Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Vllada Tomova – muzikante bullgare me një mision përtej Oqeanit
Një propaganduese e përkushtuar e folklorit tonë në SHBA, këngëtarja u uron bullgarëve më shumë vetëbesim
Dielë 26 Prill 2026 08:00
Dielë, 26 Prill 2026, 08:00
FOTO: Lilla Rupa
Madhësia e shkronjave
Përveçse këngëtare dhe kompozitore, Vllada Tomova është krijuese e formacioneve muzikore dhe e udhëtimeve ndërkombëtare për shkëmbim kulturor. Në fund të shkurtit, në kuadër të festivalit Master of art, ajo debutoi në vendin tonë edhe si autore e një filmi dokumentar me titull “Zmej prelete” (A Dragon Flew Over), realizuar së bashku me korin e saj folklorik “Jasni gllasove” (Yasna Voices) nga Nju Jorku. Filmi-koncert i veçantë është një homazh për amerikanen Marta Forsyth – një etnomuzikologe e shquar, e cila ka vizituar Bullgarinë dhjetëra herë nga mesi i viteve ’70 deri në fund të shekullit të kaluar, ka mbledhur dhe regjistruar mijëra këngë popullore bullgare në vendbanime të ndryshme dhe ka popullarizuar folklorin tonë.
FOTO: YouTube /Vllada Tomova
Vllada Tomova, e cila e konsideron Marta Forsyth si mentore, frymëzuese dhe mike të afërt, përkufizohet si magjistarja bullgare e skenës muzikore në Nju Jork. Ajo ka përfunduar një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë muzikor në botë – kolegjin “Berklee College of Music” dhe prej më shumë se një çerek shekulli interpreton dhe përhap folklorin bullgar në SHBA dhe në botë. Përveç korit të parë folklorik bullgar për gra në Nju Jork “Jasni gllasove”, Tomova krijon edhe ansamblin “Ballkanski prikazki”, në të cilin marrin pjesë instrumentistë elitë nga Nju Jorku. Albumi i tyre debutues me të njëjtin emër Balkan Tales nga viti 2009 është prezantuar në të gjithë botën. Tomova ka kënduar me shumë interpretues të njohur, është ftuar për projekte, shfaqje teatrale dhe televizive. Ka punuar me Millço Leviev dhe Teodosij Spasov. Me “Këngëzën për alfabetin” e saj, shumë fëmijë bullgarë nëpër botë mësojnë cirilikën.
Vllada Tomova jeton në Amerikë prej rreth 27 vitesh.
Interesi i saj për folklorin bullgar dhe për zhanre si etno dhe world music fillimisht është nxitur nga mjedisi shoqëror.
FOTO: Facebook /Vllada Tomova
“Duke u gjendur në këtë kolegj jashtëzakonisht prestigjioz për xhaz dhe muzikë bashkëkohore në SHBA – ‘Berklee’, kuptova se sa pak dija për xhazin në fakt. Disi ndjeva nevojën të gjeja diçka timen, të ishte gjëja ime, me të cilën të isha interesante.
Shokët e mi ishin shumë të intriguar nga fakti që jam nga Bullgaria dhe të gjithë mendonin se unë mund të këndoja ‘si Kori’: ‘Ah, ti je nga Bullgaria, ti mund të këndosh si Kori!’. U përgjigjesha se nuk mund të këndoja si kor, sepse jam një person, nuk jam kor…”.
FOTO: BTA
Shokët e saj nga kolegji e quajnë “Kori” regjistrimet nga seria legjendare e pllakave “Misteri i zërave bullgarë” dhe ansamblin me të njëjtin emër, por edhe tingëllimin specifik: “Kjo nxjerrje e veçantë e zërit, melizmatika, ornamentika e melodive, ritmet e pabarabarta… Të gjithë më nxisnin: ‘A mund të këndosh diçka?’. Dhe unë fillova të kërkoj në kujtesën time, sepse në fakt nuk dija asnjë këngë të plotë. M’u kujtuan nga një ose dy strofa nga dy këngë, të cilat për fat të madh i këndoja në festa me kolegët dhe të gjithë ishin të entuziazmuar. Dalëngadalë fillova të kujtoja edhe këngë të tjera dhe të eksperimentoja – t’i përzieja me xhaz. Në orët e kompozimit përdorja ritme të pabarabarta, ornamentikë… Fillova të dëgjoja në bibliotekën e ‘Berklee’-s (sepse aty ka gjithçka) – këtë Kor, ‘Misteri i zërave bullgarë’, i cili atëherë kryesisht koncertonte nëpër botë: nga Japonia deri në Rio de Zhaneiro… Ky në fakt ishte fillimi. Ndërsa me Marta u njoha pas rreth ndoshta gjashtë vitesh. Kisha përfunduar tashmë ‘Berklee’-n dhe së fundmi isha zhvendosur në Nju Jork. Për një ditë u ktheva në Boston për të marrë pjesë në një aktivitet të komunitetit bullgar dhe kështu ndodhi që ajo dhe bashkëshorti i saj ishin në atë aktivitet”.
Ansambli i famshëm tashmë edhe tek ne vokal për gra Yasna Voices u formua në fund të vitit 2002 ose në fillim të vitit 2003. Paraqitja e parë para publikut është vetëm disa muaj pas krijimit të ansamblit dhe në të merr pjesë vetë Janka Rupkina, e cila edhe sot është mike e “Jasni gllasove”. Biseda për Marta Forsyth, ansamblin Yasna Voices, këngët dhe dragojtë, planet për projekte të reja muzikore dhe filmike vazhdon gjatë dhe do të paraqitet në Radio Bullgarinë shumë shpejt. Ndërsa në fund Vllada Tomova u drejton bullgarëve:
"A Dragon Flew Over" është një dokumentar për jetën dhe veprën e etnomuzikologes amerikane Martha Forsyth
FOTO: IEFEM-BAN
“Një dëshirë që nuk e di sa është aktuale, por më duket se mund të jetë, është të kemi vetëbesim. Duke shkuar jashtë vendit, vetëbesimi im kombëtar ishte jashtëzakonisht i ulët. Më pas u rrit shumëfish – deri diku falë faktit që rrënjët në mua filluan të flasin dhe në një farë mënyre arrita të shoh që ato janë shumë të vlefshme. Mendoj se vetëdija jonë kombëtare është rritur shumë, por megjithatë vazhdon të ketë një nuancë, ku ajo ose është tepër e lartë, ose tepër e ulët dhe disi nuk arrijmë të gjejmë një mes të shëndetshëm, në të cilin të ndihemi krenarë që jemi bullgarë dhe për gjithçka që kemi dhënë në botë. Por edhe të mos e teprojmë me këtë… Vetëbesim që të jetë i bazuar në një realitet objektiv, i cili shoqërohet edhe me veprim. Ndonjëherë mbështetemi pak te historia jonë, te ajo që kemi qenë dikur, por ne jemi këtu tani dhe krijojmë! Vazhdojmë çdo ditë të krijojmë. Dhe nëse besojmë se çdo ditë krijojmë dhe ndërtojmë mbi atë që na kanë lënë të parët tanë, baballarët tanë, nënat tona, gjyshet tona… Po, kemi një pasuri të jashtëzakonshme dhe më vjen mirë që e ruajmë, por mundemi edhe më shumë”.
FOTO: Facebook /Vllada Tomova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski