Autor
Kostandina Bello
Seksion
Një mozaik kulturor mes Shqipërisë dhe Bullgarisë
Vizita e artistit Artan Shabani në Sofje
Dielë 29 Mars 2026 09:40
Dielë, 29 Mars 2026, 09:40
Artan Shabani dhe Selim Hoxhaj
FOTO: Kostandina Bello
Madhësia e shkronjave
Në Sofje, në qytetin ku historia dhe moderniteti bashkëjetojnë në një dialog të heshtur arkitekturor, vizita e artistit shqiptar Artan Shabani mori formën e një përvoje që tejkalon kufijtë e një udhëtimi të zakonshëm. E lindur nga një ftesë nga Konsulli i Nderit të Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë, z. Selim Hoxhaj, por e ushqyer nga kurioziteti dhe nevoja për njohje, kjo ardhje në Bullgari u shndërrua në një përjetim të vërtetë.
Piktori i njohur shqiptar, ish-drejtor i Galerisë së Arteve në Tiranë ka një eksperiencë të gjatë në fushën e artit dhe ka marrë pjesë në projekte të shumta, ku ka fituar çmime ndërkombëtare. Ai ka jetuar dhe punuar në vende të ndryshme të Europës, por kjo është hera e tij e parë në Bullgari. Në një intervistë për Radio Bullgarinë ai shprehet:
“Ky është udhëtimi i parë që unë bëj në Sofje, në territorin e këtij vendi kaq të bukur që quhet Bullgaria,” - shprehet ai, duke e lidhur menjëherë këtë përvojë me një dimension më të thellë se thjesht një vizitë. - “Selimi prej kohësh më kishte folur me shumë pasion dhe me shumë vlerësime për shumë aspekte të një vendi totalisht të panjohur fizikisht për mua. Një vend mund ta njohësh edhe pa e shkelur, por mungon ai që quhet vibrim emocional, pra është si të njohësh një njeri online, të dish gjithçka për të, ose një pacient, por ti nuk i ndjen temperaturën e trupit, ti nuk i ndjen aritminë e zemrës, nuk i ndjen tingullin e fjalës.” Dhe pikërisht ky “vibrim” e çoi atë drejt Sofjes – një qytet që ai e përshkruan si “mahnitës”, me një arkitekturë kontrastesh, me histori të pasur dhe me një shoqëri që e befasoi për emancipimin, qetësinë dhe kulturën.
Universiteti i Sofjes “Shën Kliment Ohridski”
FOTO: Ani Petrova
Vizita u shpalos si një mozaik takimesh ku nga një takim lindi një tjetër, ashtu sikurse thotë edhe një shprehje italiane “cosa nasce cosa”. Ndër takimet e rëndësishme që u zhvilluan gjatë kësaj vizite ishte edhe takimi me studentët e Ballkanistikës në Universitetin e Sofjes, “Shën Kliment Ohridski”, që studiojnë gjuhën shqipe. Z. Artan Shabani dhe z. Selim Hoxhaj patën mundësinë të jenë të pranishëm në një leksion të zhvilluar nga pedagogia Anna Kapitanova.
“Këtu takuam studentët, pedagogen e tyre, një person i mrekullueshëm dhe një person i dashuruar totalisht me historinë tonë, me gjuhën tonë, me gjithçka që derivon nga Shqipëria. Dhe këta ishin studentë të interesuar, mbi të gjitha studentë të edukuar. Në shumë vende që kam vajtur, rrallëherë më ka ndodhur të shoh njerëz kaq të qëndrueshëm, të qetë dhe me edukatë. Kjo gjë është produkt i gjeneratave të një vendi që ka kulturë. Janë të apasionuar dhe kanë urinë e dijes,” - thekson ai, duke i cilësuar si një pasqyrë të një shoqërie me traditë kulturore të konsoliduar.
Selim Hoxhaj, Adelina Fileva, Artan Shabani dhe Bojko Vasilev (nga e majta në të djathtë)
FOTO: Selim Hoxhaj
Vazhdojmë më tej në Galerinë e Arteve të Sofjes, ku përvoja merr një dimension tjetër përballë një ekspozite në ndërtim mbi artin gjeometrik. Aty u zhvillua një takim me drejtoren e Galerisë, Adelina Fileva për të diskutuar për bashkëpunime të mëtejshme, ku përfshihet edhe ideja për një ekspozitë retrospektive kushtuar 100-vjetorin e Lika Jankos që njihet ndryshe edhe si “Picasso me fustan”.
“Do të ishte shumë e bukur dhe shumë e domosdoshme, për respekt të punës së artistes dhe të artit të saj, të karrierës së saj artistike, sepse Lika Janko është një emër i rëndësishëm në kulturën e Bullgarisë, por edhe të Shqipërisë, pra është një urë që lidh interesat e dy vendeve. Një e treta e koleksionit të saj ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe është pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Me Lika Jankon dhe zotin Selim, në vitin 2013 kemi prezantuar ekspozitën e saj në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve. Kanë qenë vitet që unë punoja në këtë institucion deri në vitin 2018, kështu që e përjetoj ende emocionin e bukur të veprave të saj.”
Përveç kësaj ekspozite retrospektive u fol edhe për ish-studentët shqiptarë që kanë studiuar në vende të ndryshme përfshirë këtu edhe Bullgarinë dhe për krijimin e një ekspozite e cila shpalos metamorfozën në veprat e tyre.
“Studentët shqiptarë në kohën e izolimit kulturor, në kohën e komunizmit, kanë studiuar në Rusi, kanë studiuar në Republikën Çeke, dikur Çekosllovakia, në Poloni, por edhe në Bullgari. Do të ishte interesante të themi se si këta artistë e morën këtë nektar, strukturuan në nivel akademik dijen e tyre dhe teknikën, formën dhe mënyrën se si e trajtonin artin dhe pastaj qëndruan të izoluar deri në rënien e Murit të Berlinit. Sigurisht të izoluar nga bota, por jo të izoluar nga mënyra për t'u shprehur. Do të ishte interesante që veprat e tyre të riktheheshin, pra të ndërtohej një ekspozitë e këtyre studentëve, se si u krijuan veprat e tyre dhe si vazhduan, në këtë tranzicionin, ose metamorfozën që përjetuan.” - shprehet Shabani.
Galeria e Arteve në Sofje
FOTO: Ani Petrova
Në reflektimet e tij, arti shfaqet si një proces i vazhdueshëm transformimi. “Artistët ndryshojnë… vetë njeriu ndryshon,” thotë ai, duke e lidhur këtë me kohën, përvojën dhe mjedisin. Edhe kur flet për dallimet mes shkollave artistike, ai përzgjedh një metaforë të thjeshtë: “është si puna e një ëmbëlsire… secili e personalizon sipas temperamentit dhe habitatit.”
“Arti bullgar vinte nga një art mbretëror, pra ishin për mua më të përparuar, pra më afër me Vjenën, më afër me Europën. Shqipëria kishte të tjera referenca ose sfumatura, iu desh që të iknin në Europë për ta kuptuar, për ta marrë dhe për ta sjellë me vete, ndërsa këtu ishte prezent. Mua personalisht më pëlqen, më pëlqen sepse ka elegancë, ka një forcë, ka dinamizëm. ” – shton ai.
FOTO: Kostandina Bello
Në ambientet e Galerisë së Arteve të Sofjes, aty ku çdo mur flet në gjuhën e artit dhe çdo vepër hap një dritare mendimi, bisedat nuk mbeten thjesht fjalë – ato shndërrohen natyrshëm në ide. Në këtë hapësirë u diskutuan edhe mundësi të tjera bashkëpunimi, u ndanë vizione dhe u hodhën fara për iniciativa të ardhshme. E gjithë kjo nuk erdhi rastësisht, por u bë e mundur falë Konsullit të Nderit, z. Selim Hoxhaj, i cili e përkufizon qartë misionin e tij:
“Konsullata e nderit ka një program për aktivitetet kulturore, tregtare, të koncerteve të ndryshme, ndërmjet shkëmbimeve kulturore midis Bullgarisë dhe Shqipërisë. Ideja ime ka qenë të promovoj kulturën, traditat bullgare për arsye sepse edhe në Shqipëri jeton edhe një pakicë bullgare që po bëhen gati nëntë vjet që është njohur, që në vitin 2017.” Duke kujtuar bashkëpunimin me Shabanin, ai ndalet te një moment kyç: organizimi i ekspozitës së Lika Jankos në Tiranë. “Artani na ndihmoi, sepse të bësh një ekspozitë në Galerinë Kombëtare nuk është e thjeshtë,” shprehet ai, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mes palëve.
Takim me piktorin Vasill Stoev
FOTO: Selim Hoxhaj
Vizita në studion e Vasill Stoev në Sofje hapi një tjetër kapitull diskutimesh për të ardhmen.
“Më duhet të them se direkt sapo erdhëm nga Shqipëria, ne shkuam drejt në studion e Vasill Stoevit. Biseduam gjatë me të, biseduam për ekspozita reciproke, jo vetëm të Vasill Stoevit, por edhe të piktorëve të tjerë që të vijnë në Shqipëri dhe të ekspozojnë pikturat e tyre, ashtu edhe piktorët shqiptarë të vijnë në Bullgari.” - thotë z. Hoxhaj, duke lënë të kuptohet se ky është vetëm fillimi i një procesi më të gjatë.
Ardhja në Sofje përkufizohet si e frytshme jo vetëm në fushën artistike, por edhe në fushën e turizmit dhe tregtisë, pasi u zhvillua edhe një takim me Dhomën Shqiptare të Tregtisë në Bullgari, se si mund të bashkëpunojnë të dy vendet. “Kemi folur me drejtuesin që të rrisim kontaktet dhe të shtojmë shkëmbimet tregtare dhe në fushën e turizmit.” – u shpreh z. Hoxhaj.
FOTO: Selim Hoxhaj
Në sfondin e këtyre aktiviteteve qëndron një histori marrëdhëniesh të qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, të cilat, siç nënvizon konsulli i nderit, “nuk kanë pasur asnjë kontradiktë” dhe janë ndërtuar mbi harmoni dhe mbështetje të ndërsjellë – nga periudha e Rilindjes e deri te aspiratat europiane të sotme.
Megjithatë, sipas tij, kjo lidhje kërkon sot një ritëm të ri komunikimi dhe vëmendjeje: “Më duket se ka rënë pak ritmi i informacioneve që jepen për Shqipërinë. Duhet një shtysë më e madhe, më shumë lajme.” Në këtë kuptim, nismat kulturore, vizitat artistike dhe shkëmbimet mes institucioneve nuk janë thjesht aktivitete, por një mënyrë konkrete për ta mbajtur gjallë këtë urë të ndërtuar ndër vite – dhe për ta çuar atë më tej.
Në thelb, kjo vizitë nuk është thjesht një kronikë aktivitetesh dhe nuk do të mbetet vetëm një episod, por një fillim i një dialogu të ri kulturor dhe i një bashkëpunimi që premton të thellohet në kohë. Një dëshmi se arti, kur mbështetet nga njerëz që besojnë në të, mund të bëhet jo vetëm pasqyrë e shpirtit, por edhe urë e fortë mes kombeve.
FOTO: Kostandina Bello
Dhe ndoshta, në fund të këtij rrugëtimi, mbetet një thirrje e thjeshtë, por thelbësore – një filozofi që tejkalon artin dhe prek vetë mënyrën se si zgjedhim të jetojmë. Mos të kërkojmë luksin e jetës, gjë që është e gabuar; duhet të kërkojmë, të udhëtojmë, të njohim, të prekim. “Pra njohja, vetëm njohja, - thote Shabani. Kështu që, për të mos jetuar në injorancë, që është fatkeqësia më e madhe, duhet që njeriu të udhëtojë, të zbulojë, të kuptojë botën dhe njëkohësisht kupton edhe qëndrimin e vet që ka me botën.”
Në këtë rrugë, arti nuk është një garë dhe as një katalog arritjesh. Ai është një marrëdhënie intime, një dialog i heshtur mes krijuesit dhe veprës së tij. Nuk ka nevojë për skena të mëdha apo duartrokitje të detyruara – mjafton paqja e brendshme që lind kur krijimi bëhet i sinqertë.
Sepse në fund, arti i vërtetë nuk kërkon miratim. Ai thjesht ekziston – dhe pret. “Kush ka sy, e sheh; kush ka ndjenjë, e kupton.”
Lexoni më tepër:
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello