MUZIKË

Artikull

“Jap” e përmbyll trilogjinë muzikore të MONA-s

Hënë, 6 Prill 2026, 06:05

“Jap” e përmbyll trilogjinë muzikore të MONA-s

FOTO: Facebook/MONA

Madhësia e shkronjave

E njohur edhe para pjesëmarrjes së saj në përzgjedhjen kombëtare për Eurovizion, MONA tashmë është ndër artistet më të kërkuara dhe orari i saj është i mbushur me paraqitje për një vit përpara. Këngëtarja e re krijon dhe interpreton këngë të bazuara në ornamentikën folklorike, por me linja melodike karakteristike për muzikën pop. Në aranzhimet e saj ka gjithashtu elemente që kujtojnë muzikën filmike. MONA ndërthur shumë stile, ndaj e ka quajtur muzikën e saj “folklor Gen Z”.

Pas këngëve “Е gjallë” (“Zhiva”) dhe “Fuqi” (“Silla”), tani ajo na paraqet singlin “Jap” (“Davam”)  – pjesën e fundit të një trilogjie të veçantë. Edhe këtu, ashtu si në dy këngët e mëparshme, MONA është autore e muzikës dhe tekstit, ndërsa aranzhimi është i Roberto Nikollov – Robi, me të cilin ndan të njëjtën vizion për tingullin e muzikës bashkëkohore bullgare.  

“Jap” shënoi sukses të jashtëzakonshëm, duke arritur mbi 1 milion shikime në YouTube vetëm dy javë pas premierës.

FOTO: Facebook/MONA

Nëse u shtojmë titujve të dy këngëve të fundit të MONA-s edhe atë të singlit të saj më të ri, lexojmë mesazhin e saj: “ZHIVA SILLA DAVAM” (“ЖИВА СИЛА ДАВАМ”), ose “Jap një fuqi të gjallë”. Për të, krijimi i muzikës është shumë më tepër se vetë-shprehje – ajo tregon se, ndërsa shkruan këngët e saj, i vijnë në mend idetë më të mëdha për atë se kush je ti në këtë botë:

“Gjatë shkrimit të ‘Silla’ e kuptova me çfarë misioni kam ardhur në këtë tokë. Dhe kuptova se sa shumë dua t’i dhuroj dashuri çdo njeriu me të cilin njihem. Kur këndoj refrenin, imagjinoj sikur dua me një shkop magjik të të magjeps që të jesh i mirë, i lumtur, të të ndodhin gjëra të bukura në jetë – unë besoj shumë në këto urime. Dhe dëshirojë shumë që me muzikën time të mos bëj urime vetëm për veten, por edhe për njerëzit e tjerë, dhe vetëm gjëra të mira, sepse çfarë këndon – ajo të ndodh.”

MONA do ta përcjellë mesazhin e saj edhe drejtpërdrejt, më 8 prill, kur do të festojë ditëlindjen e saj të 22të me një koncert special në Sofia Live Club.

Ndërsa në faqen e Radio Bullgarisë mund të shihni videon e “Jap”, të realizuar nga regjisorja Viktoria Karakoleva, me operator Teodor Fiçev. Një nga theksat vizuale më mbresëlënëse në klip janë gërshetat 8metërshe, të punuara për një javë nga Anastasia Dimitrova.

Videoja përfshin edhe përkthim me gjuhën e shenjave – një ide që MONA e mbron me këmbëngulje në çdo projekt të saj. Për të, muzika duhet të jetë e qasshme për të gjithë, pa përjashtim, dhe kjo kauzë është shndërruar në pjesë të identitetit të saj artistik.

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva