Artikull
Realitet me Drago dhe Draga – familja më e njohur e lejlekëve në Bullgari
Dielë 29 Mars 2026 07:00
Dielë, 29 Mars 2026, 07:00
FOTO: YouTube
Madhësia e shkronjave
Ekziston një besim se foletë e lejlekëve janë një bekim i vërtetë për shtëpinë ose fshatin ku janë ndërtuar. Me ardhjen e marsit fillojmë të ndjekim me padurim se kur banorët e tyre do të kthehen, sepse zogjtë shtegtarë janë simbol i pranverës dhe ripërtëritjes së jetës.
Që nga viti 2019 kemi mundësinë të jemi dëshmitarë të jetës familjare të Drago dhe Draga – dy lejlekë të bardhë që bëjnë folenë në fshatin Dragushinovo të Samokovit (Bullgaria Perëndimore). Me iniciativë të Shoqatës Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve në folenë e tyre është vendosur një kamerë, me të cilën në kohë reale bëhemi dëshmitarë të kthimit të zogjve në fole, hedhjes së vezëve, çeljes së të vegjëlve, kujdesit të përkushtuar të prindërve për ta dhe fluturimeve të tyre të para.
Drago dhe Draga tashmë janë në shtëpinë e tyre dhe kamera transmeton çdo moment të jetës së tyre të përditshme në fole, njoftuan nga Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve. Urojmë që këtë vit Drago dhe Draga të rrisin pasardhës të shëndetshëm dhe të jemi dëshmitarë të momenteve të vlefshme si çelja e të vegjëlve dhe fluturimi i tyre i parë, thanë nga organizata, të cituar nga BTA.
Përveçse tërheq një audiencë prej miliona njerëzish nga e gjithë bota, vëzhgimi i jetës së familjes së lejlekëve të bardhë ofron informacion të vlefshëm për biologjinë dhe ekologjinë e llojit dhe për kërcënimet që e rrezikojnë atë. Të dhënat do të shërbejnë për planifikimin e aktiviteteve të ardhshme për mbrojtjen e tij, kujtojnë nga organizata.
Përpiloi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski