Martë 31 Mars 2026 12:47
Martë, 31 Mars 2026, 12:47
FOTO: mzh.government.bg
Madhësia e shkronjave
Qumështi në Bullgari po blihet gjithnjë e më lirë, ndërsa për fermerët po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë ta prodhojnë. Kështu deklaroi ministri në detyrë i bujqësisë, Ivan Hristanov, para Këshillit të Bashkimit Evropian për Bujqësinë në Bruksel, njoftoi shërbimi për shtyp i ministrisë. Ai theksoi se që nga fillimi i vitit 2025 çmimet janë në rënie dhe kjo prirje vazhdon. “E shohim këtë edhe në muajt e parë të vitit 2026. Në të njëjtën kohë po shfaqet diçka edhe më shqetësuese. Fermat e vogla dhe njerëzit në zonat më të vështira thjesht nuk arrijnë ta shesin qumështin e tyre dhe u refuzohet blerja. Arsyeja është e thjeshtë: hyn lëndë e parë e lirë nga jashtë dhe shtrembëron tregun”, sqaroi ministri Hristanov. Sipas tij, kjo ndodh pikërisht në një kohë kur kostot për energjinë elektrike dhe ushqimin për bagëtitë janë në rritje. Hristanov kërkoi që të zbatohet masa për uljen e përkohshme dhe vullnetare të furnizimeve. “Kjo është një mënyrë e shpejtë për të stabilizuar tregun”, tha ministri bullgar i bujqësisë.
Lidhur me të ardhmen e politikës së përbashkët bujqësore, Hristanov theksoi se qëndrimi i vendit është qartësisht në favor të ruajtjes së subvencioneve bujqësore dhe të barazimit të ndihmave për fermerët bullgarë me nivelet në shtetet e tjera të Bashkimit Evropian.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova