SHOQËRI

Artikull

Nga tregu te frigoriferi – konsumatorët dhe tregtarët nën presionin e çmimeve

Hënë, 6 Prill 2026, 07:00

Nga tregu te frigoriferi – konsumatorët dhe tregtarët nën presionin e çmimeve

FOTO: BNR

Madhësia e shkronjave

Lufta në Lindjen e Mesme, rritja e çmimeve të karburanteve dhe inflacioni gjithnjë e më të ndjeshme transferohen nga ekonomia globale në jetën e përditshme të njerëzve në Bullgari. Kjo ndihet më qartë në tregjet komunale – vendi ku prodhuesit e vegjël dhe tregtarët takohen drejtpërdrejt me konsumatorët dhe ku çdo ndryshim në çmime reflektohet në bisedat, humorin e njerëzve, por edhe në prirjen e tyre për të blerë.

"Në komunat e vogla njerëzit e dinë mirë kur është dita e tregut dhe respektojnë traditën për të krahasuar çmimet në zinxhirët e mëdhenj me ato në tregjet e hapura, nga ku mund të blejnë nga vezë të freskëta dhe pula vezëdhënëse deri te perde turke dhe shapka kineze – tregon korrespondentja e BNR-së në jugperëndim të Bullgarisë, Keti Trençeva. – Në Razllog dita e tregut është çdo të hënë, dhe tregtarët, prodhuesit dhe konsumatorët njihen si komshinj. Prej një muaji megjithatë hapësira e tregut po ngushtohet dukshëm, asortimenti po zvogëlohet, ndërsa çmimet po rriten – madje edhe brenda ditës. Atij që nuk i del llogaria – do të heqë dorë, por askush nuk guxon të kalojë kufirin e durimit, të paktën për tani. Gjithnjë e më shumë janë njerëzit që kërkojnë fidanë, për të prodhuar vetë perimet dhe kështu të sigurohen kundër parashikimeve tronditëse."

FOTO: BTA

"Gjithçka është e shtrenjtë për ne… ne jemi pensionistë", ndan një grua në treg në qytetin jugperëndimor bullgar. Njerëzit ndjejnë pasiguri dhe gjithnjë e më shpesh bëjnë kompromise – ecin më shumë, krahasojnë dhe blejnë më pak:

"Të dy variantet i zbatojmë – edhe kërkojmë më lirë, edhe blejmë më rrallë… nga disa gjëra heqim dorë."

Nën presion janë edhe tregtarët, të cilët udhëtojnë nga qyteti në qytet dhe gjithnjë e më vështirë përballojnë shpenzimet. Disa tashmë hezitojnë nëse të vazhdojnë me tregtinë, pasi "llogaria nuk del", ndërsa të tjerë luhaten midis dëshpërimit dhe shpresës.

"Ne e marrim mallin nga larg, shkojmë deri në Petriç, që është më shumë se 100 km – shpjegon një nga tregtaret e perimeve të freskëta në tregun e Razllogut dhe nuk fsheh se mundësia e saj e vetme për të reaguar ndaj shtrenjtimit të karburanteve është të vazhdojë të rrisë çmimet: – Edhe ne do të rrisim, me hapa të vegjël, nuk ka si – njerëzit duhet të hanë, por edhe ne gjithashtu."

FOTO: pazarkj.com

E ngjashme është pamja edhe në Kërxhali, ku në tregun e prodhuesve tashmë ka tavolina bosh. Arsyeja për disa është në qiratë e larta, për të tjerë – në çmimet e larta të produkteve, që bëhen të pashitshme. Rritja e çmimeve është rezultat i faktorëve të grumbulluar – nga shpenzimet e energjisë dhe shtrenjtimi i plehrave deri te proceset globale në tregun e ushqimeve – thotë prodhuesi i perimeve Anton Rusçukliev. Në një bisedë me Radka Petkova nga BNR-Kërxhali, agronomi kujton se aktualisht në tregjet bullgare ka kryesisht fruta dhe perime të importuara dhe shton:

"Në të gjithë botën ka një rritje të çmimeve të ushqimeve. Veç kësaj megjithatë këtë vit kemi një problem më serioz, të lidhur me futjen e euros. Siç na bindnin se nuk do të ketë rritje të çmimeve, duket se në shumë vende çmimet mbetën sipas nominalit, por në euro, madje nuk pati as konvertim (me 1.95583 leva për euro). Pra realisht çmimet u rritën nga ky kalim në euro. Në fund pagat nuk lëvizën dhe kjo çoi në një fuqi më të dobët blerëse të popullsisë. Populli filloi të shtrëngohet, të blejë më pak. Me çmim 4 euro patëllxhani kalon në sferën e ushqimeve luksoze… Dhe kur nuk ka qarkullim, tregtari-qiramarrës i tavolinës në treg detyrohet ta lirojë atë."


FOTO: Facebook/ pazar Bllagoevgrad

Presion shtesë ushtrojnë edhe shpenzimet për punë dhe mungesa e fuqisë punëtore. "Çmimi i punës gjithashtu u rrit… shumë njerëz u larguan jashtë vendit" – dëshmon Rusçukliev.

Kështu prodhuesit e vegjël gjenden të shtrydhur midis shpenzimeve në rritje dhe mundësive të kufizuara të klientëve të tyre, ndërkohë konkurrenca me zinxhirët e mëdhenj tregtarë mbetet një sfidë serioze. Proceset ekonomike kanë edhe një kontekst më të gjerë, që i bën parashikimet të vështira, pasi çmimet e burimeve energjetike mbeten shumë të varura nga paqëndrueshmëria gjeopolitike, përfshirë konfliktet në Lindjen e Mesme. E gjithë kjo shihet qartë në tregjet komunale në Bullgari, të cilat gjithnjë e më shumë pasqyrojnë tensionin ekonomik – me blerës më të kujdesshëm dhe tregtarë gjithnjë e më të vështirësuar. Ato mbeten vend për produkte të freskëta, kontakt njerëzor, por edhe pasqyrë e krizave, në të cilën buxheti personal përballet me pasigurinë globale.


Bazuar në materialet e Radka Petkovës nga BNR Kërxhali dhe Keti Trençeva, korrespondente e BNR në Blagoevgrad

Tekst: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski