FOLKLOR

Artikull

Dita e Ngjalljes së Llazarit – festa e jetës dhe ringjalljes

Nga koleksioni i Radio Bullgarisë

Shtunë, 4 Prill 2026, 05:55

Dita e Ngjalljes së Llazarit – festa e jetës dhe ringjalljes

FOTO: Arkiv

Madhësia e shkronjave

Dita e Ngjalljes së Llazarit, në bullgarisht Llazarovden ose Llazarica, është një nga të ashtuquajturat “festa të lëvizshme”. Ajo kremtohet ditën e shtunë para Ditës së Dafinave dhe një javë para Pashkës së Madhe. Kalendari kishtar shënon ngjalljen çudibërëse të Llazarit të vdekur nga Jezusi Krisht me fjalët e famshme: “Llazare, ngrihu dhe ec!” Në mënyrë simbolike, kjo ngjarje parathotë Ringjalljen e Shpëtimtarit, që ndodh disa ditë më vonë.

Në folklorin bullgar, festa e ringjalljes së të vdekurit ka dy kuptime: njëra tregon respektin ndaj të ndjerëve, ndërsa tjetra përmban urime për jetë të lumtur, shëndet dhe pjellori. Dita e Ngjalljes së Llazarit lidhet gjithashtu me simbolikën e pranverës – kalimin nga dimri te vera, si ngjallja e natyrës dhe ringjallja e saj për jetë të re.

Sipas besimeve popullore, Ditën e Dafinave, në bullgarisht Cvetnica ose Vrëbnica, shpirtrat e të vdekurve lirohen dhe dalin nga varret në pritje të të afërmve. Për këtë arsye, në prag të festës kryhet e ashtuquajtura Përshpirtja e Llazarit. Gratë brumosin bukë të veçantë të ritit, të zbukuruar me kryqe, e cila mbahet në varret e të afërmve së bashku me grurë të zier dhe verë të kuqe. Varret spërkaten me verë dhe me ujë, ndërsa ushqimi i ofrohet të tjerëve për të kërkuar faljen e të vdekurve nga Zoti.

Në disa rajone të Bullgarisë Verilindore, kishte zakon që Ditën e Dafinave në varre të vendoseshin degëza të bekuara shelgu nga kisha; më pas ndizet zjarr dhe përmenden të vdekurit.

FOTO: BTA

Kështu, në prag të festave të ardhshme, njerëzit vendosin kontakt me të afërmit e tyre të ndjerë, të cilët mbeten pjesë e pandarë e familjes. Në të njëjtën kohë, të gjallët kërkojnë mbështetjen dhe mbrojtjen e të vdekurve, sepse sipas besimeve popullore, të vdekurit kanë forcën t’u ndihmojnë të gjallëve dhe të sjellin pjellorinë e tokës. Dhe sa paradoksale të tingëllojë, pikërisht aty në mbretërinë e të vdekurve, thellë në gjinjtë e tokës, fshihen rrënjët e jetës.

FOTO: Facebook/ Muzeu Etnografik Rajonal në të hapur - Etëra

Ana tjetër e festës është ngazëllimtare dhe jetëdhënëse. Ky është riti që njihet si llazaruvane. Ai zhvillohet në shumë rajone të Bullgarisë, sidomos në fshatra dhe qytete të vogla. Në të marrin pjesë vajza të reja, të cilat kanë arritur moshën e martesës. Të veshura me petka festive dhe me zbukurime të bollshme në kokë, shkojnë shtëpi më shtëpi në vendbanim, duke kënduar këngë të veçanta të ritit. Vajzat u urojnë banorëve shëndet, gëzim, martesë të lumtur dhe shumë fëmijë. Pronarët i presin me gëzim dhe u dhurojnë bukë të ritit dhe vezë të bardha, të cilat vajzat do t’i ngjyrosin për Pashkët. Konsiderohet se çdo shtëpi ku hyjnë vajzat llazarki do të jetë e lumtur, e gëzuar dhe e nderuar.

FOTO: Facebook/ Muzeu Etnografik Rajonal në të hapur - Etëra

Vashat llazarki mblidhen që në mesin e Kreshmës së Madhe dhe fillojnë të përgatiten për rritin llazaruvane nën udhëheqjen e ndonjë gruaje me përvojë. Repertori i tyre përfshin shumë këngë, që interpretohen në momente të ndryshme të ritit: gjatë mbledhjes së grupit të vajzave llazarki, në rrugë, në arat dhe në kopshtet e tyre. Për çdo anëtar të familjes ka këngë të veçanta: për fshatarin e pasur, për gruan në shtëpinë e pasur, për nusen, për gruan me barë, për fëmijën, për lëruesin, për bariun, për zanatçiun, për priftin, dhe kështu me radhë. Ka të dhëna që tregojnë se në kohën e sundimit turk në trojet tona, vajzat llazarki këndonin edhe para bejlerëve turq dhe bashkëshorteve të tyre, pavarësisht nga feja e tyre myslimane.

Mirëpo, më të shumta janë këngët për vashat dhe beqarët, të cilët së shpejti do të martohen. Me simbolikën origjinale, tipike për vashat llazarki, ato urojnë dashuri, lumturi dhe mirëkuptim në familje. Pamjet që hasen shpesh në këngët e tyre janë floriri dhe argjendi si simbole të pasurisë dhe lumturisë; krahas kësaj, lulet pranverore, me të cilat krahasohen të rinjtë; dhe molla e florinjtë si simbol i dashurisë. Këngët e vashave llazarki përshkruajnë me hollësi bukurinë e vajzave dhe forcën e dashurisë së djemve. Ngandonjëherë tregohet për ndonjë djalë që nis për gjah, por në vend që të kthehet me gjah, ai kthehet me një vajzë të bukur. Ka edhe këngë për vashat e dashuruara nga dragoi; kjo lidhet me besimin se vashat, që kanë qenë llazarki, mbeten të mbrojtura gjatë gjithë jetës nga pasioni i dëmshëm i këtij përbindëshi mitik.

FOTO: Facebook/ Muzeu Etnografik Rajonal në të hapur - Etëra


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova

Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova