina Atanasovës kjo lidhet me zbatimin e një sistemi të ri vlerësimi nga kompania japoneze “Seiko”, i cili do të përdoret për herë të parë.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski