Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Dielë 5 Prill 2026 10:00
Dielë, 5 Prill 2026, 10:00
FOTO: Opera Shtetërore e Plovdivit
Madhësia e shkronjave
“E jashtëzakonshme – si vokalisht, ashtu edhe në aktrim!” – ky koment lakonik, i botuar në gazetën Kultura në vitin 2002, përmbledh shumicën e vlerësimeve të kritikës për paraqitjet e Mariana Pençevës. Pa dyshim ajo është një nga yjet e mëdhenj bullgarë të operës botërore nga fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI, por edhe kur triumfon në skenat më prestigjioze, emri i saj nuk buçon në mediat bullgare. Ndërsa kontributi i saj për lavdinë e “mrekullisë operistike bullgare” është i konsiderueshëm.
FOTO: operasofia.bg
E lindur në Plovdiv, ajo përfundon Akademinë Muzikore në Sofje. Specializohet në Verona, është laureate e disa konkurseve prestigjioze vokale në Itali, por suksesi i saj më i madh është në konkursin “Luciano Pavarotti Competition” në Filadelfia në vitin 1992.
FOTO: Opera Shtetërore e Plovdivit
Karriera e saj fillon në teatro të mëdha operistike italiane – Teatro Comunale di Firenze në Firence dhe Teatro La Fenice në Venecia. Debutimi i saj në La Scala është në “La vestale” të Gaspare Spontini – një shfaqje e dirigjuar nga i madhi Riccardo Muti, me të cilën hapet sezoni në vitin 1993. Pak më vonë gjatë të njëjtit sezon Pençeva këndon edhe në “Rigoletto” – sërish nën drejtimin e Mutit.
FOTO: Opera Shtetërore e Plovdivit
Pasojnë skenat më prestigjioze botërore: në Londër dhe Barcelonë, Berlin dhe Paris, Lajpcig, Mynih, Dyseldorf, Bremen, Grac, Zyrih, Lozanë, Bruksel, Monte Karlo, Nicë, Madrid, Athinë, Melburn, Sidnei, Buenos Aires, Las Palmas, Montevideo, San Diego, Tokio, Seul… Ka punuar me dirigjentët dhe regjisorët më të mëdhenj të kohës sonë. Jeta e saj është e mbushur me shumë sfida dhe optimizëm.
FOTO: Opera Shtetërore e Plovdivit
Jashtëzakonisht energjike dhe pozitive, Mariana Pençeva shpesh ka ndarë se nuk ka frikë nga rreziku dhe shpesh “është hedhur në ujë të thellë me kokën përpara”. Në rrugën e saj të shkëlqyer ka takuar këngëtarë të jashtëzakonshëm:
“Emri i parë për të cilin menjëherë më shkon mendja – Luciano Pavarotti. Me të kam pasur disa takime. I pari ishte në konkursin ‘Pavarotti’ – pata fatin të jem një nga fitueset. Ishte shumë interesante, sepse unë brenda vetes, duke dëgjuar si këndon Luciano Pavarotti dhe duke ditur çfarë më pëlqen mua në këndim, thjesht i kisha thënë vetes: ‘Nuk ka mundësi – ai do të më pëlqejë, nuk ka si të mos më pëlqejë!’. Në finalet në Filadelfia, çdo mezzosopranoje Pavarotti i kërkonte arien nga ‘La favorita’, por jo të gjithë arien, por posaçërisht pjesën e ngadaltë. Atëherë i thashë vetes: ‘Oh, unë e di çfarë do Pavarotti!’. Unë e ndjeja, e dija se ai dëshironte të dëgjonte sa mirë një mezzosoprano mund të këndojë legato”.
Mariana vendos të zgjedhë për arien e saj të parë në audicion pikërisht atë nga “Favoritja” – Pavarotti është më shumë se i kënaqur. Pas konkursit, opera e Gaetano Donizetti vihet në skenë me laureatët në Opera Philadelphia dhe Mariana është në rolin e Leonorës.
Si arrin një vajzë modeste nga Plovdivi, me nënë këngëtare popullore dhe baba sportist kombëtar në ngritjen e peshave, deri në skenën botërore dhe partnerë si Pavarotti?
“E vërteta është se njeriu duhet të besojë në vetvete. Të dijë se absolutisht të gjithë lindim në të njëjtën mënyrë, pavarësisht se kush në çfarë luksi jeton… më e rëndësishmja është çfarë dëshiron ti, çfarë ndjen se mundesh dhe deri ku beson se mund të arrish. Nëse një këngëtar ka cilësitë e nevojshme dhe beson në vetvete, ka shëndet të mirë mendor dhe nerva të forta, ai mund të bëjë mrekulli” – pohon Mariana Pençeva.
FOTO: Opera Shtetërore e Plovdivit
Dirigjenti i madh Riccardo Muti e zbulon për La Scala, me të është debutimi i saj atje dhe më pas për një kohë të gjatë është një nga solistet e tij të preferuara.
“Maestro Muti është një titan si dirigjent. Ai shumë e donte të punonte me këngëtarë të rinj. Ndoshta tetë ose nëntë sezone këndova me të, më thërriste shumë shpesh. Unë e adhuroj maestro Mutin! Fjalë për fjalë nuk kam parë dirigjent tjetër që të ketë këtë forcë të jashtëzakonshme, emocion dhe zotërim të këtij emocioni dhe kësaj force që ai rrezatonte. Me të ishte shumë përgjegjësi, por edhe kënaqësi shumë e madhe të punoje. Ai është gjithçka tjetër, por jo i pakëndshëm për komunikim, kur pranon dhe pëlqen një këngëtar. Absolutisht dashamirës, vazhdimisht bën shaka dhe të gjitha provat me të janë shumë të këndshme. Sigurisht, kërkon shumë. Nuk është dirigjent që vetëm bën shaka, rri dhe tund këmbët, por gjithmonë punon me një ndjenjë të jashtëzakonshme humori. Dhe unë madje isha nga ata që u përgjigjeshin shakave të tij – edhe unë bëja shaka”.
FOTO: Opera Stara Zagora
Që nga viti 2015 Mariana Pençeva jep mësim në Akademinë Muzikore në Sofje. Zgjedh Bullgarinë dhe jo Italinë, sepse është bullgare, këtu janë rrënjët e saj dhe njerëzit që i do më shumë. Dëshiron t’i mësojë studentët e saj të vendosin të gjithë zemrën dhe shpirtin në profesion dhe të jenë të lumtur në skenë. Ditë pas ditëlindjes së saj ajo i uron vetes “vetëm shëndet dhe studentë të frymëzuar”. Ndërsa Bullgarisë dhe bullgarëve: “të mësojmë marrëdhënie më të qytetëruara, më shumë tolerancë, pjesa më e madhe e njerëzve të kenë një botë shpirtërore më të pasur. Ja pse kultura është shumë e rëndësishme dhe unë shpresoj se populli nuk do të mbetet pa shpirt… ne duhet ta ruajmë shpirtëroren tonë”.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski