POLITIKË

Seksion

Ngjarjet me adresë ballkanike

Shtunë, 4 Prill 2026, 08:05

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: canakkalekalem.com

Madhësia e shkronjave

Projekt i ri hekurudhor në Stamboll do të transportojë 33 milionë pasagjerë në vit


Banka Botërore i ka dhënë Turqisë 1.67 miliardë euro për ndërtimin e një linje hekurudhore 127 kilometra, e cila do të lidhë pjesën evropiane dhe aziatike të Stambollit përmes një rruge të re përgjatë Bosforit. Projekti “Kalimi Hekurudhor Stamboll Veri” synon të lehtësojë trafikun dhe të përmirësojë lidhjet e mallrave dhe pasagjerëve në qytet, i cili është një qendër kyçe logjistike midis dy kontinenteve, raportoi Agjencia Anadolu, cituar nga BTA.


Pritet që linja, e cila do të anashkalojë pjesën qendrore të Stambollit, të transportojë 33 milionë pasagjerë dhe 30 milionë tonë mallra në vit, duke lidhur pika kryesore transporti, përfshirë aeroportet në Stamboll.


Sipas të dhënave të Bankës Botërore, projekti mund të krijojë deri në 414 000 vende pune dhe të mbështesë industrinë, bujqësinë dhe shërbimet. Financimi i përgjithshëm i jashtëm pritet të arrijë në 6.75 miliardë dollarë.

Albin Kurti

FOTO: koha.net

Kryeministri i Kosovës: Shpërndarja e parlamentit nuk është zgjidhje


Kriza politike në Kosova rreth zgjedhjes së presidentit vazhdon. Mandati i presidentes aktuale Vjosa Osmani përfundon më 5 prill. Parlamenti i vendit duhej të zgjidhte kreun e shtetit deri në mesnatën e 5 marsit, por për shkak të mungesës së kuorumit seanca nuk u mbajt. Ditën tjetër, Osmani nxori një dekret për shpërndarjen e parlamentit. Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se ky dekret nuk ka vlerë juridike dhe u dha deputetëve mundësinë të zhvillojnë procedurën deri më 28 prill.


Kryeministri në detyrë Albin Kurti e kritikoi presidenten për dekretin, me të cilin ajo bllokoi punën e parlamentit për 20 ditë. “Shpërndarja e Kuvendit nuk është instrument për të tejkaluar vështirësi politike, dhe është vërtetuar”, deklaroi Kurti.


Ai theksoi se populli ka shprehur vullnetin e tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit dhe ky vullnet nuk duhet të anulohet me dekrete, pavarësisht presionit të afateve. Ai u bëri thirrje deputetëve të zgjedhin një president, në mënyrë që të shmanget një votim i ri parlamentar.

FOTO: Facebook/Kolegium.mk

Gazetarët nga Radio Evropa e Lirë në Shkup krijojnë një media të re


Gazetarët nga redaksia e Radios Evropa e Lirë në Maqedoninë e Veriut që u mbyll në fund të marsit po krijojnë një faqe të re lajmesh – “Kolegium.mk”, njoftoi Lidhja e Gazetarëve Bullgarë. “Qëllimi ynë nuk është thjesht të jemi një burim tjetër lajmesh, por një ekip që kërkon përgjigje kur ato mbahen të fshehta, heton aty ku ka dyshime dhe krijon hapësirë për debat publik të informuar”, theksojnë gazetarët.


Në mars 2025, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump urdhëroi një shkurtim të ndjeshëm të aktivitetit të Agjencisë për Media Globale e SHBA-së (USAGM), e cila mbikëqyr media si Radio Evropa /Radio Liria (RFE/RL) dhe Zëri i Amerikës (VOA).


FOTO: vnanet.vn

Greqia kërkon punëtorë nga Vietnami për shkak të mungesës së fuqisë punëtore


Greqia dhe Vietnami po forcojnë bashkëpunimin në fushën e punësimit. Në një takim në Athinë, ambasadorja e Vietnamit Pham Thi Thu Huong dhe ministri i migracionit dhe azilit i Greqisë Thanos Plevris diskutuan një memorandum të ardhshëm, i cili do të krijojë një kuadër ligjor për migrimin e ligjshëm të punëtorëve nga Vietnami në Greqi dhe për mbrojtjen e të drejtave të tyre në përputhje me legjislacionet e të dy vendeve, njoftoi BTA, duke cituar Agjencinë e Lajmeve të Vietnamit.


Sipas statistikave, rreth 1500 vietnamezë aktualisht kanë leje pune në Greqi si punëtorë sezonalë ose afatgjatë. Punëtorët vietnamezë vlerësohen shumë nga punëdhënësit grekë për shkak të përkushtimit, zgjuarsisë dhe aftësisë së tyre për t’u përshtatur.


Përmes disa marrëveshjeve të tilla dypalëshe, Greqia po përpiqet të tërheqë fuqi punëtore të huaj për të përmbushur nevojat ekonomike dhe për të nxitur zhvillimin e ekonomisë së saj.


FOTO: gov.me

Mali i Zi po ndërton internet falas në vend përmes një projekti evropian


Internet falas tashmë mund të përdoret në disa vende publike në qytetet malazeze Danilovgrad, Rozhajë, Bijelo Polje, Ulqin, Bar dhe Tivat. Deri në shtator, shërbimi do të përfshijë gjithsej 24 komuna, njofton BTA duke iu referuar agjencisë MINA. Projekti është pjesë e iniciativës WiFi4WB, e bashkëfinancuar nga BE-ja dhe Gjermania dhe e zbatuar nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në kuadër të programit EU4Digital. Operatori i telekomunikacionit One Montenegro është partner strategjik në ndërtimin e rrjetit.


Iniciativa filloi në shkurt në Danilovgrad dhe po zgjerohet gradualisht. Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, theksoi se qasja në internet “nuk është luks” dhe se iniciativa synon të zvogëlojë hendekun digjital.


Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello