Shtunë 28 Mars 2026 07:20
Shtunë, 28 Mars 2026, 07:20
Marta Kos
FOTO: European Union
Madhësia e shkronjave
Eurokomisionerja Marta Kos hodhi poshtë një kërkesë nga Serbia dhe Shqipëria
Hyrja në Shengen ose në tregun e përbashkët të BE-së, e kërkuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kërkon reforma që janë po aq të vështira sa ato për anëtarësim në BE. Këtë e deklaroi eurokomisionerja për zgjerimin Marta Kos në një konferencë për shtyp në Bruksel.
Në një artikull editorial për Frankfurter Allgemeine Zeitung, Rama dhe Vuçiç u ankuan për ritmin e ngadaltë të integrimit në BE, të cilin e atribuojnë “reformave të brendshme, tensioneve gjeopolitike, kufizimeve institucionale dhe frikërave legjitime të shteteve anëtare”".
Të dy liderët duan që vendet e tyre të përfshihen në tregun e përbashkët dhe në Shengen, pa marrë të drejtën e vetos që kanë anëtarët e plotë të BE-së, njofton BTA.
FOTO: rtvslo.si
Priten negociata të vështira për formimin e një koalicioni qeverisës në Slloveni
Partia e majtë në pushtet “Lëvizja Liria” fitoi me një diferencë minimale në zgjedhjet parlamentare në Slloveni. Opozita e djathtë “Partia Demokratike Sllovene” kërkoi rinumërim për shkak të diferencës së vogël prej 7700 votash.
Pas ndarjes nga Jugosllavia, këto janë zgjedhjet e 10-ta parlamentare në Slloveni. Për herë të parë që nga viti 2000, një kryeministër në detyrë arrin fitore, njofton BGNES. Pjesëmarrja prej 69% është e njëjtë me votimin e mëparshëm.
Me 28,6 për qind, e majta do të ketë 29 vende në parlamentin me 90 vende. E djathta, me 28,03 për qind, do të ketë 28 deputetë. Formimi i koalicionit të ardhshëm do të vendoset në negociata me 8 formacione të tjera që kaluan pragun prej 4% për hyrje në parlament, të cilat fituan mes 5 dhe 9 për qind të votave.
FOTO: sinjali.com
Në Kosovë po shihet mundësia për zgjedhje të treta të jashtëzakonshme parlamentare
Gjykata Kushtetuese e Kosovës hodhi poshtë dekretin e 6 marsit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e parlamentit të ri të vendit, të zgjedhur më 28 dhjetor 2025.
Deputetët kanë rreth një muaj kohë për të zgjedhur një president të ri të Republikës së Kosovës, vendosi gjykata. Nëse organi ligjvënës nuk zgjedh president, parlamenti shpërndahet dhe brenda 45 ditëve duhet të mbahen zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare.
Kosova është në një ngërç politik që nga zgjedhjet e shkurtit 2025. Mungesa e kulturës së kompromisit ndërpartiak rrezikon të krijojë një cikël të pafund krizash institucionale, thotë për radion Evropa e Lirë analisti Artan Muhaxhiri.
FOTO: peloponnisosnews.gr
Sindikata greke GSEE është e pakënaqur me pagën minimale prej 920 euro
Sindikata më e madhe kombëtare në Greqi, që përfaqëson punëtorët në sektorin privat – GSEE, e konsideroi të pamjaftueshme rritjen e pagës minimale në vend nga 880 në 920 euro, informon ekathimerini.com. Sipas sindikatës, rritja e pagës minimale bruto që qeveria greke parashikon nga 1 prilli është e pamjaftueshme për të përballuar rritjen e çmimeve të mallrave bazë, energjisë dhe banesave.
Studimet e Institutit të Punës pranë sindikatës tregojnë se një pjesë e madhe e punonjësve hasin vështirësi për të mbuluar nevojat bazë mujore, ndërsa Greqia mbetet poshtë në renditjen për fuqinë blerëse brenda BE-së. Parashikimi i GSEE për vitin 2026 e përcakton pagën minimale mujore bruto për një standard jetese të denjë në 1052 euro.
FOTO: national.ro
Lufta në Iran i shtyn rumunët të kërkojnë masivisht instalime gazi për makina
Qeveria rumune vendosi gjendje krize në tregun e karburanteve deri më 30 qershor. U vendos një tavan për marzhin tregtar përgjatë gjithë zinxhirit – nga rafineria deri te shitja përfundimtare – si dhe kufizime në eksportin e naftës dhe naftës bruto. Parashikohen edhe sanksione deri në 10% të xhiros.
Ndërkohë, rumunët kanë filluar masivisht të instalojnë sisteme gazi në automjetet e tyre. Ata synojnë të ulin kostot e karburantit, pasi çmimet e benzinës dhe naftës janë rritur ndjeshëm për shkak të luftës në Iran, njofton digi24.ro. Kërkesa për këtë shërbim ka në të gjitha qytetet e vendit, ndërsa në serviset e makinave janë krijuar edhe radhë. Çmimi i instalimit varion nga 813 deri në 1864 euro. Shoferët besojnë se investimi ia vlen dhe do t’u ulë shpenzimet me rreth 50 për qind.
Përpiloi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello