Artikull
Votat e blera deri tani janë të barabarta me buxhetin e një bashkie të vogël
Enjte 2 Prill 2026 17:53
Enjte, 2 Prill 2026, 17:53
Andrej Gjurov
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Deri tani u sekuestruan mbi gjysmë milioni euro, një shumë që përkon me buxhetin e një bashkie të vogël – para të destinuara për të shtrembëruar vullnetin e qytetarëve bullgarë, njoftoi në një video të kushtuar luftës kundër blerjes së votës, kryeministri i përkohshëm Andrej Gjurov. “Kam dhënë urdhër që çdo sinjal të shqyrtohet me kujdes, çdo shkelje të ndiqet dhe rezultatet janë të padiskutueshme”, deklaron ai në videon e shpërndarë në rrjetet sociale. Andrej Gjurov është kategorik se kohët e fletoreve me emra, tufave të parave dhe njerëzve që votojnë nën presion kanë përfunduar. “Sot qeveria punon, Ministria e Brendshme nuk është vëzhguese anësore, por është në vijën e parë”, shton ai. Sipas të dhënave të paraqitura nga kryeministri, sinjalet për blerje votash dhe shkelje zgjedhore janë shtatë herë më të shumta, ndërsa procedimet e hapura dhe personat e ndaluar janë katër herë më shumë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. “Kjo nuk është thjesht statistikë, por një shenjë e qartë se qytetarët dhe qeveria janë në të njëjtën anë”, përfundon Andrej Gjurov.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova