MUZIKË

Artikel

Kënga “Pranvera e panjës”

Fituese e parë e konkursit të njohur muzikor “Pranvera” të Radios Kombëtare Bullgare

Premte, 27 Mars 2026, 19:05

Kënga “Pranvera e panjës”

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Në fillim të vitit 1970, Radioja Kombëtare Bullgare shpall një konkurs të ri muzikor me qëllim të frymëzojë krijuesit vendas për të krijuar këngë cilësore pop dhe rock. Deri më sot, konkursi “Pranvera”, që zhvillohet çdo vit, mbetet një nga forumet më me autoritetipër takimin dhe konkurrimin mes kompozitorëve, tekstshkruesve dhe interpretuesve në Bullgari. Një juri e specializuar e përbërë nga redaktorë muzikorë, gazetarë, inxhinierë zëri dhe producentë nga radioja vlerëson pjesëmarrësit. Në ditët e sotme, autorët dhe interpretuesit e nominuar dhe të vlerësuar kanë mundësi të regjistrojnë vepra të reja, të realizojnë koncerte në Studion e Parë të Radios, ndërsa Çmimi i Madh siguron pjesëmarrje në festivalin “Eurosonic Noorderslag” në Holandë.

Edicioni i parë i konkursit pranveror radiofonik për këngë të reja argëtuese bullgare u zhvillua në mars të vitit 1970. Vendimtare për renditjen ishte opinioni i dëgjuesve, të cilët votonin me postë. Publiku tregoi interes të madh – u dërguan mbi 1800 letra me vlerësime për 15 këngët pjesëmarrëse. Fitues u shpall “Pranvera e panjës” – një miniaturë plot gjallëri, me një melodi tërheqëse dhe një aranzhim mjeshtërornga Svetozar Rusinov.

Svetozar Rusinov

FOTO: ubc-bg.com

Teksti poetik i Dimitër Toçev lartëson bukurinë e pafund të një peme panje, nga e cila gëzohen si pylli, ashtu edhe mali, zogjtë, dielli dhe era.

Kompozitori Svetozar Rusinov në atë kohë ishte 37 vjeç dhe ishte saksofonist në Big Bendin e Radios Kombëtare Bullgare. Ai u diplomua në Akademinë e Muzikës në Sofje për klarinetë, por që si student filloi të luante në saksofon në orkestrën e Cirkut Shtetëror të Sofjes. Në vitin 1963 u punësua në Big Bendin e BNR-së, ku shpesh u paraqit si solist. Gjatë viteve 60-të të shekullit të kaluar, Rusinov u bë i njohur si autor i këngëve lirike. Që këngët e para – “Të dua” dhe “Tufa të argjendta”, të interpretuara nga Jordanka Hristova dhe Georgi Minçev – fituan popullaritet me meloditë e tyre prekëse. Në vitin 1967, “Ninulla e Sozopolit”, me tekst të Bogomill Gudevit dhe në interpretimin delikat të Georgi Kordovit, u vlerësua me çmimin e dytë në Festivalin Ndërkombëtar “Orfeu i Artë”. Një vit më vonë, Rusinov dhe Kuarteti i famshëm “Do-re-mi-fa” (formacioni i parë vokal femëror në muzikën pop bullgare) morën Çmimin e Sofjes për “Vjeshta e Artë e Sofjes”, me tekst të Georgi Bakallovit. Suksesi i kësaj kënge të njohur, e interpretuar nga katër gra të reja tërheqëse, ka gjasa ta kishte frymëzuar kompozitorin të krijojë këngën “Pranvera e panjës” për një trio femërore. Pikërisht përzgjedhja e interpretueseve siguroi fitoren e padiskutueshme në Konkursin Pranveror të Radios.

Tri zanat e reja të skenës muzikore bullgare – Pasha Hristova, Maria Nejkovа dhe Mimi Ivanova – ishin aq të talentuara, të bukura, me zë të fuqishëm, karizmatike dhe absolutisht të parezistueshme, saqë në mënyrë të padiskutueshme tejkaluan konkurrencën e kolegëve të tyre të njohur.“Pranvera e panjës”, e ndritshme dhe plot jetë, i shndërroi të tria këngëtaret në yje të vërteta. Vetëm disa muaj më vonë, fantastikja Pasha Hristova triumfoi në festivalin “Orfeu i Artë”, duke fituar Çmimin e Madh për “Fryj, o erë” të Josif Cankovit dhe çmimin e parë për “Një trëndafil bullgar” të Dimitër Vëllçevit.


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova