KULTURË

Artikull

Simfonia e kohës… Pallati Kombëtar i Kulturës në Sofje feston 45‑vjetorin

Martë, 31 Mars 2026, 15:23

Simfonia e kohës… Pallati Kombëtar i Kulturës në Sofje feston 45‑vjetorin

FOTO: Facebook/NationalPalaceOfCulture

Madhësia e shkronjave

Një nga simbolet e kryeqytetit bullgar – Pallati Kombëtar i Kulturës (NDK), mbush 45 vjet. Gjatë kësaj kohe godina dhe parku përreth saj janë shndërruar në një vend të dashur për banorët e Sofjes dhe për mysafirët e qytetit, të cilët mblidhen aty si për të ndjekur ndonjë aktivitet kulturor, ashtu edhe për takime me miq të afërt, madje edhe vetëm për të admiruar godinën imponuese dhe hapësirën përreth saj, që ka ndryshuar planin urbanistik të kryeqytetit. Ndërtimi i saj për vetëm tre vjet – nga viti 1978 deri në vitin simbolik 1981, kur u hap në nder të 1300‑vjetorit të themelimit të shtetit të parë bullgar – mbetet një fakt që vazhdon të habisë.

Jo rastësisht, një nga ngjarjet me të cilat shënohet ky përvjetor i rëndësishëm është një ekspozitë fotografike e quajtur “Ndërtimi i kryeqytetasve”.

FOTO: Facebook/NationalPalaceOfCulture

“Më 2 prill, njerëzit që kujtojnë ose vetëm kanë dëgjuar legjendat për atë se si një ndërtim kaq i madh mund të realizohet vetëm për tre vjet, do të kenë mundësinë të shohin një ekspozitë me fotografi nga ngritja e NDK-së. Në të kanë marrë pjesë jo vetëm banorë të Sofjes, por edhe njerëz nga e gjithë Bullgaria, Vietnami, Jugosllavia, Rumania dhe Qiproja.

Emri i ekspozitës është “Ndërtimi i kryeqytetasve”, sepse në një masë të madhe Sofja e identifikon veten me të si një kryeqytet modern, në sfondin e kryeqyteteve të tjera evropiane që tashmë kanë qendrat e tyre të mëdha kulturore dhe kongresuale – shpjegoi në një intervistë për Radio Bullgarinë drejtori i marketingut të pallatit, Ivo Çifliçki, dhe shtoi:


Ivo Çifliçki

FOTO: Joan Kolev

"Ndërtimi i tij nuk përfshin vetëm godinën qendrore, por edhe një infrastrukturë të madhe nëntokësore, pjesë e së cilës është edhe stacioni i parë i metrosë. Madje para se të planifikohej metroja në tërësi, në vitin 1978 filloi ndërtimi i stacionit “NDK”. Përveç kësaj, janë ndërtuar edhe tunelet, lidhja e pallatit me bulevardin “Bullgaria” dhe infrastruktura e tij nëntokësore, Ura e të Dashuruarve, si edhe një nga qendrat e para tregtare në formë moderne – kompleksi rreth shatërvanit “Kozmos”. Më 2 prill, nga ora 18:00, të interesuarit për ekspozitën mund të shohin edhe filmin dokumentar të Allbena Aleksandrova “Etyd për bukuritë e brendshme”, i cili paraqet të gjitha artet që fsheh pallati."



Qëllimi i Pallatit Kombëtar të Kulturës është të simbolizojë kontributin dhe rolin e trashëgimisë kulturore bullgare në civilizimin evropian, drejt të cilit na drejtojnë edhe disa ngjarje të tjera.

Festimet filluan me shënimin e 45‑vjetorit të NDK‑së me edhe një ekspozitë që paraqet një pjesë shumë të vogël, por domethënëse, të emrave botërorë që janë ngjitur në skenën e Sallës 1 – dirigjenti Herbert fon Karajan, këngëtarja e operës Montserrat Caballé, yjet e popit Sting dhe Michael Bolton, si edhe të gjitha emrat e mëdhenj të estradës dhe muzikës operistike bullgare. Ajo do të qëndrojë të paktën deri në verë në foajetë e sallës 6.

Salla 1 e NDK-së

FOTO: ndk.bg

Më 30 mars u paraqit një botim jubilar i revistës ‘LIK’ të Agjencisë Telegrafike Bullgare (BTA), e cila krijon një kronologji gazetaresko‑dokumentare të periudhës nga viti 1981 deri në vitin 2026, duke paraqitur tre periudhat historike nëpër të cilat ka kaluar pallati – nga ndërtimi e deri sot: regjimi komunist, periudha shumë e ashpër e tranzicionit të viteve ’90 dhe koha e tanishme, në të cilën ai, në kushtet aktuale ekonomike, kërkon sërish vendin e vet si një ndërmarrje tregtare, duke justifikuar edhe emrin që mban.

FOTO: Facebook/NationalPalaceOfCulture

Pallati Kombëtar i Kulturës është hapur zyrtarisht më 31 mars 1981, prandaj kjo datë konsiderohet si dita e lindjes së institucionit. Për këtë ditë u planifikua edhe një koncert i posaçëm, për të cilin u ftuan njerëz që kanë kontribuar për ndërtimin e kësaj hapësire të shpirtit dhe kulturës së Bullgarisë.

“Më 31 mars fillojmë me paraqitjen e ekspozitës ‘Kisha e Bojanës në agimin e Rilindjes’. Në të janë shfaqur 30 nga shembujt më të mirë të ikonografisë, dhe këto imazhe shënojnë fillimin e estetikës së Rilindjes në artin pamor bullgar. Koncerti festiv mban titullin ‘Simfonia e kohës’ dhe në të marrin pjesë Filarmonia e Sofjes, nën drejtimin e Najden Todorovit, si edhe primadona e muzikës pop bullgare, Lili Ivanova.”

Data 1 prill është sërish e rezervuar për paraqitjen e ekspozitës së pikturës dhe skulpturës “Shtresa ngjyrash”, këtë herë me veprat e artistëve Dimitër Bujukliski, Ganço Karabaxhakov, Hristo Jotov, Ljuben Dimanov, Nikollaj Ninov dhe Krasen Kralev. Ajo do të vazhdojë deri më 22 prill.

FOTO: Facebook/NationalPalaceOfCulture

Pikërisht për 45‑vjetorin e tij, Pallati madhështor i Kulturës hapi dyert e tij të fshehta për ture turistike. “Në botë ka shumë qendra të mëdha kongresesh, por të tilla që t’i kushtohen kulturës kombëtare, me një sintezë kaq të shkëlqyer artistiko‑arkitekturore, nuk mund të gjenden askund” – është i bindur Ivo Çifliçki. Dhe megjithëse njohja e kësaj godine gjigante ndoshta kërkon ditë të tëra, ata arrijnë ta përmbledhin turin turistik në tre orë e gjysmë: “Po shqyrtojmë ndarjet tematike të këtyre tureve, sepse NDK është interesant në tre aspekte – në atë arkitektoniko‑inxhinierik dhe në atë krijues – me gati njëqind vepra arti nga disa prej mjeshtërve më të mirë të shkollës artistike bullgare të shekullit XX. Gjëja e tretë jashtëzakonisht interesante është se në të gjithë kompleksin nuk ka asnjë simbol që të dërgojë ose të propagandojë drejt regjimit të kaluar” – shpjegon bashkëbiseduesi ynë.

“Edhe sot specialistë të huaj vijnë në NDK për të parë këtë qasje ndaj krijimit të hapësirave të ndryshme, të parashikuara për ngjarje të mëdha kulturore dhe edhe më të mëdha kongresuale me rëndësi botërore, të ndërthurura me të gjitha zhanret e arteve pamore, siç janë mozaikët gjigantë, afresket, gdhendjet në dru, punimet në metal, skulpturat dhe panelet tekstile në shkallën e ‘1300 vjet Bullgaria’ të artistit me famë botërore Marin Vërbanov.

Paneli "1300 vjet Bullgaria", 1981

FOTO: ndk.bg

Përmasat e rëndësisë kulturore që pallati ka fituar gjatë 45 viteve janë diçka vërtet e jashtëzakonshme” – përmbledh Ivo Çifliçki, i cili prej dhjetë vitesh punon si pjesë e mekanizmit të padukshëm që mirëmban këtë qendër kulturore emblematike për mbarë Bullgarinë.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: ndk.bg, Facebook/NationalPalaceOfCulture, Etydet e Sofjes/Sketches of Sofia, Joan Kolev