Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Premte 3 Prill 2026 19:20
Premte, 3 Prill 2026, 19:20
Verka Siderova
FOTO: dobrich.bg
Madhësia e shkronjave
Që nga kohërat e lashta, tokat në rajonin gjeografik të quajtur Dobruxhë kanë qenë të pasura dhe pjellore. Jo rastësisht, pjesën e saj bullgare e quajmë “hambari i Bullgarisë”. Po aq i pasur dhe shumëfaqëshe është edhe krijimtaria popullore e krijuar në rajonin etnografik të Dobruxhës. Bollëku i melodive dhe teksteve të ndryshme është rezultat i shpërnguljeve të banorëve nga rajone të tjera, veçanërisht nga Trakia. Disa specialistë e konsiderojnë si himn të krahinës këngën që e lëvdon atë “Më vjen mirë, o nënë”: “E bukur është, o nënë, Dobruxha e rrafshët”. Por simboli i vërtetë i folklorit të Dobruxhës për gjithë Bullgarinë është një miniaturë lirike, në të cilën një i ri fisnik (çelebi) bie në gjumë dhe humbet përgatitjet për një ndejë festive të madhe.
Së pari kalojnë tre barinj, që mbajnë një qengj, verë dhe një kavall, për të ushqyer, për të pirë dhe për të argëtuar të ftuarit, e pas tyre – tre vajza të bukura, të pajisura me mëndafsh, furkë dhe kornizë qëndisjeje, sepse gratë nuk e harrojnë kurrë punën gjatë ndejave të gëzuara fshatare. Refreni magjepsës: “Tulipan je apo zymbyl, apo trëndafil” i jep titullin këngës, e cila ka fituar statusin e një klasike të përjetshme bullgare në interpretimin e papërsëritshëm të Verka Siderova.
“Çdokush e do vendlindjen e vet, dhe kjo është plotësisht e natyrshme” – iu drejtohet fansave të saj Verka Siderova. “Kënga popullore më shoqëroi gjatë gjithë jetës sime të vetëdijshme; që nga djepi, nëna më bekoi me të. Piva sa të ngopesha nga burimi i saj i pastër. Uroj që edhe ju ta shijoni. Por kushdo që dëshiron të pijë nga ky burim, duhet të ulet në gjunjë, sepse nga burimi pihet në gjunjë…
Prania e Verka Siderova në kulturën bullgare ishte kaq e fortë sa ndihet edhe sot. Aristokratja mes këngëtareve tona folklorike, e cila magjepste me dinjitet dhe mirësi, u nda nga jeta më 2 korrik 2025, në moshën mbresëlënëse 99-vjeçare. E lindur në Dobriç dhe e dashuruar me vendlindjen e saj, Siderova është këngëtarja që i dha folklorit të Dobruxhës shkëlqim dhe hijeshi.
Verka Siderova
FOTO: Arkiv
“Dobruxha – aroma e bukës së ngrohtë. Dobruxha – vendlindja ime. Në tokën e saj u rrita, me vuajtjet dhe gëzimet e saj, me traditat, lojërat dhe këngët e saj” – shkruan ajo në autobiografinë, duke përshkruar mëhallën laramane të fëmijërisë: “Ishte e përzier – bullgarë dhe turq. Jetonim bashkë, nuk ndaheshim… Kishim festa të përbashkëta, synet, dasma. Eh, sa pilafë dhe bakllava haheshin! Në qoshe, në pjesën e poshtme të rrugicës, hidhnim valle të vogla, këndonim këngë. Prej andej vjen repertori im, që edhe sot tingëllon në eter. Këngët i mësonim nga nënat dhe gjyshet. Mua nuk më linin pa punë… Për lojërat nuk më vinte keq… por këngët i doja më shumë dhe dëshiroja fort të këndoja me zë të lartë që të më dëgjonin. Te dera e vogël e tavanit, me këmbët varur, ose te arra e xhaxhait, në vreshta… këndoja lirshëm. Kështu mbeti – kudo këngë. U rrita – këndoja, u bëra nënë e një djali – këndoja, në punë – këndoja, derisa në konkurset mbarëushtarake të veprimtarisë amatore artistike në vitin 1952 takova kompozitorin dhe dirigjent Filip Kutev. Ai më zbuloi dhe në Ansamblin Shtetëror më formoi si këngëtare. Them “më formoi”, sepse për të dalë në skenë dhe për ta kënduar këngën tënde në mënyrë që të prekë zemrat e dëgjuesve, duhet shumë punë. Në ansambël kuptova se kënga popullore është një shkollë e shpirtit kombëtar bullgar.”
Verka Siderova (në rreshtin e parë, në mes) me një pjesë të këngëtareve të Ansamblit Shtetëror, viti 1968
FOTO: Arkivi personal i këngëtares Liljana Galevska
Verka Siderova ka treguar jo një herë se të gjitha këngët nga repertori i saj mbresëlënës i dëgjoi dhe i mësoi në shtëpi – nga gjyshja, nëna dhe hallat e saj. Kur ishte gjallë, kënga e saj e parapëlqyerishte “Vite, vite, vite të vështira”, por në disa intervista ajo pranon se kënga që konsiderohet si “pasaporta” e saj është “Tulipani”: “Kur thonë “Tulipani”, thonë Verka Siderova; kur thonë Verka Siderova, thonë “Tulipani”… “Tulipani”e di nga gjyshja Elena.” Pikërisht me këtë këngë, të trashëguar brez pas brezi në familjen e saj, Filip Kutev e dëgjoi për herë të parë dhe u mahnit. Ajo i hapi rrugën drejt Ansamblit Shtetëror Folklorik dhe skenave të mëdha botërore. Versioni koral i Kutevit është ndër kryeveprat e këtij zhanri.
Por në interpretimin solo të Verka Siderova, të përpunuar nga Krasimir Kjurkçijski, “Tulipan je apo zymbyl” mbetet një nga emblemat muzikore të Bullgarisë.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova