Artikull
Bullgaria kërkon që Maqedonia e Veriut të përmbushë angazhimet e marra
Mërkurë 1 Prill 2026 11:48
Mërkurë, 1 Prill 2026, 11:48
FOTO: mfa.bg
Madhësia e shkronjave
Organizatat e komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut kanë shpërndarë një letër zyrtare me kundërshtime ndaj projektit të rishikuar të Planit të Veprimit për mbrojtjen e të drejtave të personave që u përkasin pakicave dhe komuniteteve në ish‑republikën jugosllave.
Ky Plan Veprimi është dokument bazë, pjesë e Konsensusit Evropian të vitit 2022, dhe zbatimi i tij do të monitorohet gjatë gjithë procesit negociues për anëtarësimin e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut në BE.
Në qëndrimin e tyre, bullgarët deklarojnë se dokumenti vazhdon të mos adresojë problemet thelbësore me të cilat përballet komuniteti bullgar në Maqedoninë e Veriut. Ndër to janë: presion institucional sistematik, zbatim i pabarabartë i ligjeve, kufizime të rënda ndaj vetëpërcaktimit dhe lirisë së shoqërimit, mungesë mbrojtjeje kundër diskriminimit dhe krime urrejtjeje të sponsorizuara politikisht.
Ministria e Jashtme bullgare mbështet kërkesat legjitime të komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut dhe u bën thirrje autoriteteve në Shkup të marrin parasysh kërkesat e qytetarëve të tyre dhe të përmbushin të gjitha angazhimet e marra ndaj BE‑së dhe ndaj Bullgarisë, thuhet në qëndrimin zyrtar të ministrisë.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva