LAJME

Artikull

Zëvendësministri Marin Rajkov: Mbi Bullgarinë nuk fluturojnë avionë luftarakë

Mërkurë, 1 Prill 2026, 13:48

Zëvendësministri i punëve të jashtme Marin Rajkov

Zëvendësministri i punëve të jashtme Marin Rajkov

FOTO: БТА

Madhësia e shkronjave

Po nënvizoj se mbi Bullgarinë nuk fluturojnë avionë luftarakë, dhe se nuk ka furnizim me karburant të avionëve luftarakë që të marrin pjesë në veprime luftarake. Këtë e deklaroi zëvendësministri i punëve të jashtme, Marin Rajkov, gjatë një konferencepër shtyp në Këshillin e Ministrave. 

Rajkov nënvizoi se nuk ka arsye për rritje të shqetësimeve mes qytetarëve bullgarë për shkak të avionëve që janë pjesë e dislokimit të avancuar të NATOs në Aeroportin e Sofjes. Ai shtoi se Bullgaria ruan marrëdhënie diplomatike të pacënuara me Iranin dhe se niveli i këtyre marrëdhënieve nuk është ulur. Sipas tij, komunikimi me palën iraniane vazhdon në mënyrë të natyrshme, në përputhje me situatën ndërkombëtare specifike. 

Iranit i është bërë dhe do të vazhdojë t’i bëhet e qartë se Bullgaria nuk është në luftë dhe nuk pritet të hyjë në një skenar të tillë, theksoi Rajkov. Ai vuri në dukje se në një situatë të tillë do të kërkohej vendimi i Kuvendit Popullor. 

Diplomati shtoi gjithashtu se, ndryshe nga disa shtete të tjera, përfshirë edhe disa vende fqinje, parlamenti bullgar nuk ka miratuar vendim për mbështetje të veprimeve ushtarake në zonën e Ngushticës së Hormuzit. 

Avionët që ndodhen në Bullgari janë pjesë e dislokimit të avancuar të NATOs, ndërsa vetë aleanca nuk është aktualisht në luftë, saktësoi gjithashtu Rajkov. 

Deklarata u bë në lidhje me një notë proteste të Iranit drejtuar Sofjes më 18 mars, e cila u prezantua në parlamentin bullgar. “Kjo notë është fakt, por nuk duhet të shihet si arsye për nivele më të larta shqetësimi lidhur me mundësinë e përfshirjes së vendit tonë në situata që mund të përdoren për të manipuluar frikët e qytetarëve bullgarë”, shtoi Rajkov.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva