SHOQËRI

Seksion

Muzetë në Veliko Tërnovo presin interes të shtuar për festat e Pashkëve

Dielë, 5 Prill 2026, 07:15

Muzetë në Veliko Tërnovo presin interes të shtuar për festat e Pashkëve

FOTO: museumvt.com

Madhësia e shkronjave

Një fluks i madh turistësh pritet këtë pranverë në ish-kryeqytetin e vjetër të Bullgarisë. Të gjitha objektet në strukturën e Muzeut Historik Rajonal – Veliko Tërnovo do të jenë të hapura gjatë festave të Pashkëve, kur pritet edhe një rritje intensive e vizitorëve.


Në përputhje me sezonin aktiv turistik, që nga fillimi i prillit është përditësuar orari i punës së objekteve dhe ekspozitave të muzeut, ndërsa në periudhën 10–12 prill 2026 do të funksionojë edhe një sportel shtesë për Rezervatin arkitekturor-muzeor “Carevec”, i cili do të punojë nga ora 11:00 deri në 16:00 – njoftojnë nga muzeu. Që nga 1 prilli 2026 është rifilluar edhe shitja e biletës së kombinuar për vizitën e 10 objekteve.

Muzeu “Rilindja dhe Kuvendi Popullor”

FOTO: museumvt.com

Një rikthim i vërtetë në të kaluarën madhështore të kryeqytetit të vjetër bullgar ofrojnë ekspozitat e Qendrës Multimediale të Vizitorëve “Carevgrad Tërnov”, Muzeu Arkeologjik Veliko Tërnovo dhe Muzeu “Rilindja dhe Kuvendi Popullor”. Ndër ndalesat e domosdoshme për turistët janë gjithashtu kisha “Shën 40 Martirët”, rezervatet arkitekturore muzeore “Carevec” dhe “Trapezica”, si dhe rezervati arkeologjik “Nikopolis ad Istrum”.

Trapezica

FOTO: museumvt.com

Në zemër të qytetit ndodhet edhe Samovodska Çarshia me dyqanet e saj të ngrohta artizanale – mbi kalldrëmet e saj jehon hapat e mijëra turistëve.

Samovodska Çarshia

FOTO: old.velikoturnovo.info

Grupet e para të organizuara të vizitorëve të huaj për këtë vit filluan të mbërrijnë që në mars. Ata vijnë me anije turistike në Danubi – kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re. Ata zbresin në Ruse dhe udhëtojnë rreth 100 kilometra me autobus drejt Veliko Tërnovos dhe rezervatit arkitekturor pranë tij, Arbanasi. Pritshmëritë janë që këtë vit qyteti historik të presë edhe shumë turistë bullgarë dhe rumunë për festat e Pashkëve.


Përpiloi: Cvetana Tonçeva

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello